Rrëfimi i ish-truprojës së Enver Hoxhës: Si e shpëtuam nga zbuluesi gjerman. Çfarë ndodhi në Helmës, ngjarja që desh na kushtoi…

  • 15 May 2019 - 20:17
Rrëfimi i ish-truprojës së Enver Hoxhës: Si e shpëtuam nga zbuluesi gjerman. Çfarë ndodhi në Helmës, ngjarja që desh na kushtoi…

Robi gjerman që ruanim në kasollen e gomarit, ngjitur me shtëpinë ku qëndronte Shtabi i Përgjithshëm, një moment pakujdesie na shpëtoi nga duart dhe shkoi të vriste Enverin në zyrë.

Ngjarja që vijon në kujtimet e Hajredin Meçajt, ish-truprojës së Enverit në vitet e Luftës, nuk është krejt e panjohur. Është cekur diku shkarazi në tekstin zyrtar të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të viteve ’60, ka folur për të ndonjëri nga ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, madje diku e përmend spontanisht edhe Enveri në kujtimet e veta, por në të gjitha këto raste, ngjarja vjen e cunguar, pa zbërthyer në detaje rrethanat në të cilat ka ndodhur dhe biografinë e robit gjerman, që ato ditë prilli të vitit ’44 dergjej në kasollen e gomarit të pronarit të shtëpisë, ku qëndronte e punonte Shtabi i Luftës.

Meçaj, duke sjellë një kronikë të plotë të ngjarjes, tregon se “mysafiri” nga Gjermania kishte mbërritur aty bashkë me një shtetas me origjinë çeke, pasi ishin kapur nga partizanët në zonën e Vlorës. Ai rrëfen çastet e hetimeve që drejtoheshin drejtpërdrejt nga Enveri dhe pjesëtarët e tjerë të Shtabit, si dhe këmbënguljen e këtyre të fundit për të pohuar misionin e vërtetë të tyre. Truproja i Enverit kujton se pas hetimeve intensive, robi çek u dënua me pushkatim nga gjyqi partizan i zhvilluar në Helmës, ndërkohë që me zbuluesin gjerman punohej orë e çast për të përfituar ndonjë informacion të rëndësishëm. Mirëpo ndodhi ajo që ndodhi,- kujton Meçaj,- duke pasqyruar çast pas çasti episodin e atentatit ndaj Enverit, që mbeti në tentativë…

 

Hajredin Meçaj

Image
Hajredin Mecaj

NË HELMËS, NGJARJA QË DESH NA KUSHTOI SHTRENJTË

Hetimet për ushtarakun gjerman i drejtonte vetë Enveri. Me orë të zgjatura, intensivisht ai pyetej e pyetej. Porosia e Enver Hoxhës ishte tepër e rreptë: asnjë lëshim oficerit gjerman. “Është zbulues shumë i rrezikshëm. Duhet ta ruani edhe nga vetëvrasja se na prishet shumë punë”. Dhe ne oficerin gjerman e lidhëm me hekura gjermane, për këmbësh e duarsh.. Në një grazhd kuajsh e kishim mbyllur dhe e ruanim me shumë kujdes. Diçka për të qeshur: brenda në grazhd ishte edhe gomari i xha Novruzit, me të cilin kishim gjetur belanë se nuk na linte rehat. Me oficerin gjerman bisedonte veçanërisht Mustafa Gjinishi, mbasi dinte edhe gjuhën gjermane. Mustafait, robi i ankohej vazhdimisht dhe ai na porosiste që ta zgjidhnim dhe t’i jepnim edhe ushqim vazhdimisht.

