Ja si Mid’hat Frashëri e Sali Myftija kërkonin nga SHBA-ja që të mos njihej qeveria e Hoxhës më 1945

  • 30 April 2019 - 08:15
Ja si Mid’hat Frashëri e Sali Myftija kërkonin nga SHBA-ja që të mos njihej qeveria e Hoxhës më 1945

 E akuzonin se mori me dhunë pushtetin

 Memorandumi i ambasadës britanike më 12 janar 1945, shprehu bashkërendimin e pikëpamjeve të saj me ato të Departamentit të Shtetit në lidhje me refuzimin e kërkesës së njohjes së qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, deri në datën më të hershme të vendosjes së kontakteve me autoritetet ekzistuese në vend dhe plotësimin e disa kushteve themelore nga ana e tyre

Amerikanët kanë zbardhur një letër që Mid’hat Frashëri i ka dërguar Uashingtonit, ku kërkonte që të mos njihej qeveria e Enver Hoxhës në vitin 1945. Po ashtu, tregohet se si Hoxha refuzonte të pranonte ndihmat humanitare dhe dëgjonte vetëm Titon.

Uashington, 15 janar 1945

Sekretari i Shtetit për Alexander G. Kirk, këshilltari i forcave aleate: Zyrtarët amerikanë të OSS kanë diskutuar me Departamentin për dëshirën e dërgimit të përfaqësuesve politikë e financiarë me qeverinë e përkohshme të Shqipërisë dhe kanë sinjalizuar se operacionet do të ishin më të thjeshta nëse autoriteteve shqiptare do u jepej një përgjigje, qoftë edhe negative për njohjen. Departamenti po informon shërbimin e jashtëm OSS se pozita e tij mbi çështjen është si më poshtë: Megjithëse kemi ruajtur vazhdimisht një qasje miqësore ndaj Shqipërisë, të cilën e kemi konsideruar viktimë agresioni e cila po rivendos pavarësinë e saj, mungesa e marrëdhënieve zyrtare e bën të vështirë të vendosim të dërgojmë përfaqësues shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Ne nuk shikojmë nevojën që përfaqësuesit shqiptarë të vijnë në SHBA. Sidoqoftë supozohet se arsyet e frontit partizan shqiptar për të dërguar përfaqësues këtu tani janë eliminuar tani që forcat gjermanë janë larguar nga vendi. Prandaj ne nuk do të marrim asnjë veprim përveç rastit kur çështja ngrihet nga autoritetet tona ushtarake. Gjithashtu ne nuk e shikojmë në mënyrë të favorshme propozimin shqiptar pasi nga ana financiare pasi sipas konsideratave politike duhet të presin deri në qartësimin e marrëveshjes mes forcave aleate me qeverinë e Shqipërisë.

16 janar, 1945

Alexander C. Kirk, për sekretarin e shtetit: Maclean ka informuar zyrën britanike për një bisedë të gjatë që ka pasur me Titon në 12 janar. Tito i tha atij qartë se nuk ishte në favor të një federate jugosllavo-Bullgaor-shqiptare. Ai shtoi se marrëdhëniet me Bullgarinë janë përmirësuar muajt e fundit por gjithsesi do të duhet ca kohë që popullsia jugosllave të harrojë sjelljen e tmerrshme të bullgarëve gjatë 3 viteve të fundit. Tito tha se do të bënte gjithçka për thellimin e lidhjeve mes Jugosllavisë e Bullgarisë por nuk kishte ndërmend të kërkonte një federatë për momentin. Ai shihte shumë më tepër mundësinë e një federate me Shqipërinë. Tito komentoi gjatë bisedës me Maclean se ishte thjesht natyrale që Bullgaria e Shqipëria të shihnin nga Jugosllavia për udhëheqje dhe asistencë për zgjidhjen e problemeve të tyre.

...Hoxha ka refuzuar ndihmat dhe planin tonë përveç rastit të dërgimit të ndihmave me një numër minimal vëzhguesish. Përfaqësuesit tanë do të qëndrojnë në Tiranë disa ditë më shumë me shpresën se këshilltarët e Hoxhës do të ndryshojnë mendjen e tij, por shpresat për këtë janë të pakta. Macmillan tha dje se i kishte rekomanduar Zyrës së Jashtme britanike se Hoxha nuk duhet të vihet nën presion për çështjen e ndihmave apo të tjera për momentin, deri në arritje e një marrëveshjeje me Titon, pasi Hoxha do të veprojë sipas udhëzimeve të kreut jugosllav. Macmillan tha gjithashtu se nuk shihte asnjë arsye për të nxitur pranimin e ndihmave në Shqipëri pasi ndihma të tilla mund të përdoreshin me shumë avantazh ne vende të tjera dhe se nuk ishte mirë të tregonim interes të veçantë për kalimin e ndihmave në Shqipëri pasi herët e vonë Hoxha do t’i kërkonte vetë. Ndërkohë, populli shqiptar, shumica e të cilëve kanë vuajtur shumë gjatë luftës me gjermanët në vendin e tyre, po u refuzohen ndihmat. Departamenti sigurisht është në dijeni se një dërgesë e vogël ndihmash është dërguar në Split në Jugoslavi.

