Ish-ambasadori Zeneli rrëfen dasmën e Bledar Kolës në Greqi, dhurata e Fatos Nanos

  • 26 mars 2019 - 10:23
Ish-ambasadori Zeneli rrëfen dasmën e Bledar Kolës në Greqi, dhurata e Fatos Nanos

Me rastin e Festës Kombëtare të Greqisë, 25 marsit, gazeta ka shkëputur një pjesë nga libri i fundit i ish-ambasadorit tonë në Greqi, Bashkim Zeneli, Mjeshtër i Madh, “Miqësi e trazuar”, ku flet për dasmën e ish-futbollistit të kombëtares shqiptare, Bledar Kola, me një greke, Nadia, një dasmë shqiptaro-greke të zhvilluar në Athinë në 2004.

Image

Ambasadori përshkruan me detaje veçoritë e dasmave greke, entuziazmin dhe shpirtin grek të festës në to. Po me aq detaje përshkruhen dhe traditat e miqësisë së grekëve, traditat e familjes greke ku ka respekt dhe dashuri në raportet bashkëshortore, por dhe ato prindërore. Ambasador Zeneli tregon dhe surprizën që Kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, i bëri çiftit që martohej, duke i dhuruar një buqetë me lule përmes tij, dhuratë kjo që u prit me shumë emocion si nga Bledar Kola, ish-futbollisti i kombëtares, po ashtu dhe nga krushqia greke dhe e gjithë salla.

…Në kthim nga Janina, në mbrëmje vonë, do të më telefononte miku im dhe gazetari i mirënjohur, Ramadan Bigza. Donte të vinte në zyrë të nesërmen, me një mik që nuk ma tha emrin. Erdhën që në mëngjes. Ishte me Bledar Kolën, futbollistin e shquar të kombëtares sonë të futbollit. Një djalë i ri shumë i edukuar, serioz, simpatik, përherë me buzë në gaz, i veshur me shumë shije. Do të përshëndeteshim miqësisht. Ramadan Bigza e kishte “sjellë” Bledarin që në ditët e para të mbërritjes sime në Athinë, për t’u takuar. Kishte qenë dëshira e Bledarit… Do të më uronte për detyrën. Do t’i kujtoja Bledarit atë gol të shkëlqyer që shënoi kundër Gjermanisë, në Leverkusen, duke barazuar rezultatin deri në 2- 3 minutat e fundit të ndeshjes, kur gjermanët shënuan përsëri…

Bledari qeshte me mirësjellje, ndërsa Dani do të niste plot pasion: Ishte trajner Zhegu i madh, i mrekullueshëm në daç si njeri, në daç si futbollist e në daç si trajner… Po mos ta ndijnë kush mor burrë, po futbollistë si Dini vijnë rrallë… po… pash zotën… a e mban mend çfarë goli i ka shënuar Irlandës së Veriut, a e mban mend… do vazhdonte të ûiste me një admirim dhe adhurim për legjendën e futbollit tonë, të paharruarin Din Zhegu… Ndërsa Bledari do të dëgjonte me respekt e duke qeshur prof. Danin, siç e thërriste. Do të takoheshim në disa raste me Bledarin, për të pirë një kafe apo edhe për ndonjë drekë apo darkë. Kush e njeh, nuk mund të thotë ndryshe veçse: është një djalë i mrekullueshëm, human, i zgjuar, i ndershëm!

Do të vinte shpesh në ambasadë për të më përshëndetur. Gjithmonë i veshur me hijeshi… Dhe tani që erdhi përsëri me Danin, para Olimpiadës, do të më jepte më shumë kënaqësi një ftesë… ftesë për dasmën e tij. U gëzova vërtet dhe i premtova se do të vija me shumë kënaqësi, duke e falënderuar miqësisht… Në disa raste pritjesh apo veprimtarish në ambasadë, isha njohur edhe me të fejuarën e Bledarit; një greke shumë e bukur, bionde, e qeshur, krenare dhe plot hijeshi dhe finesë në të gjithë sjelljen dhe qëndrimin e saj. Me Bledarin ishin një çift i mrekullueshëm, fisnik, një çift shqiptaro-grek, që vështirë se mund të gjeje të dytë… Ishin model! Bledari kishte mbi 13 vjet që kishte ardhur në Greqi dhe ishte aktivizuar menjëherë me ekipe të mëdhasi AEK; Panathinaikos etj. Gëzonte respekt dhe simpati të veçantë në radhët e sportdashësve grekë. Ishte vërtet shembull në jetë e shembull në futboll. Një talent i rrallë dhe pa bujë e zhurmë i futbollit tonë që në atdhe do të niste me Besëlidhjen e më pas me Partizanin dhe me përfaqësuesen e Shqipërisë.

