Alfred Papuçiu tregon për Vaçe Zelën, nga vitet e fëmijërisë te takimet në Zvicër

  • 20 April 2019 - 09:27
Alfred Papuçiu tregon për Vaçe Zelën, nga vitet e fëmijërisë te takimet në Zvicër

Mëngjesi i 7 prillit ka qenë gjithmonë i bukur dhe me diell në Bazel, qytet i Zvicrës në kufi me Gjermaninë dhe Francën.

Te kutia e postës në “Burgfelderstrasse 11, 4055, Basel, Suisse” vinin letra dhe kartolina të shumta të tjera nga miq e dashamirës bashkëkombës dhe të huaj që përgëzonin Vaçen tonë kombëtare, me rastin e përvjetorit të lindjes së saj. Mbërrinin edhe gazeta ku shkruhej për të. Bashkëshorti i saj fisnik, Pjetër Rodiqi dhe e bija Irma ia tregonin Vaçes dhe ajo e përmalluar lëshonte disa lot nga sytë e saj të ëmbël.

Telefonat dhe mesazhet këto ditë nuk kishin reshtur, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe nga Diaspora. Zilja e telefonit sapo mbaronte një urim, binte përsëri. Ashtu dua ta kujtoj edhe tani atë artiste të shquar, mikeshë e jona dhe e mijëra bashkatdhetarëve në Zvicër e gjetiu. Ishte e qeshur si gjithmonë, e urtë, tepër e urtë dhe nuk ishte më “zjarr” siç kishte qenë vite më parë, kur ne të gjithë e mbanim mend tek shpërthente kur këndonte këngët e bukura për Atdheun, dashurinë, vendlindjen… Shpesh kam dalë në Parkun Gesendorf, pranë apartamentit tim te “Rruga Lamartinë” në Gjenevë dhe dëgjoj në kasetofonin e vogël këngët e Vaçes.

Mallëngjehem shumë, por edhe ndjej kënaqësi të veçantë. Sidomos për ne në Diasporë që na duket sikur këngët e saj na afrojnë me Atdheun, Shqipërinë. Shpesh bisedoja me të në telefon, apo edhe me bashkëshortin e saj Pjetrin, vajzën Irmën. Vaçja kishte një shëndet të brishtë, por ishte e rrethuar nga njerëzit e saj të afërt dhe nga personeli mjekësor që tregonin një kujdes të veçantë për të.

Kujtimet dhe dëshira e Vaçes për të ardhur në Shqipëri

Kam një kujtim të bukur kur ishim në Bazel dhe me një grup miqsh i uruam 70-vjetorin e ditëlindjes. Kaluam çaste shumë të bukura. Papritur në tarracën tonë zbriti nëpërmjet një kordoni një shishe shampanje. Një komshi që kishte dëgjuar tek këndonim, e kishte kuptuar se ishte një ngjarje e shënuar për zonjën e shtëpisë dhe ai bëri një gjest të tillë për të uruar atë. Shpesh trokiste dera dhe të tjerë sillnin kuti me çokollata. Ata ndoshta nuk e dinin se Vaçja ka qenë dhe mbetet për ne, Shqipërinë, Kosovën pse jo edhe më tej, këngëtarja më e suksesshme, më e çiltra, më e dashura.

Ata kënaqen kur shohin aty lule shumëngjyrëshe, për të cilat kujdeset në mënyrë të veçantë Irma. Ashtu siç kujdeset e motra e Vaçes dhe të afërmit e tjerë për lulet në Tiranë, në apartamentin e saj… Me thjeshtësinë që e karakterizonte dhe me emocion, Vaçja më shprehej se shpresonte që një ditë, kur të ishte me mirë me shëndet, kishte dëshirë të veçantë të ndodhej në Shqipëri, në Lushnjën ku kishte lindur, në Myzeqe, në Kosovë, por edhe në Diasporë për të takuar bashkëkombësit e saj.

Pjetri dhe unë i thoshim se së shpejti do vijë ajo ditë… I thoshja Vaçes se gazetat kanë botuar me dhjetëra faqe për rrugën e saj të gjatë si këngëtare dhe si “Vaçja jonë kombëtare”, ajo mrekullohej dhe më thoshte që të përshëndeten të gjithë lexuesit, me mirënjohjen e saj të thellë për fjalët prekëse dhe vlerësimin për të. Ajo përsëri me modestinë që e karakterizonte shprehej ndër të tjera se gjithçka e ka bërë për t’u dhënë një mesazh artdashësve në Shqipëri, Kosovë, vise dhe Diasporë. E bija, Irma, enkas për ditëlindjen e saj e merrte në një fotografi në sallonin ku e kalonte pjesën më të madhe të kohës.