Iu përgjigjëm se urdhri i Enverit është që të sigurohet, mbasi është shumë i rrezikshëm. “Nuk ju ka thënë Enveri që ta lidhni bashkë me gomarët”, na foli me inat. I thashë: “Kaq dhe e ka shumë, se të ishte për mua, s’e mbaja asnjë minutë të gjallë, i kisha dhënë plumbin me kohë”. Më pa me inat. E vërteta është se ne e respektonim dhe i bindeshim urdhrave të Mustafa Gjinishit, por në këtë rast urdhri ishte drejtpërdrejtë nga “Tarasi”. Kaq mjaftonte për ta kundërshtuar Mustafain. Një mbasdite vonë më thirri Enveri. Më thotë, të merrnim oficerin gjerman dhe ta çonim në një grazhd bosh, i cili ishte aty afër në anë të fshatit. “Do të merrni dhe dy fenerë, kini kujdes se do t’ju iki”, porositi ai. E morëm oficerin dhe e lidhëm me duar mbrapa me hekura. E çuam në vendin e caktuar. Mbas nesh erdhi “Tarasi”, Ali Gostivari (Miladin Popoviçi), Baca (Ramadan Çitaku) dhe Saliu (Dushan Mugosha). Filluan pyetjet. Mugosha përkthente.

 

Të pranishëm nga partizanët ishin Karafil Kapo, Niko Dollaku dhe unë. Ne ishim në gatishmëri për çdo rast dhe dëgjonim përkthimin. Aty mësuam se edhe qytetari me origjinë çeke, edhe vetë oficeri nuk ishin dezertorë, por zbulues. Dëgjuam shpjegimet e oficerit dhe u shqetësuam kur dëgjuam qëllimet e tij ogurzeza ndaj drejtuesve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Hetuesia vazhdoi deri vonë. E kthyem prapë në grazhdin e xha Novruzit. Porosia tashmë ishte tepër e rreptë: Nuk duhej ta zgjidhnim, edhe ushqimin duhej t’ia jepnim ashtu duarlidhur. Po ajo që na çuditi më shumë ishte porosia e prerë e Enver Hoxhës: “Askush nuk do të bisedonte me oficerin gjerman. “Veçanërisht Mustafa Gjinishin nuk do ta lejoni të bisedojë. Qartë?!” Natyrisht që për ne ishte urdhër i padiskutueshëm.

Por ngjarjet rrodhën jashtë parashikimeve tona dhe për pak nga neglizhenca jonë, mund të kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Oficerin gjerman e lidhëm mirë e mirë dhe e lamë të qetësohej. Deri nga ora 24:00 shërbimin e kisha unë. Në këtë orë erdhi Qazim Mali. E pa robin, e kontrolloi në ishte i lidhur mirë apo jo dhe unë edhe një herë ia përsërita porositë e “Tarasit”. Oficeri gjerman na kishte mësuar mirë emrat e mbiemrat gjatë kohës që ishte i lirë dhe në përgjithësi na fliste në emër. Sa e pata unë shërbimin, nuk më foli me gojë. Rrinte i heshtur e i menduar.

Duhet thënë se Qazimi nuk asistoi në hetuesinë e tij dhe nuk dinte hollësira nga pohimet e tij. Qazimi ishte natyrë e butë, i qetë, besonte shumë. Me sa duket, oficeri gjerman na kishte psikologjisur mirë. Afër mëngjesit i flet Qazimit në emër. “Më zgjidh, – i tha, – dhe më shpjer për nevoja personale”. E kishte studiuar mirë vendin, ai e dinte ku flinte Enver Hoxha mbasi ishte marrë disa ditë me radhë në pyetje edhe nga vetë shoku Enver në zyrën e tij, të cilën e përdorte edhe për të fjetur. Ai e kishte zbuluar se kush ishte udhëheqësi kryesor.