Ata që e kujtojnë, nuk mund të harrojnë atë fizik të përkryer dhe atë vrapim aq elegant në fushë… Dan Bigza do të më telefononte për të më thënë se Bledari do të bënte një dasmë shumë të bukur dhe do të më pyeste: si thua, a rrimë bashkë në një tavolinë me Foto Strakoshën dhe me Arian Xhumbën dhe Bellajn? Të tre emra shumë të mëdhenj e të nderuar të futbollit shqiptar! “Me kë të duash ti Dan,- i thashë,- vendose vetë”. Unë njihja dhe kisha shumë mik vetëm Foto Strakoshën, një legjendë e sportit tonë, një shembullor në çdo drejtim… Ato ditë do të ûisja me Kryeministrin Nano, për diçka që lidhej me programin e takimeve me homologë të tij europianë gjatë Lojërave Olimpike. Krejt rastësisht i thashë edhe se isha i ftuar në dasmën e Bledar Kolës… martohej me një vajzë greke shumë të bukur… “Bëre mirë që ma the,- do të ûiste Kryeministri,- të lutem merr një buqetë me lule dhe dërgoja nga ana ime… shkruaj edhe… Përqafoje dhe përshëndete nga ana ime”.

Kisha qenë edhe në 3-4 raste dasmash shqiptaro-greke… Dasma shumë të bukura e me entuziazëm të madh. Përgjithësisht, grekët, si në qytet dhe në fshat, e sidomos në ishuj, bëjnë dasma shumë të bukura. I bëjnë të mëdha dhe merren zhurmshëm me përgatitjen e tyre. Në qytete, e sidomos në Athinë, përveç traditës, i japin edhe klas… Ndërsa në fshatra janë më të natyrshme, më tradicionale. Për një dasmë, që normalisht është gëzim i veçantë në familje, merren të gjithë, me kushërinj e kushërira, me halla e me daja.

Por merren veçanërisht e me “plotfuqishmëri” për gjithçka: gratë! Ftojnë shumë; nuk lënë në radhë të parë pa ftuar askënd nga familja e të afërmit, ku janë e ku nuk janë; edhe jashtë në Gjermani apo Amerikë! Kujtohen deri në momentet e fundit se mos mbetet dikush pa u thirrur. Dasmat greke, me qindra të ftuar, janë dasma të mëdha, jo thjesht për numrin e pjesëmarrësve. Janë të mëdha në botën e tyre, në natyrshmërinë e tyre. Më shumë se klasi, më shumë se dukja për dukje, “madhështia” për “madhështi”, dasmat greke kanë jetë, kanë shpirt, kanë shpërthim, kanë këngë e valle që i marrin që nga më plaku e deri te më i riu. Grekët shprehin një gëzim të veçantë në dasma; gëzojnë jo vetëm familjet që i organizojnë, por të gjithë. Vallëzojnë të gjithë, duartrokasin me ritëm të gjithë. U ka shumë hije, edhe kur janë të shfrenuar.

Bledar Kola

Burra e gra janë një dhe nuk i bëjnë me shenjë njëri-tjetrit për “teprime”. Pinë verë dhe uzo, ngrenë pa fund dolli, me radhë dhe pa radhë. Nuk ka pushim, nuk ka qetësi. Ka vetëm atmosferë të ndezur nga fillimi në fund. Puthen e përqafohen me gratë e tyre, me kushërinjtë, miqtë… Nuk është “tërbim”, është veç gëzim! Në pistë janë të gjithë, pa pasur fare “qiber” se shumica janë dukshëm në mbipeshë… Këtë, askund, grekët nuk e kanë problem! E jetojnë jetën siç janë. Për dieta nuk para ûasin shumë… Grekët e njohin fare pak dietën. E jetojnë si kurrkush jetën!