Takimet me Vaçen, Pjetrin dhe Irmën

Jam takuar edhe herë të tjera me Vaçen, Pjetrin dhe Irmën, edhe në veprimtari midis bashkatdhetarësh, ku ajo na ka nderuar me pjesëmarrjen e saj. Më kujtohet dita e 9 majit 2009, që do te mbetet në kujtesë të mbi 200 shqiptarëve në Zvicër. Legjenda e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela erdhi në Nëshatel, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, përkthyesi i talentuar i disa librave të autorëve zviceranë dhe të huaj, për Shqipërinë dhe Kosovën, Pjetër Rodiqi dhe e bija, Irma Rodiqi, ekonomiste e shquar e Institutit të Statistikave në Bazel të Zvicrës dhe poete.

Po ashtu ajo erdhi edhe në Gjenevë, ku për nder të saj u shfaq edhe një dokumentar i bukur. Aty ishte e pranishme edhe këngëtarja e shquar nga Kosova, Nexhmije Pagarusha. Vaçja dukej se e kishte mposhtur sëmundjen, që e shoqëronte prej vitesh. Ishte hera e parë që Vaçe Zela, “Artiste e Popullit” dhe “Nder i Kombit”, me gjithë gjendjen e saj shëndetësore jo të mirë, mori pjesë në dy aktivitete kulturore. Hyrja e saj në sallën e madhe u prit me ovacione, që vazhduan më tepër se 20 minuta, shoqëruar me tingujt e këngëve të paharruara të perlës së muzikës shqiptare.

E emocionuar, artistja jonë e shquar, por tepër modeste dhe fisnike, pranoi të dalë në fotografi, si kujtim i bukur i kësaj mbrëmje të veçantë, me të gjithë pjesëmarrësit. Tepër e emocionuar, ajo shprehu kënaqësinë e saj me fjalët “sot ju më shtuat jetën time me një dekadë dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore”. “Ju dhe të gjithë bashkëkombësit e mi më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesshëm, që po japin një kontribut të madh për të gëzuar shqiptarët, si dhe për të çuar së bashku më tej, demokracinë e vendosur në Shqipëri”, pohoi këngëtarja e madhe.

Me një modesti të shquar, diva, që mbushi 70 vjet ato ditë të prillit 2009, shtoi se ndoshta nuk e meritonte nderin e madh, duke e cilësuar si “Personalitet të vitit 2009” nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe duke marrë njëkohësisht kënaqësinë e gjithë atyre telefonatave nga Shqipëria, apo Kosova. Dhjetë vite me parë, në orën 11:00 të datës 7 prill 2009 u dëgjua një zë nga larg prej receptorit të telefonit. Ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, që uronte nga zemra Vaçen për 70-vjetorin e lindjes.

Ajo ishte tepër e emocionuar dhe e falënderoi nga zemra kryetarin e shtetit me mirënjohje për kujdesin e tij të veçantë. Ajo mbante pranë mikrofonin e larë në ar, që ishte dhuruar prej tij për këtë ditë feste të madhe. E mrekulluar ajo shikonte pllakatin ku shkruhet “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit.

Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ishte një “letër” në formë papirusi e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu e nënshkruar nga Presidenti dhe Zonja e Parë. Me thjeshtësinë që e karakterizonte dhe me emocion më shprehej se shpreson që një ditë kur të jetë me mirë me shëndet ka dëshirë të veçantë të ndodhet në Shqipëri, në Lushnjën ku ka lindur, në Myzeqe, në Kosovë, por edhe në Diasporë për të takuar bashkëkombësit e saj. Pjetri dhe unë i thamë se së shpejti do vijë ajo ditë… Irma Rodiqi, e bija e Vaçes kujdesej me gjithë dëshirë të fotografonte të ëmën në këtë ditë të shënuar për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të medias në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë.

Vaçja buzëqeshte dhe ishte tepër e lumtur. Ashtu siç buzëqesh në këtë fotografi të freskët, që po ju paraqesim, të Vaçes sonë të mirë. Pranë ka edhe mesazhet e shumta të miqve dhe dashamirësve të saj. Kujtonte me respekt shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili ndër të tjera është shprehur për të: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur. Edhe lashtësinë e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të sotme dhe moderne. Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti vlerat.

