Ja si Zogu arriti pakt me SHBA-në për lëvizjen e shqiptarëve

  • 13 prill 2019 - 08:44
Ja si Zogu arriti pakt me SHBA-në për lëvizjen e shqiptarëve

Përplasjet që lindën më 1936 për xhirimin e një filmi

 

6 janar 1930 Sekretari i Shtetit për të dërguarin në Shqipëri Ju informojmë se më 14 dhjetor 1929, Departamenti mori telegrafin për qëndrimin e Shqipërisë në konfliktin rusokinez në Mançuri. Ju instruktojmë t'i jepni ministrit të Jashtëm shqiptar përgjigjen si më poshtë:

"Kam nderin të informoj shkëlqesinë tuaj se morën njoftimin e qeverisë së Shqipërisë me anë të ministrit në Romë dhe jemi të lumtur për mbështetjen tuaj në veprimin e SHBA drejt zgjidhjes paqësore të konfliktit mes Rusisë dhe Kinës. Qeveria amerikane mendon se është bërë tashmë progres në negociatat mes Rusisë dhe Kinës drejt zgjidhjes së diferencave të tyre me mjete paqësore. Pas këtyre zhvillimeve, situata aktuale nuk nevojit të tjera komunikime për tu dërguar te Kina e Rusia".

Sekretari i shtetit: J. P. Cotton Tiranë, 8 mars 1930 Ministri i Jashtëm shqiptar (Fico) për përfaqësuesin amerikan Kam nderin të njoftoj marrjen e letrës suaj të 6 marsit, në lidhje me traktatin e natyralizimit të propozuar nga qeveria e respektuar e SHBA, ku njoftohem se në pritje të mbylljes së Traktatit të qeverisë së SHBA me qeverinë mbretërore të Shqipërisë, një marrëveshje e përkohshme do të hyjë në fuqi,e cila parashikon se personat e lindur në SHBA me prindër shqiptarë, do të ruajnë rezidencën në SHBA dhe mund të vizitojnë Shqipërinë, pa qenë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak apo detyrime të tjera kombëtare. Kam nderin t'ju informoj se Qeveria Mbretërore e pranon propozimin tuaj dhe shton se mirëkuptimi do të ketë natyrë reciproke dhe i aplikueshëm vetëm për persona mbi 18 vjeç që nuk kanë shpallur përkatësi ndaj vendit ku kanë përkatësinë prindërit e tyre. Me respekt, R. Fico.

Uashington, 14 prill 1930 Detajet e marrëveshjes Departament është në përgjithësi dakord me Nenin 1, por sugjeron modifikim të frazeologjisë duke ndryshuar paragrafët e mëposhtëm me paragrafin 3 të nenit 1: "Udhëzimet e mëtejshme të këtij neni, pushojnë që qeni në fuqi kur secila palë e kësaj marrëveshjeje është në gjendje lufte". Departamenti nuk mund të jetë dakord me ndryshimin e sugjeruar të Nenit 3, pasi do të supozonte zgjerim të afatit kohor të ligjit të SHBA dhe do të krijonte rregullin absolut të riatdhesimit. Në lidhje me ndryshimet e sugjeruara në ligjin shqiptar, Departamenti nuk mund të bjerë dakord me faktin se ligjet e këtij vendi japin të drejtën e lirë të riatdhesimit. Për sugjerimin qe Uashingtoni të informojë Shqipërinë mbi ligjin e natyralizimit të qytetarëve, nuk kemi kundërshtime në parim de për këtë kemi informuar Departamentin e Punës, i cili mbikëqyr natyralizimin.

Në lidhje me propozimin e fëmijët minorenë të personave të natyralizuar, Departamenti është dakord me propozimin kryesor por sugjeron modifikim në frazeologjinë e mëposhtme: "Fëmijët minorenë të personave të natyralizuar në secilin vend nuk mund të marrin kombësinë e atij shteti derisa të kenë fituar rezidencën në atë vend". Ju jeni i autorizuar të nënshkruani traktatin sipas instruksioneve të mësipërme. Tirana, 28 gusht 1930 Ambasadori në Shqipëri për Sekretarin e Shtetit Në lidhje me telegramin tim të datës 22 gusht 1930, kam nderin të raportoj se kam marrë letrën e mëposhtme me datë 25 gusht nga ministri i Jashtëm Rauf Fico, ku konfirmohet informacioni që ai më tha verbalist më 21 gusht, mbi propozimin e traktatit të Naturalizimit: "Zoti ambasador, në lidhje me draftin e Traktatit të Naturalizimit që shkëlqesia juaj kishte mirësinë të më dorëzonte dhe në lidhje me bisedat tona mbi çështjen, kam nderin t'ju informoj se Qeveria Mbretërore e Shqipërisë me vullnetin për të plotësuar dëshirat e qeverisë suaj, pranon kushtet e traktatit, përveç Nenit 2 ku propozojmë ndryshimin e mëposhtëm:

"Shtetasit e secilit vend, të cilët janë natyralizuar në territorin e tjetrit, nuk munden pas kthimit në vendin e tyre origjinal, të dënohen për aktin fillestar të emigracionit, apo të dështimin në kryerjen e detyrimit ushtarak, nëse kanë shpallur qëllimin për t'u bërë shtetas të SHBA apo anasjelltas". Duke pasur parasysh faktin se arsyet për këtë ndryshim të rëndësishëm ne ua kemi bërë të ditur verbalist juve, mendojmë se është e panevojshme t'i përsërisim këtu. Me këtë sugjerim, zoti ambasador pranoni vlerësimet e mia më të larta". Por pas disa takimesh me zotin R. Fico dhe kreun e zyrës politike të ministrisë Dimitri Berati, arrita t'i bind për të tërhequr kërkesën e tyre për ndryshimin në informacionin e këmbyer për qytetarët shqiptarë të natyralizuar në SHBA. Unë u shpjegova atyre mangësitë praktike të një propozimi të tillë dhe vështirësitë, sipas udhëzimeve të marra nga telegramet e Departamentit.

Pasi ata më në fund u dorëzuan për këtë pikë, ata sugjeruan që të paktën të shtohet një notë në Traktat ku thuhet se emrat e qytetarëve shqiptarë të natyralizuar në SHBA t'i kalohen qeverisë shqiptare sa herë të jetë e mundur praktikisht. Ata argumentuan se një rekomandim i tillë nuk përbënte detyrim, por do të ndihmonte qeverinë shqiptare në negociatat e traktateve të tilla me vende të tjera. Unë theksova se është më mirë që në Traktat të mos përfshihet asgjë që nuk është thelbësore, e pa-praktikueshme, apo që shtohet thjesht për motive dekorative. Por Berati komentoi se ata po dorëzoheshin për të gjitha pikat e tyre dhe heqja dorë edhe nga kjo do të ishte disfatë e plotë e tyre, dhe unë e sigurova se në krijimin e traktatit nuk ka çështje humbje apo fitoreje për asnjë nga palët.

Unë shtova se qeveria amerikane kërkon traktatin e natyralizimit me qeverinë shqiptare pasi ai i shërben miqësisë deh bashkëpunimit mes të dy vendeve. Më pas Fitso më kërkoi një kopje të tekstit origjinal, si në shqip dhe në anglisht, me pasazhet e korrigjuara sipas autorizimit të Departamentit dhe një kopje të telegram që kisha marrë nga Holmes kur ai ishte i ngarkuar me punë në Shqipëri. I dhashë tekstin zotit Fico, i cili më tha se këshilli i ministrave do të studiojë me kujdes. Unë i përmenda këtë zotit Mehmet Konica i cili foli me Mbretin për ta këshilluar të pranonte traktatin pa ndryshime. Disa ditë para takimit të Këshillit të Ministrave Konica më informoi se Mbreti kishte rekomanduar të Këshilli i Ministrave që traktati të aprovohet pa vonesë. Kur takova zotin Fico në ministrinë Jashtme të enjten, 21 gusht, si ai dhe Berati më informuan për vendimin e Këshillit të Ministrave se traktati ishte pranuar unanimisht, por dëshironin një ndryshim në nenin 2, siç kam raportuar në telegram Nr. 32, më 22 gusht, 1930. Fillimisht ata thanë se mund të pranonin që shqiptarët që bëheshin shtetas amerikanë, pas kthimit në Shqipëri nuk do të dënoheshin për moskryerjen e shërbimit ushtarak. Ata thanë se fraza "pas marrjes së rezidencës bona fide", në Nenin 2, ishte shumë e gjerë dhe e pa përcaktuar. Por pas shpjegimeve të mia ata pranuan të njohin se qytetarët e natyralizuar në SHBA, nuk do të dënohen për kthimit të përkohshëm në Shqipëri, nëse kanë bërë deklarata e tyre zyrtare për t'u bërë shtetas amerikanë. Por zyrtarët shqiptarë insistuan se nuk mund të fusnin në të njëjtën kategori shqiptarët që kishin emigruar në SHBA dhe duhet të kryenin shërbimin ushtarak para se të bënin deklaratën e natyralizimit si amerikan. ata thanë se i konsiderojnë ata si qytetarë të Shqipërisë deri në kohën e deklaratës.