Me optimizëm e entuziazëm. Të gjithë ndjehen, në një farë mënyre, të shkujdesur; të shkujdesur nga “protokolli” i rasteve të tilla. Kanë ardhur për dasmë. Askush nuk përpiqet të ruajë “zotnillëkun”. Vijnë me eufori nga vera apo uzoja, por të merr “malli” të shohësh dikë të dehur. Dhe në këtë pikë, gratë janë shumë të serta. Një shenjë me shikim të rreptë u bëjnë burrave që e teprojnë dhe ata… bëhen esëll. Përveç çiftit apo, edhe prindërve të tyre, edhe të ftuarit ngrihen nga tavolina në tavolinë për të përshëndetur e për të ngritur dolli. E gjithë kjo atmosferë gëzimi, me të qeshura të papërmbajtura, me të folur me zë të lartë, me ngacmime, me të bërtitura, kurrë nuk del jashtë kontrolli; çdo gjë është e përmbajtur. Por kënga dhe vallja rrinë gjallë deri në mëngjes.

Dasmat greke të entuziazmojnë, dasmat greke kanë dritë, kanë thjeshtësi, kanë jetë që shkrihet me solemnitetin që nuk humbet kurrë. Njerëzit nuk vënë re asgjë te njëri-tjetri; as si janë veshur, as si janë zbukuruar gratë, as çfarë shkon e çfarë nuk shkon… Është tjetër punë se ç’mund të përgojojnë mbas dasme. Burrat e moshuar, sidomos ata të periferive, janë më “tradicionalë”, më të kujdesshëm në ruajtjen e “rregullave”, por nuk ndërhyjnë për të vënë rregull. Ata vijnë të veshur me një “komboloi” dhe mbajnë gjatë gjithë kohës një zinxhir apo diçka si tespie nëpër duar. Ruajnë disi esnaûlëkun, por qeshin dhe përshëndesin më të rinjtë. Në valle ngrihen më shumë kur e kërkojnë në sallë. Dhe aty bëhen “Zorba”! Tregojnë një “kapadaillëk” e krenari që u ka hije në të gjitha ato lëvizje të gjalla e, sidomos kur me kujdes, fare lehtë ulen të godasin me pëllëmbën e dorës tokën, të rrethuar nga çdo anë nga dasmorët që e shoqërojnë, të ulur në gjunjë, me duartrokitje ritmike, me respekt dhe me mirënjohje atë që vallëzon. Unë nuk do t’u besoja, derisa e mësova rastësisht në një bisedë me miq grekë, se deri në vitin 1983, në Greqi, prika (paja) do të ishte e detyruar me ligj! Babai duhet të bënte (i bën edhe sot që nuk është më ky ligj) një prikë (Prika) vajzës.

Normalisht, në prikë përfshihet një shtëpi ose të paktën një apartament. Jo për atë që kurrsesi nuk e ka mundësinë. Kjo sot është krejt e natyrshme. Kur martesa është brenda të njëjtit fshat apo qytet, babai dhe vëllezërit ndihmojnë vajzën dhe motrën e tyre të sapomartuar që të mos i mungojë, mundësisht asgjë, për një jetë normale e të lumtur. Banesa apo apartamenti që vajza merr në prikë nga babai i saj, mbetet gjatë martesës si pronë e vajzës dhe, në njëfarë mënyre, shërben edhe si një siguri sociale për të sapomartuarën. Dhëndri gjithnjë ka qenë i detyruar, që pavarësisht arsimimit apo pasurisë që kishte, të punonte shumë për të sjellë të ardhura të domosdoshme në familje, që asaj të mos i mungojë asgjë. Vite apo edhe dekada më parë, prindërit, sidomos nënat, donin t’i martonin vajzat sa më afër tyre. Dhe nënat, edhe në shtëpinë e dhëndrit, në një mënyrë apo tjetër, do të “përziheshin”, për të mos thënë “do të kërkonin të bënin ligjin”, në emër të asaj që vajza të ishte sa më e lumtur. Sigurisht, sot kanë ndryshuar shumë e shumë gjëra në këto aspekte. Por gratë greke, në njëfarë mënyre, si më parë, të paktën brenda katër mureve të shtëpisë, kanë “matriarkatin” e shumëpushtetshëm të dikurshëm.