Me mjeshtërinë e një këngëtareje të shquar ua rriti dëshirën kompozitorëve për të krijuar këngë dhe ua nxiti zellin në një garë të madhe artistike, ashtu siç hyjnë në garë vrapuesit në një stadium madhështor”. Ndërkohë, zilja e telefonit dëgjohej përsëri. Ai nuk rresht. Çdonjëri donte të uronte Vaçen dhe t’i shprehte mirënjohjen për gjithçka ka dhënë për muzikën popullore dhe të lehtë shqiptare. Ajo nuk e fshehte dot përmallimin dhe me zërin e saj të ëmbël dhe të ulët shpreh me modesti gëzimin e saj. Kujtimet janë të shumta dhe duhen qindra faqe që të shkruhet për to…

Fëmijëria që u plotësua me këngë

Vaçja nisi të këndojë kur kishte ishte vetëm 9 vjeçe. Ishte vetëm 23 vjeç kur fitoi çmimin e parë me këngën “Fëmija e parë” me muzikë të Abdulla Grimçit dhe tekst të Dionis Bubanit. Pastaj, prej vitit 1962 deri më 1980, fitoi 11 herë çmimin e Festivalit të Këngës në Radio dhe Televizionin Shqiptar. Vazhduan më tej titujt që mori, ndër të tjera “Nderi i Kombit”, “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit”, “Disku i Artë” nga SHBA, “Gruaja e vitit ’97-’98” nga Kembrixhi i Britanisë së Madhe, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, “Çmimi i Karrierës”. Vaçja është ndër 500 njerëzit më me influencë në botimin e Institutit Biografik Amerikan etj., etj..

Këto trofe ruhen me kujdes në sallonin e pritjes së Vaçes në Bazel. Vaçja ka kënduar me qindra e qindra këngë shqiptare, por edhe në gjuhën italiane, spanjolle, ruse, rumune, greke etj.. Disa nga këngët e saj më të njohura janë: “Çelu si mimoza”, “Zunë fushat të lulëzojnë”, “Qeshu Myzeqe”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Fëmija i parë”, “Gjyshes”, “Këngët e vendit tim”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “O diell i ri”, “Për Arbërinë”, “Shoqet tona ilegale”, “Shqiponja e lirisë”, “Të lumtur të dua” etj.. Këngët e saj kompozohen nga kompozitorët më të mirë të vendit, ndër të tjerë si Avni Mula, Feim Ibrahimi, Tish Daija, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Baki Kongoli, Agim Prodani, Agim Krajka, Llazar Morcka, Aleksandër Peci, Abdulla Grimci, Luan Zhegu, Aleksandër Lalo, Tonin Harapi, Naim Krasniqi etj..

Autorët e teksteve të këtyre këngëve janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Robert Shvarc, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mark Gurakuqi, Zhuljana Jorganxhi, Gjoke Beci, Adelina Mamaqi, Gjergj Zheji, Kol Jakova, Sulejman Mato.

Repertori i pafundmë i fenomenit Vaçe

I pasur është repertori i Vaçes edhe në interpretimin e këngëve të huaja, ndër të tjera: “Sei stato il primo amore”, “Esperanto”, “Gjinkalla” (ruse), “Na u prish karroca” (rumune), “Gjithë bota je ti” (Greke), “Granada” (spanjolle) e sa e sa të tjera. Kujtonte këngën e kënduar prej saj “Firence stanotte” në Pallatin e Sportit në Milano, kur mori duartrokitje të stuhishme nga publiku italian, apo në turneun në Norvegji kur i kërkuan të këndojë në gjuhën norvegjeze një këngë të tyre dhe ajo shpalosi talentin e saj që ngjalli emocione të shumta.

Vaçja kujtonte me nostalgji kur ishte në Prishtinë vite më parë dhe megjithëse ka kënduar në shumë salla të botës i kishte bërë përshtypje publiku i mrekullueshëm i Kosovës. Përmallohej me këngën “Jetë na dhuruat”, të kënduar nga Naim Krasniqi, me tekst të poetit Ekrem Kryeziu, dedikuar Vaçes në Fest ’98, kur ajo ishte ftuar nga organizatorët, si kryetare e jurisë. “‘Fenomeni Vaçe Zela’, – shkruan prof.dr.Fatmir Hysi,- fenomen që në tërësinë e vet është i pandashëm nga jeta e njëkohshme e shqiptarëve, nga shijet, dëshirat e shpallura e të pashpallura të tyre, nga aspiratat për një jetë shumëdimensionale dhe të ndryshme nga ajo që ofronin ditëpasditet e njëtrajtshme e të kufizuara të kohës…