Ministri i Jashtëm tha se nuk do të kishin bërë këto tolerime për asnjë vend tjetër përveç SHBA, pro tha se kërkonin të mbyllnin shpejt traktatin për të treguar vullnetin e tyre të mirë dhe mirënjohjen ndaj SHBA për atë që influenca e Uashingtonit ka bërë për pavarësinë e Shqipërisë. Juaji, Herman Bernstein Tirana, 29 tetor 1936 I dërguari në Shqipëri për Sekretarin e Shtetit Në lidhje me udhëzimet për aktivitetin e zotitS. R. Sozio në Tirana, me adresë 21 Rue de Berri, Paris dhe 4 Dean Street, London, kam nderin të transmetoj një memorandum nga ministri i Jashtëm shqiptar i cili më kërkoi të shpreh indinjatën dhe përçmimin e Mbretit Zog dhe të qeverisë shqiptare për atë që quajti, shkelje të mikpritjes shqiptare nga zoti Sozio për falsifikimet e përfshira në filmin e tij, pasi u largua nga Shqipëria. Ai deklaroi se filmi ishte raportuar nga Gjergj Prifti, konsulli shqiptar në Boston. Përveç raportimit të reagimit të qeverisë shqiptare ai më kërkoi nëse qeveria amerikane mund të ndiqte penalisht apo të vepronte kundër filmit "The March of Time" (Marshimi i Kohës) dhe atyre që falsifikojnë apo shpërndajnë filmin. Unë u përgjigja se pushtetet tona federale nuk përfshijnë çështje të tilla, por nëse dëshironte të ndiqte çështjen duhet të instruktonte ambasadën shqiptare në Uashington për të marrë lejet e nevojshme ligjore për veprim.

Ministri tha se incidenti kishte qenë një mësim i mirë për organizatën turistike shqiptare që kishte bindur qeverinë të lejonte Sozio të filmonte Mbretin, gjeneralin Jocelyn Percy, krye-instruktorin britanik të xhandarmërisë shqiptare e të tjerë. Si rezultat i kësaj asnjë grup amerikan filmi nuk do të lejohet të xhirojë në Shqipëri pa leje nga Legata. Unë u përgjigja se nën rregulla të tilla Legata nuk mund të jepte garanci. Ai tha se kishte shumë vullnet të mirë mes dy vendeve dhe se ishte për të ardhur keq për ndjesinë e ndezur në Shqipëri nga disa producentë të paskrupullt. Un theksova se në Shtetet e Bashkuara qeveria federale nuk ka kontroll mbi produksionin apo shfaqjen e filmave dhe se nuk besoj se agjencitë amerikane bëjnë falsifikime dashakeqe si ato për të cilat ai po akuzonte. Nga burime private di se filmi është shfaqur në disa vendndodhje në SHBA dhe se në një nga skenat e falsifikuara Mbreti Zog shihet duke vëzhguar natën me dylbi një hotel pranë shtëpisë së tij dhe më vonë i telefonon disa klientëve të huaj për të kërkuar të merrte pjesë në lojën e tyre me letra (një histori e kësaj natyre është shfaqur në një publikim amerikan dhe 2 - 3 vjet më parë). Kuptoj gjithashtu se agjencia "March of Time" ka publikuar në Angli foto nga filmi ku shfaqet Gjeneral Percy me një mbishkrim që thotë se po humbet postin si instruktor i xhandarmërisë pasi ajo do të kalojë nën menaxhimin e italianëve, gjë që është e pavërtetë.

Edhe nëse supozojmë se të gjitha akuzat janë të vërteta, e kam të vështirë të besoj se qeveria italiane mund të pranojë shtrembërime të tilla në interes të saj, pasi ajo kërkon mbështetjen e mbretit Zog dhe të qeverisë së ij. Prandaj duket e pamundur që Sozio të ketë falsifikuar filmin e tij (nëse e ka bërë këtë) me nxitjen e autoriteteve italiane. Nëse falsifikimet kanë pasur për qëllim më shumë sesa të qeshurat apo sensacionalizmin e publikut, për këtë duhet kërkuar agjencia prodhuese dhe jo qëllimet e Italisë. Juaji, B. Reath Riggs Uashington, 23 nëntor 1936 Përgjigjja e amerikanëve Nëse e konsideroni të dëshirueshme mund t'i kaloni ministrit shqiptar mesazhin e mëposhtëm, në përgjigje të protestës së Shqipërisë për filmin. "Askush më shumë se unë nuk përçmon shfaqjen e filmave si 'The March of Time' të cilat shkaktuan ofendim për qeverinë dhe popullin shqiptar. Është dëshira e qeverisë amerikane forcimi i marrëdhënieve miqësore që ekzistojnë mes vendeve dhe qeverive tona. Marrëdhëniet e jashtme të SHBA kryhen mbi bazën e respektit për të drejtat dhe ndjeshmëritë e kombeve të tjera.

Prandaj qeveria ime përçmon çdo veprim të qytetarëve të caktuar privatë që shkaktojnë ofendim ndaj popujve të vendeve të tjera. Veprime të tilla që vënë në siklet qeverinë tonë mund të ndodhin nganjëherë për arsye të traditës së lirisë së fjalës dhe shtypit, e cila gëzohet nga çdo qytetar si pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe e garantuar nga kushtetuta. Gjithsesi qeveria shpreh keqardhje që ngjarje të tilla mund të ndikojnë në marrëdhëniet miqësore që bashkojnë popujt e vendeve tona".

(Kosova Sot)