Në katin e dytë ishte tualeti i vetëm. Dhe Qazimi, mbasi ia zgjidhi duart e këmbët, me mendjelehtësi e dërgoi pikërisht atje, afër dhomës ku flinte Enver Hoxha dhe një pjesë e Shtabit. Në korridor ndodhej një katruve e madhe me ujë. Një fener rrinte vazhdimisht i ndezur. Aty ishte një tavolinë dhe një makinë shkrimi. Mbi të, në mur, rrinte varur një automatik anglez. Dera ku flinin shokët e Shtabit ndodhej përballë tavolinës. Gjermani i zgjidhur tashmë u fut në tualet. Qazimi qëndronte në korridor e priste daljen e tij me një pushkë në dorë. Po fillonte të zbardhej. Oficeri gjerman doli nga tualeti dhe i tha Qazimit: “Ndihmomë të pi ujë, se s’kam fuqi ta ngre vetë enën”. Qazimi nuk e lëshoi pushkën për të ngritur katruven, por me njërën dorë rroku enën me ujë. Oficeri gjerman e kapi katruven nga veriget anësore dhe e ngriti drejt fytyrës. Kur e ngriti me ndihmën e Qazimit deri në lartësinë e fytyrës, ia përplasi me forcë në gjoks dhe iu hodh t’i rrëmbente pushkën. Gjermani ishte shumë i lodhur nga hetuesia e gjatë.

Ai vërtet ishte i fortë, i gjatë 1.80 cm, i stërvitur për përleshje, por në këtë rast e kishin lënë fuqitë. Duke u kacafytur me Qazimin, gjermani vuri re automatikun e varur në mur. E lëshoi Qazimin dhe u sul e mori atë, duke ia dhënë me breshëri drejt Qazimit, i cili ra barkas në korridor. Oficeri mendoi se e vrau dhe u lëshua drejt derës ku flinte Enver Hoxha. Dera ishte e mbyllur. U mundua ta hapte derën duke i rënë me shqelma, por ndërkohë Qazimi u ngrit në këmbë. Ky i fundit s’dinte ç’të bënte, të qëllonte me armë kishte rrezik të vriste ndonjërin prej shokëve që ishin brenda në dhomë, mbasi gjermani ishte mbështetur te dera.

Në këtë kohë, roja që shërbente në oborr dha sinjalin e alarmit. Kishim vënë një rregull që, rojet për asnjë arsye nuk duhej ta linin vendin e rojës. Dolëm menjëherë. Pyetëm rojën se ç’kishte ndodhur. Ai na shpjegoi se në katin e dytë ka shkuar Qazimi me oficerin gjerman. “Dëgjova një breshëri automatiku”, na tha ai. U ngjitëm me shpejtësi, me armët gati. Kur po ngjitnim shkallët, dëgjuam një krismë të vetme. Sapo u futëm në korridor, pamë oficerin gjerman të mbështetur në tavolinën e korridorit. Automatikun e mbante në dorë, e shtrëngonte fort. Dyshemeja ishte plot gjak. Qazimi qëndronte pranë tij në këmbë, pushkën e kishte në gatishmëri. Pyetëm Qazimin nëse ishte bërë ndonjë dëm. Tha se nuk dinte gjë. Gjermani ishte qëlluar drejt e në gojë e gjaku i rridhte çurg. Me pistoletë i dhashë dy-tre plumba dhe ai u plandos në dysheme. Tashmë ishte gdhirë plotësisht. Dolëm në oborr. Nga dritarja e dhomës në katin e dytë dikush pyeti: “Ç’ka ngjarë?” Ndërkohë doli në dritare edhe Enver Hoxha. Na tha të ngjiteshim në katin e dytë. Pyeti dhe ne i shpjeguam ngjarjen, aq sa dinim në ato çaste. “Si ishte urdhri?”, më pyeti mua. Nuk isha në gjendje t’i ktheja përgjigje.

Nuk doja të rëndoja Qazimin, duke i thënë se ia kisha transmetuar porosinë e tij. I kërkuam leje Enver Hoxhës për të dhënë shpjegime pak më vonë, mbasi ishim të tronditur. “Mirë, – më tha, merreni atë gjermanin dhe varroseni. U flisni disa grave të lajnë gjakun. Më vonë do bisedojmë”. Dola dhe lajmërova nënë Nurien, e cila ishte e zonja e shtëpisë, një grua shumë e mirë. Ajo mori dhe dy shoqe të tjera dhe erdhi menjëherë. Kur panë gjermanin të shtrirë, u shqetësuan shumë. Mbas dy orëve shkuam tek Enveri. Ne tashmë e kishim biseduar me Qazimin. “Shokut Taras do t’i themi të vërtetën”, – i thashë. “Po”, – më tha. Shkuam në dhomën e punës së Enverit. Këtu gjetëm dhe Miladinin dhe Ramadan Çitakun. Enveri m’u drejtua mua: “Çfarë urdhri të dhashë mbrëmë?” Iu përgjigja saktësisht. “E zbatove?” – më tha. “Po”, – i thashë. I tregova se deri në orën 24 e kisha unë shërbimin dhe mandej ia dorëzova Qazimit. “Porositë tuaja ia dhashë edhe atij”. Me Qazimin Enver Hoxha nuk foli fare. E pa që ishte shumë i tronditur.