Myzeqeja, Lushnja, shtëpia e vjetër, çezma e qytetit, Shtëpia e Kulturës, Kinoteatri i Fierit, Tirana, gjimnazi ‘Qemal Stafa’, Estrada e Ushtarit, Estrada e Shtetit, Instituti i Lartë i Arteve, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore – të gjitha këto krijojnë një përfytyrim të saktë, jo vetëm për shkallët e formimit institucional të artistes, por edhe për atë pjesë të jetës shqiptare që për disa dekada me radhë ishte e vetmja shenjë identifikimi artistik ose, thënë më thjesht, ishte i vetmi terren i mundshëm arti, sidomos kënga, arrinin të zhvilloheshin e të afirmoheshin”. …Kur e pyetën kritiken Zana Shuteriqi për mendimin e shprehur prej saj që, e konsideron Vaçe Zelën një Edith Piaf të këngës shqiptare, ajo u përgjigj: “Natyrisht, unë kam pasur parasysh këngëtaren franceze si vlerë kombëtare që arriti me muzikën e lehtë të vendit të saj.

Edhe sot emri i saj përmendet si pikë referimi, edhe pse kanë dalë këngëtarë të rinj. Prandaj, duke parë te Vaçe Zela të njëjtën vlerë historike, si fenomen artistik, dhe po atë glorifikim të personalitetit të saj, e kam konsideruar këngëtaren tonë si një Edith Piaf të muzikës shqiptare”. Ndërsa as.prof. Nexhat A. Agolli, që ka bërë një punë të shkëlqyer me monografinë e tij me titull “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare” ndër të tjera shprehet: “Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret më në zë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, e cila pushtoi skenën shqiptare: fillimisht me këngën popullore dhe, krahas saj, në vazhdimësi, edhe me këngën e muzikës së lehtë. Në të dy këto zhanre muzikore, ajo arriti një kulm që nuk do të shlyhet nga kujtesa artistike.

Një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj aq të ngrohtë e të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën, adoleshente dhe në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve, nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e pangjashme me atë të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thosha kozmike. Në kufijtë e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të magjishëm”.

“Interpetim brilant”, “talent i lindur”, “vokal i shkëlqyer”, “Këngëtare e rrallë”, “mahnitëse” janë disa nga vlerësimet për interpretimin artistik të Vaçe Zelës… Një pasdite ajo hapi letrat e shumta që merrte çdo ditë. Ishin letra edhe nga njerëz të panjohur që shprehnin çiltër ato që ndjejnë kur dëgjojnë akoma këngët e saj të regjistruara. Takimet me njerëzit janë emocionuese, direkte dhe të sinqerta për Vaçen. Një personalitet i tillë shumë i respektuar, fliste me modesti për veten, e më tepër flet për të tjerët. Ato shpesh përmbajnë një rrëfim, duke pasur parasysh klimën e intimitetit që krijohet nga vetë ajo, besimit, duke i lënë shpesh përgjegjësinë intervistuesit, pa dashur të rishikojë përsëri tekstin që ai ka shkruar. Shpesh, fjalët e Pjetrit dhe Irmës japin mundësi të thellohesh më tepër në personalitetin e pasur dhe kompleks të këngëtares sonë të shquar. Megjithëse ishte e rrethuar nga bashkëshorti, e bija dhe të afërm që i kishin ardhur me rastin e 70-vjetorit të lindjes, ajo shprehej me mall për vendlindjen. Ka tre vëllezër dhe dy motra që jetojnë në Tiranë. Ajo ka qenë e lidhur shumë me familjen. Ishte më e madhja dhe gjithmonë ka pasur dëshirë t’i kishte pranë ata. Dhe ashtu i mbajti deri sa jetoi në Shqipëri…

Shprehej me emocion dhe mirënjohje për shpalljen e saj si “Personaliteti i vitit 2009”, bashkë me poetin Lasgush Poradeci dhe skulptorin Odhise Paskali. Për çdo 28 Nëntor, flamuri shqiptar shpalosej në shtëpinë e këngëtares sonë me zemër të madhe në Bazel. Ashtu siç valëvitej ai me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Me këto kremtime tashmë ishin mësuar edhe fqinjët zviceranë, të cilët vinin dhe e uronin familjen e saj. Ashtu siç admironin ata dhe ne lulet e saj të shumta dhe shumëngjyrëshe, pasioni i hershëm qysh në vogëli, por edhe më vonë në Tiranë e në Bazel.

Në Bazel të Zvicrës, fotografia e Vaçes qëndron e varur në mur, me buzëqeshjen e saj karakteristike. Ndoshta, në një ditë të afërme, këto fjalët tona, do t’i mbledhim së bashku në një libër-kujtim për t’ua lënë brezave të ardhshëm për të mos harruar kurrë Vaçen me zërin e saj të ëmbël, që ka ngritur peshë artdashësit në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Dhe fotografinë e saj do ta ruajmë si një ikonë, ashtu siç i kanë ruajtur breza të tërë…

(Kosova Sot)