Dokumenti/ ‘Si dështoi atentati ndaj Enver Hoxhës në Tiranë, u arrestuan…’

  • 31 March 2019 - 09:44
Dokumenti/ ‘Si dështoi atentati ndaj Enver Hoxhës në Tiranë, u arrestuan…’

Dokumenti i firmosur nga Arif Hasko në 30 mars 1945/ Në një letër që e kishin djegur Idriz Biba, i shkruante Mehmet Spahiut: “Para disa ditësh Enver Hoxhës i është bërë një atentat në Tiranë dhe atentati ka dështuar, Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi janë zënë me Komandantin e Përgjithshëm dhe kanë dalë në mal, Partija Komuniste nuk është Parti e Drejtë”…

Me nisjen e operacionit të komunistëve në qarkun e Dibrës, frika kryesore ishin dezertimet e partizanëve nga radhët e Brigadës 18 që operonte atje. Operacioni në Dibër kishte nisur në 25 mars 1945, e pesë ditë më vonë, komisari i divizionit VIII, Arif Hasko shkruante se një varg ngjarjesh kishin ndodhur që e bënin të besonte se reaksionarët kishin gisht në to, duke nxitur dezertimet në masë. Është fakt se disa muaj pas përfundimit të luftës, shumë partizanë dëshironin t’i linin radhët e ushtrisë e të ktheheshin në shtëpi. Raporte të shumta të drejtuesve të ushtrisë e dëshmojnë këtë fakt. Por regjimi kishte nevojë për ushtrinë, për të konsoliduar pushtetin e për të nënshtruar gjithë zonat që nuk e përqafonin ideologjinë komuniste.

Në këtë raport të Arif Haskos kuptohet lehtë që ky fenomen ishte me të vërtetë shqetësues për komunistët. Hasko tregon në fillim ngjarjen e dy partizanëve që i kishin arrestuar pse kishin folur me njëri-tjetrin kundër regjimit dhe Enver Hoxhës dhe se kishin dyshime se ata simpatizonin Muharrem Bajraktarin. Edhe një ngjarje tjetër që e përshkruan fill pas kësaj, Hasko e lidh me Muharrem Bajraktarin. Të dy ngjarjet kishin përfunduar me arrestimet e partizanëve, të cilët më vonë, rezultojnë në listat e të burgosurve politikë të regjimit të Hoxhës.

Më poshtë, kujto.al e sjell të plotë dokumentin e zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH, fondi 14:

Peshkupi me 30.III.945

Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare

Para disa ditësh në brigadën e 18 u zbulua një lidhje e bërë midis ish përgjegjës rinije në një kompani Idris Bibës dhe komandantit kompanisë II batalionit të III Mehmet Spahiut.

Idrizi duke patur besim tek Mehmeti se ky kishte qenë toger kuesture i ka thënë neve kemi të njëjtin qëllim mbasi si mua ashtu edhe tyj nuk na pëlqen një qeveri e tillë, për këtë duhet të bëjmë c’është e mundur që të largohemi dhe të muarim lidhje me Muharrem Bajraktarin. Bisedimet kanë qenë të vazhdueshme, për një kohë të gjatë, bile Idrizi i kishte dërguar një letër Mehmetit në të cilën i shkruante: “Para disa ditësh Enver Hoxhës i është bërë një atentat në Tiranë dhe atentati ka dështuar, Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi janë  zënë me Komandantin e Përgjithshëm  dhe kanë dalë në mal, Partija Komuniste nuk është Parti e Drejtë”, letra që përmbante frazat e sipërme nuk ekziston, mbasi në kohën që janë pjekur të dy Mehmeti e ka nxjerrë dhe ta këndojnë së bashku, në këtë kohë ka hyrë një partisan, Idrizi nga frika e ka hedhur në zjarr.

Disa ditë më vonë Idrizi ka thënë se tashti që vjen behari i gjithë populli është bërë gati për të dalë në mal, po luftohet midis Shqiptarëvet dhe Maqedhonasvet.

Meqenëse Idrizi ka qenë përgjegjës rinije dhe është shkarkuar nga përgjegjësia, ka filluar të urrejë shokët përgjegjësa, duke thënë se këta  bëjnë padrejtësira.

Mehmet Spahiu ka pasur me të vërtetë lidhje me Idrizin, por ka qenë vetë ky  që ka dhënë informata  mbi mejtimet dhe parrullat e Idrizit pa qenë i shtrënguar nga as një person.

Mehmet Spahiu  me urdhër të Komandës së Përgjithshme është arrestuar dhe është nisur për Tiranë, kurse Idrizi është arrestuar, është pyetur mbi sa më sipër, ka pohuar se i ka thënë të gjitha , por nuk ka qenë i shtyrur nga njeri vetëm kanë qenë parrulla të dëgjuara nga partizanët, me urdhër të Korpusit u dërgua në Shkodër. Me sa duket  Idrizi duhet të ketë lidhje me elementa reaksionare.

Para 6 ditësh u zbulua prapë organizata e përbërë prej tre vetash (daktillografistit shtabit Brigadës, një partizani të shtabit dhe çentralistit të Komandës Qarkut).

Musa Demiraj nga Kuçi Kurveleshit (daktillografisti) më parë se të hynte në ushtri ka qenë rreshter i gjendermarisë në Tiranë, në luftën e Tiranës është kapur dhe është dërguar në Brigadën 18, ky para disa ditësh i thotë një partizani që punonte në sekretari “unë e di që tine je besnik, prandaj do të hapem mbi çdo gjë, partizani i thotë ki besim tek unë, se edhe unë nuk kam shumë besim në këtë qeveri. Mbas bisedash të vazhdueshme midis tyre Murati i thotë: që neve duhet të arratisemi mbasi kemi edhe tre shokë të tjerë  që kanë lidhje me Muharrem Bajraktarin me anën e çentralistit të komandës qarkut.

Murati, partizani dhe çentralisti janë arrestuar, hetimet vazhdojnë, akoma nuk kemi hollësi.

Me sa duket në brigadën 18  reaksioni ka pasur ndërmend  të organizojë ndonjë rrjetë të mirë, për të pregatitur dezertime në masë. Për të zbuluar çdo gjë rrënjësisht është mobilizuar e gjithë organizata.

Me datën 25 III 945 kemi filluar operacionin në qarkun e Dibrës, deri tani nuk kemi përfundime shumë të dukshme me përjashtim të një sasi pushkësh, mitralozash, dorëzimin e disa dezertorëvet.

Reaksioni me të marrë vesh që filloi operacioni do të jenë larguar në zona të tjera. Forcat janë vënë në ndjekje qoftë në Lumë për kundra Muharremit, qoftë në qarkun e Dibrës.

Image

(Kosova Sot)