19 Janar 1945

Alexander C. Kirk, për sekretarin e shtetit: Letra e mëposhtme e nënshkruar nga Mid’hat Frashëri e Sali Myftija i drejtohet sekretarit të shtetit, për t’i kërkuar qeverisë sonë të mos njohë qeverinë ekzistuese në Shqipëri: “Kemi mësuar se Enver Hoxha, kreu i të ashtuquajturës qeveri në Tiranë, ka kërkuar njohjen nga forcat Aleate. Qeveritë e tre vendeve të mëdha demokratike kanë thënë se në asnjë mënyrë një parti nuk do të lejohet të imponojë me forcë vullnetin e saj ndaj partive të tjera në lidhje me regjimin. Sot nëse çështja do të trajtohej në mënyrë objektive, duket qartë se regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri është komunist, dhe është vendosur ndaj popullit jo vetëm me forcë, por me terrorizëm të pastër. Këshilli Nacional Çlirimtar nuk ka qenë i vetmi front rezistence në Shqipëri kundër pushtuesve, prandaj ai nuk përfaqëson vullnetin e lirë të popullit dhe nuk duhet të konsiderohet si i tillë. Karakteri komunist i administratës së Enver Hoxhës manifestohet qartë nga deklaratat e tyre publike ku pretendojnë se kanë përfaqësuesit e popullit. Izolimi në të cilin Shqipëria e gjen veten si dhe mungesa e komunikimit me botën e jashtme e bëjnë të pamundur që vullneti i lirë i popullit të njihet, or fakti është se pjesë të mëdha të popullsisë po rezistojnë dhe po luftojnë imponimin arbitrar të regjimit komunist në vendin tonë. Rezistenca kundër regjimit të sotëm është si aktive dhe pasive. Duke marrë këtë në konsideratë, ne nuk mund të besojmë se qeveritë e vendeve Aleate do të tolerojnë që në Shqipëri të dominojë një parti e vetme komuniste anti-demokratike. Prandaj ne i lutemi qeverisë së SHBA që deri në kuptimin e plotë të situatës të mos merret asnjë masë për njohjen e regjimit aktual terrorist në Shqipëri pasi do të shtonte masakrat në vendin tonë. Telegrame të ngjashme i kemi dërguar shkëlqesive të tyre, ministrave të jashtëm të Britanisë dhe BRSS.

Me respekt, nga Balli Kombëtar: Mid’hat Frashëri

Nga organizata ‘Legaliteti’: Sali Myftija

Departamenti i Shtetit për ambasadën britanike

Memorandumi i ambasadës britanike më 12 janar, 1945, shprehu bashkërendimin e pikëpamjeve të saj me ato të Departamentit të Shtetit në lidhje me refuzimin e kërkesës së njohjes së qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, deri në datën më të hershme të vendosjes së kontakteve me autoritetet ekzistuese në vend dhe plotësimin e disa kushteve themelore nga ana e tyre. Qeveria britanike ka vendosur të akreditojë një mision ushtarak me udhëheqjen shqiptare për periudhën para njohjes së qeverisë së saj dhe kërkon informacion për planet e Departamentit të shtetit për kontaktet e tyre me autoritetet shqiptare gjatë kësaj periudhe. Departamenti beson se është e këshillueshme dërgimi i trupave në Shqipëri dhe i një përfaqësuesi amerikan në rang ambasadori për vendosjen paraprake të lidhjeve de facto me autoritetet në kontroll, duke lënë për më vonë çështjen e njohjes de jure sipas rrethanave që do të paraqiten. Departamenti kërkon dërgimin e përfaqësuesve informalë, jozyrtarë për vëzhgimin e situatës politike dhe kushteve të përgjithshme për të përcaktuar kushtet e vendosjes së përfaqësuesve zyrtarë në Tiranë. Departamenti do të informojë ambasadën për marrëveshje të mëtejshme në këtë aspekt.