Për të na qetësuar, na u drejtua të dyve: “Ne ju kemi mbledhur me kokrra misri, si djem trima e besnikë. Për ju dhe ne është turp që të vijë një gjerman nga ana e dynjasë, në zemrën e maleve të Shqipërisë, dhe të bëjë atentat. Lufta jonë nuk humbet se u vrava unë apo ndonjë tjetër, por mendoni propagandën e armikut, se ç’dëm do i sillnim Luftës. Megjithatë ju e kryet detyrën”, – përfundoi dhe na hodhi dorën në qafë të dyve. U ngritëm që të dy dhe dolëm gati me lot në sy. Kaloi një ngjarje tronditëse. Askush nga ne nuk donte ta kujtonte. Një ditë plot diell Enveri doli në oborr dhe na tha që të lajmëronim edhe Omer Nishanin, i cili banonte në shtëpinë e Mehmet Myslymit. Doktori, ashtu siç e kishte zakon, me një respekt të pakufishëm, sapo erdhi, i tha: “Më kërkove Enver djali?”

Kështu i fliste ai gjithnjë shokut Enver. Madje, neve nga doktori e kishim mësuar emrin e vërtetë të Enver Hoxhës, se të gjithë e thërrisnim me pseudonimin “Taras”. “Të thirra të kalojmë disa minuta se qenka një diell i ngrohtë sot”. Enveri, kur ishte në humor, kishte qejf të këndonte labçe. I tha doktorit: “Merre atë këngën tënde”. Doktori këndonte gjithnjë këngën: “Vita, ta kamte lloine / qysh do shkosh me djemtë jetimë”. Ia mori doktori dhe shoku Enver ia kthente, ndërsa ne të tjerët mbanim iso. Pas kësaj, Enveri i tha doktorit: “Merre atë këngën e Balilit”. Doktori ia mori: “Në qafë të Peshkopisë / lufton i biri Xhixhisë / me taborët e Rumelisë” …

MBLEDHJA E KOMITETIT QENDROR PËR TEZAT E KONGRESIT TË PËRMETIT

Në ditët e para të prillit të vitit 1944, në zyrën e Enverit u organizua një mbledhje e Komitetit Qendror të Partisë. Partizanët e shërbimit rrinin në korridor, por gjithçka thuhej brenda, dëgjohej edhe nga ne. Në këtë mbledhje, Enveri hodhi tezat e Kongresit të Përmetit. Mesa duket, Liri Gega nuk ishte dakord për kalimin e divizioneve partizane në veri të vendit. Enveri i tha: “Ju, shoqja Liri, shikoni sa u lejon hunda. Ushtria jonë duhet të kalojë medoemos në ofensivë në veri dhe nuk do të shkatërrohet si thua ti. Ajo do të shtohet e do të forcohet më shumë. Populli i Veriut do t’i presë mirë partizanët. Po të qëndrojmë si thua ti, në difensivë, realizojmë qëllimin e pseudoaleatëve dhe reaksionit në Veri. Ata, atë duan që të kenë Shqipërinë e Veriut se nga Shqipëria e Jugut kanë larë duart. Pra, ata duan ta ndajnë Shqipërinë”. Pas kësaj, nuk ia dëgjova më zërin Liri Gegës, të cilën unë e njihja që nga Vlora. Atje ajo bënte ligjin. (Kosova Sot Online)