E bëjnë edhe sot ligjin, e bëjnë shumë natyrshëm, komandojnë dhe drejtojnë për çdo gjë. Edhe në marrëveshjen për diçka familjare, fala e fundit është e grave. Burrat këtë e dinë, e shohin, e prekin. U binden edhe kur bëjnë ose vërtet nevrikosen me lëvizje duarsh. Dhe një herë të “bërtasë” zonja: kace more… ella more… burrat binden! Dhe duke shkruar kështu, nuk dua të them se gratë greke nuk i respektojnë burrat. Jo, i respektojnë, por duke qenë ato gjithmonë triumfuese. Një “agapi mu” i bën për vete burrat grekë. Dhe “agapi mu” është i përditshëm. Kjo është edhe pjesë e traditës, sepse, sidomos në qytete të mëdha, vetë jeta, marrëdhëniet, kanë një rrjedhë tjetër. Jo si në Europën Perëndimore, ku në të shumtën martesa e familja është disi e ftohtë, tepër e normuar me rregulla e zakone. Jo, në Greqi, ashtu si në rajonin tonë, është ndryshe.

Gjithsesi, në jetën greke, të familjeve greke, ka shumë dashuri, dashuri në raportet bashkëshortore, dashuri për prindërit, për fëmijët, për miqtë. Miqësinë e çmojnë shumë si traditë. Në lashtësi, grekët do të thoshin: kush kërkon miq pa gabime, mbetet pa miq! Apo edhe sot, sidomos në periferi, grekët, ashtu si edhe ne dikur, kanë shprehjen, apo, më mirë, filozofinë se “para se të blesh një shtëpi, shiko edhe fqinjët…”. Të kthehemi te dasma e Bledar Kolës me Nadian e bukur… Në ditën e dasmës, së bashku me Engjëllushen, në fillim shkuam në kishën “Ajo Georgiu”, në Melisa, ku do të kryheshin të gjitha ritet e praktikat fetare. Kishin ardhur shumë të ftuar, grekë e shqiptarë. Një ceremoni vërtet e bukur dhe solemne. Në mbrëmje do të drejtoheshim në lokalin e dasmës, në Nisis, në qendër të Kifsias. Ishte një ndër lokalet më të njohur të Athinës. Ishte në të gjithë hapësirën e tij i mbushur me pishina, me shatërvanë, me statuja, me drurë ulliri, një gjelbërim i jashtëzakonshëm.

U përshëndetëm me shumë të njohur shqiptarë, miq të familjes Kola, por edhe me grekë të ndryshëm. Në dasmën e Bledarit kishin ardhur edhe miq të tij futbollistë dhe specialistë futbolli të gazetave sportive. Salla e dasmës ishte rregulluar shumë bukur, në një bardhësi triumfuese e shumë miqësore. Nadia dhe Bledari, një çift shumë simpatik (jo se për çdo çift nuk thuhet kjo), të kapur dorë për dore, të qeshur e plot gëzim, do të hynin triumfalisht në sallë, për të ngritur në këmbë mbi 400 vetë, me duartrokitje… Një çift i mrekullueshëm shqiptaro-grek, një krushqi shumë e bukur shqiptaro-greke. Prindërit e dy palëve ishin veç të lumturuar. Prania e madhe e sportistëve do t’i jepte dasmës edhe një frymë Olimpike, në prag të saj.