26 Janar 1945

Alexander C. Kirk, për sekretarin e shtetit: Si rezultat i ngërçit për dërgimin e ndihmave në SHqipëri, është kërkuar në një takim të djeshëm që Gjeneral Sadler të kërkojë te shefat ushtarakë modifikimin e qëndrimeve për të lejuar negocimin e një marrëveshjeje mes përfaqësuesve tanë dhe atyre të Hoxhës, të ngjashme me atë që arritën me Titon. Besohet se së shpejti Hoxha dot kontaktojë me ne për ndihmat dhe mund t’i pranojë ato nëse shoqërohen me rreth 200 oficerë vëzhgues të të gjitha gradave, në krahasim me 1200 që u kërkuan fillimisht. Negocimi i një marrëveshjeje ushtarake me Hoxhën sigurisht nënkupton se ai dhe forcat e tij janë në kontroll të vendit aktualisht. Do të vlerësohej nëse departamenti na informon urgjentisht në lidhej me propozimin

-në 11 prill 1945, u nënshkrua një marrëveshje për ndihmat në Shqipëri mes komandantit Aleat të Mesdheut, dhe gjeneral Hoxha. Kjo kontratë u mbyll në 23 qershor 1945 dhe nuk u rinovua. Operacionet e ndihmave u mbyllën në 30 dhe stafi ynë u largua nga Shqipëria më 5 qershor. Mes 18 prillit dhe 5 korrikut, në SHqipëri u dërguan 9, 150 ton furnizime:

-334 mjete transporti, 9 ambulanca e 24 traktorë bujqësorë

- Telegrami i 30 janarit në Caserta, thotë si më poshtë: “Duket se nuk ka pengesa në nënshkrimin e një marrveshjeje me Hoxhën të ngjashme me marrëveshjen e arritur me Titon. Marrëveshje është vetëm e natyrës ushtarake dhe nuk nënkupton njohje të autoriteteve ekzistuese si qeveri e përkohshme e Shqipërisë.

Uashington, 26 janar 1945

Sekretari shtetit për Alexander C. Kirk: Departamenti është i opinionit se ndihmat amerikane nuk duhet të dërgohen në Shqipëri pa u arritur një marrëveshje mbi numrin minimal të vëzhguesve. Departamenti pranon pozitën e mbajtur nga Macmillan edhe pse besojmë se duhet bërë e qartë për Hoxhën se jemi të gatshëm të sjellim menjëherë ndihmat nëse ai pranon një numër të arsyeshëm vëzhguesish. Është e mundur gjithashtu që një zgjidhje e kënaqshme e negociatave jugosllave të influencojë në vendimin e tij. Departamenti konsideron se 50 deri në 100 vëzhgues konsiderohet një numër i arsyeshëm dhe se diskutimet nuk bazohen më në numrin e madh të personelit ushtarak që mendohej në dhjetor 1944.

Uashington, 31 janar 1945

Sekretari i shtetit për Alexander C. Kirk: Megjithëse Departamenti nuk dëshiron të japë një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës shqiptare për njohje, ju jeni i autorizuar të njoftoni në mënyrë informale Kadri Hoxhës se kërkesa e adresuar për presidentin e SHBA nga regjimi i Enver Hoxhës është marrë në Uashington. Ju duhet të thoni se për momentin nuk mund të jepet njohja për qeverinë e Shqipërisë pasi duhet të kryhen hapat formale për informim mbi situatën politike në Shqipëri. Ju mund t’i kujtoni Hoxhës se kjo është procedura standarde e Shteteve të Bashkuara. Si direktivë ju duhet të kujtoni bisedën ku presidenti ka thënë: “Gjatë periudhës së tranzicionit, deri sa kushtet të lejojnë një shprehje të qartë të vullnetit të popullit, siç është detyrë e të gjitha vendeve aleate, ne duhet të përdorim influencën tonë që çdo autoritetet i përkohshëm në vendet e çliruara të mos arrijë të ndalojë shprehjen e vullnetit të lirë të popullit të tyre për zgjedhjen e qeverisë, institucioneve apo mënyrës së jetesës”. Ju më tej duhet të thoni se qeveria juaj do të dërgojë së shpejti përfaqësuesit e saj në Shqipëri në formë informale që janë të nevojshme për periudhën e tranzicionit. Ne supozojmë se autoritetet shqiptare do të bashkëpunojnë për kryerjen e këtyre funksioneve. Për informacionin tuaj, Departamenti nuk dëshiron të dërgojë Jacobs në Shqipëri deri sa të sigurohet se kushtet dhe mendësia atje janë të përshtatshme për prezencën e një amerikani. Ne jo vetëm që duam të evitojmë komplikime të situatës por vajtja e Jacobs në Shqipëri do t’i jepte një pamje zyrtare kontakteve dhe për momentin nuk e dëshirojmë këtë. Prandaj tani dëshirojmë që Hoxha të pranojë marrëveshjen e përshkruar dhe oficeri britanik të shkojë në Shqipëri për mbikëqyrjen e situatës. Ne do të kujdesemi që ky oficer të shoqërohet nga Fultz, Hoffmann e Stevens,të cilët do të jenë pjesë e stafit të përhershëm në Tirana. ( sot news)

(Kosova Sot)