Rrëfehet djali i Teme Sejkos, zyrtarit të lartë që ekzekutoi Enveri: Llahtari, nuk e kuptoj akoma ç’kishin me ne

  • 23 June 2019 - 10:41
Rrëfehet djali i Teme Sejkos, zyrtarit të lartë që ekzekutoi Enveri: Llahtari, nuk e kuptoj akoma ç’kishin me ne

Një ish-i përndjekur politik i komunizmit që sot jeton në Nju Jork mundi të shohë për herë të parë dokumente që dikur ishin pjesë e arkivit të Sigurimit të Shtetit.

Ai është Rajmond Sejko, i biri i një ish-zyrtari të lartë të Marinës, që u ekzekutua nga Enver Hoxha në vitin 1961. I ati, Teme Sejko, akuzohej si drejtues i një grupi pro-sovjetik që planifikonte grusht shteti kundër Hoxhës dhe si i lidhur me Flotën e Gjashtë amerikane. Ekzekutimi i tij i dhunshëm solli tragjedi të tjera për familjen. I vëllai i Rajmondit u pushkatua ndërsa e ëma kreu vetvrasje. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork, ku zoti Rajmond Sejko mori në dorëzim dokumentet e dosjes së tij.

“Asnjëherë nuk e kisha menduar se një ditë do t’i kisha këtu në dorë, dhe sidomos fletoret që ka shkruar mamaja”, thotë zoti Sejko.

Rajmond Sejko, i mbijetuari i vetëm i një familjeje që e ndoqi tragjedia, mori në dorëzim nga Autoriteti i Dosjeve qindra faqe dokumente. Mes tyre janë shumë fletore me shënime që ka lënë e ëma, Shpresa Sejko.

“Në këto ditare që ka mbajtur në këto fletore, ajo ka shpjeguar në mënyrë të detajuar tragjedinë që i ka ndodhur kësaj familjeje dhe në një farë mënyre ka paralajmëruar aktin e saj që ka ndërmarrë, duke u vetvrarë,” thotë Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti i Dosjeve thotë se ua lehtëson ish-të përndjekurve të komunizmit dhe të afërmve të tyre njohjen me dokumentet që ndodhen në arkivin e ish-Sigurimit. Kohët e fundit anëtarë të tij ishin në SHBA si pjesë e një bashkëpunimi me komunitetin shqiptaro-amerikan për mbledhjen e dëshmive.

Zëri i Amerikës po ndihmon në mbledhjen e këtyre dëshmive.

Rajmond Sejko, i cili ka vuajtur tetë vjet në burgun e Spaçit, ishte njëri ndër dëshmitarët. Në vitin 1974, 13 vjet pas ekzekutimit të të atit, Teme Sejko, i vëllai i tij Sokoli u pushkatua nën akuzën e sajuar se ishte përpjekur të digjte kombinatin e tekstileve në Berat. Ai ishte 24 vjeç.

“Ishte një llahtari e vërtetë në shtëpi ato ditët e para. Ishte tmerr,” tregon Rajmond Sejko. “Ai duhej të sakrifikohej që të trembeshin rinia e Beratit për të treguar se ‘ja ç’bën armiku i popullit. Kemi kërkuar për të gjetur varrin e vëllait dhe nuk e kemi gjetur dot.”

Gati një vit pas humbjes së të birit, nëna e Rajmondit vrau veten në Berat. Ajo kishte lënë shumë fletore me shënime, por i kishte shpërndarë nëpër njerëz që njihte.

Rajmondi kujton një ditë kur e shoqëruan në degën e punëve të brendshme:

“Tek dhoma e pritjes më lanë shumë orë. Aty kam parë që njerëzit sillnin fletore. Nuk e dija që ishin fletoret e sime mëje.”

Në maj të vitit 1975, Rajmondi u dënua për agjitacion e propagandë dhe vuajti tetë vjet në burgun e Spaçit.

“Nuk e kuptoj, akoma nuk e kuptoj. Çfarë i bëmë ne atij regjimi që të na bënte të tëra këto gjëra, këtë nuk e kuptoj. Nuk e kuptoj, çfarë kishin me tim vëlla. Mbaruan punë me tim atë, bënë si deshën me të, çfarë kishin me tim vëlla. Nuk e imagjinoj dot se çfarë kishin me mua,” thotë zoti Sejko.

Për ata që ende kanë nostalgji për regjimin e Hoxhës, Rajmond Sejko ka një përgjigje:

“Ai u ishte imponuar shqiptarëve si perëndi, sepse hoqi kishat dhe xhamitë që shqiptarët të mos kishin ku faleshin por të faleshin vetëm për atë. Janë fëmijët e atyre që nuk kishin asnjë klasë shkollë dhe u bënë gjeneralë. Për veten e tyre ata kishin privilegje pa fund. Privilegjet i humbën, tani janë më të pasur. Tani kanë pasuri shumë më tepër, makina shumë më tepër dhe tani prapë kërkojnë atë.”

Rajmond Sejko mbeti i gjallë nga ferri komunist dhe sot jeton në Shtetet e Bashkuara. Ata që u mbijetuan tragjedive të tilla, zakonisht nuk ka shumë ngushëllime në jetë. Për Rajmondin ka të paktën një: fletoret me shënimet e nënës që ai i mban tani si një kujtim dhe dëshmi e çmuar.

(Kosova Sot Online)