Kishte gjithçka ajo dasmë nga paqja Olimpike, sepse edhe dekori shprehte shumë nga madhështia dhe fisnikëria e antikitetit. Ishte ndërtuar në atë mënyrë që të tregonte edhe se Olimpiada ishte në derë. Në dasmë kishin ardhur edhe deputetë e politikanë grekë, zyrtarë të shumtë të futbollit, kameramanë e fotografë të shumtë. Me Engjëllushen do të ngriheshim për të dhënë dhuratën tonë për çiftin dhe buqetën me lule të Kryeministrit Nano. Dikush nga shokët e Bledarit lexoi dedikimin e Fatos Nanos. Dhe Bledari, me shumë emocion, do të thoshte dy falë: “Kurrë nuk e kam menduar se në Shqipëri më kanë harruar, se u bënë afro 14 vjet këtu… sonte atdheu im më duket më afër se kurrë… Faleminderit Shqipërisë, që më respektoi në ditën më të bukur të jetës sime…”. Prindërit e Bledarit dhe Nadias ishin vërtet shumë të emocionuar.

E gjithë salla. Disa gazetarë, miq të Bledarit, donin të gjenin rastin për t’u thënë diçka… Në tavolinën tonë, ku ishim ulur me Fotin dhe Arianin e Danin, do të vinin të trokitnin gotat shumë grekë të ftuar në dasmë. Midis futbollistëve, në tavolinën tonë më shumë do të ûitej për sportin. Dhe Ramadan Bigza për sportin mund të ûiste me orë, pa ndërprerë. Me një pasion të madh dhe me një memorie fenomenale. Golat e bukur të shënuar 20-30 vjet më parë i sillte në tavolinë sikur të ishin shënuar dje. Dhe nuk mungonte të radhiste mjeshtrit e mëdhenj të futbollit shkodran. Por nuk mungonte të ûiste me një admirim dhe respekt të veçantë për gazetarin e shquar sportiv Besnik Dizdari: “Po ma gjej, mor zotni Bashkim, një gazetar sportiv më të mirë se Besniku sot…gjej… Po ai asht një arkiv e jashtëzakonshme…”

Do të vinin të na përshëndesnin në tavolinë edhe futbollistë të kombëtares greke. Më vjen shumë mirë, zoti ambasador, që e nderuat aq shumë bashkatdhetarin tuaj… Ai është mik i yni shumë i mirë… ju faleminderit. Dani m’i tha emrat e tyre, por që tani më vjen keq që nuk i kujtoj… Foti Strakosha, me lot ndër sy, duke qeshur do të më tregonte për një shqiptar, të ulur në një tavolinë jo larg nesh, që kishte shkuar tek tavolina e çifit me prindërit dhe u kishte vënë përpara një shishe me raki. E kam nga Shqipëria, është e bërë vetë… u kishte thënë.

Qeshëm të gjithë. U ndamë nga shokë e miq shqiptarë dhe grekë të asaj dasme të mrekullueshme në orët e para të mëngjesit. Sa shumë ishte kënduar në atë mbrëmje; këngë greke dhe shqiptare, si në një garë. Dhe ishin hedhur edhe shumë valle… shqiptarët i kërcenin shumë bukur vallet greke, bashkë me grekët, nën tingujt e muzikës që i shoqëronte ato… Bledari do të vinte të më takonte në ambasadë vetëm mbas dy ditësh e do të më sillte një album me fotot e dasmës. E falënderova shumë miqësisht… Dhe tek shkruaja këto radhë, do të shihja përsëri ato fotografi, por edhe disa që i kishte bërë e m’i kishte dhënë Dani… Nuk e di sa e kam përshkruar atë dasmë aq të bukur. Ishte një dasmë, si të gjitha dasmat e bukura.

Por ishte edhe më e bukur, ndoshta, sepse ishte një dasmë shqiptaro-greke, në një atmosferë miqësie midis grekëve dhe shqiptarëve… Dhe kështu shkroi edhe shtypi shqiptar në Athinë, por dhe gazetat sportive greke… Edhe po të kem lënë gjë pa thënë nga ajo dasmë, nuk ka sot shumë rëndësi… Rëndësi ka që atë që kam shkruar, e kam shkruar me dashuri dhe mirënjohje për Bledarin tonë dhe Nadian greke.

(Kosova Sot)