Valixhet e arta/ Llogaria sekrete prej 50 mijë sterlinash në Lloyd’s Bank e Zogut

  • 02 August 2019 - 08:49
Valixhet e arta/ Llogaria sekrete prej 50 mijë sterlinash në Lloyd’s Bank e Zogut

Në fund të gushtit 1939, kur familja mbretërore sapo ishte vendosur në Francë, Sotir Martini i kërkon ambasadës britanike në Paris të japë një vizë për Mbretin Zog për një udhëtim privat për disa ditë në Londër.

Kjo kërkesë vuri në lëvizje autoritetet britanike që nuk po kuptonin arsyen, ndërsa Martini premtoi se vizita do ishte tërësisht private dhe në konfidencialitet të plotë, duke refuzuar edhe shtypin. Pas një hezitimi, Zogut dhe 7 anëtarëve të grupit të tij mes të cilëve 3 truproja, iu dha viza për 5 ditë. Ministria e Jashtme britanike, siç kishte premtuar më herët, njoftoi në fshehtësi edhe autoritetet italiane për këtë lëvizje të Mbretit shqiptar.

Zogu u nis më 10 shtator për në Londër, ndërsa po atë ditë autoritetet britanike zbuluan arsyen e kësaj vizite. Mbreti Zog do tërhiqte 50 mijë sterlina nga një llogari në Lloyd’s Bank. Pushtuesit italianë kishin lëshuar një urdhër konfiskimi për pasuritë e Zogut dhe njoftimi i lajmëruar në “Reuters” u publikua në shtypin perëndimor. Zogu i trembej faktit se llogaria e tij mund të konfiskohej, që siç kujton Geraldina, banka ku ndodhej llogaria kishte kapital italian.

Në datën 24 korrik, “Reuters” lajmëroi se italianët kanë lëshuar një dekret për konfiskimin e çdo prone të Mbretit Zog dhe mbështetësve kryesorë të tij, duke thënë një argument pa bazë ligjore apo hetim paraprak, se ato ishin vënë nga shtypja e popullit shqiptar. Italianët nuk bënë me dije cilat ishin pronat e konfiskuara dhe vlerën e tyre. Shpallja e beftë e luftës, pozicionimi i Italisë në aleancë me Gjermaninë dhe lajmet nga Tirana për konfiskimin e pasurisë së tij bëri që Zogu të shkojë personalisht në bankë për t’i tërhequr paratë e tij e për të mos përfunduar në duart e italianëve, siç ndodhi me llogarinë e Geraldinës prej 1 mijë monedhash ari në Bankën e Shqipërisë.

Prania e truprojave të armatosur me vete kishte si qëllim që Zogu të përdorte forcën brenda bankës nëse do i njoftohej se s’mund t’i tërhiqte. Zogu mbërriti në Londër në kohën më të zhurmshme. Lufta kishte 1 javë që kishte nisur zyrtarisht dhe opinioni britanik ishte në një ankth të vazhdueshëm për të kuptuar se ç’po ndodhte. Londra jetonte në panik, në parapërgatitje për aksion, mobilizimin e përgjithshëm, ndërkohë që askush nuk po kuptonte “luftën e çuditshme”.

Mbreti Zog ishte i pari figurë politike që vizitonte Londrën në këtë kohë të vështirë dhe ngjallte kërshëri, qoftë edhe si armik i fashistëve italianë, për të cilët qeveria ishullore mbante një qëndrim neutral, qoftë edhe se shtypi e kishte pagëzuar si “Mbreti i pashëm i vendit më romantik të Europës”. Dhjetëra gazetarë, fotoreporterë, kameramanë por edhe qytetarë të thjeshtë ishin mbledhur jashtë hotelit për të parë monarkun shqiptar.

I rrethuar nga shoqëruesit e tij dhe me cigaren në dorë, ai zbriti shkallët e hotelit më të njohur të Londrës, duke përshëndetur të pranishmit dhe duke i falënderuar për mikpritjen. Dhjetëra gazetarë kishin zënë hollin e Hotelit Ritz dhe kërkonin me ngulm për të intervistuar Zogun, i cili pranoi të flasë në një konferencë të improvizuar në holl, por duke u kërkuar paraprakisht të mos kishin pyetje të tepërta.

Të nesërmen, Mbreti Zog vizitoi bankën “Lloyd’s Bank” në Londër dhe tërhoqi të 50 mijë paundët nga llogaria sekrete. Kjo sasi parash ishte e barabartë me diçka më tepër se thesari i shtetit që u mor me vete më 7 prill. Kjo llogari bankare ishte qetësia e Mbretit Zog.

Por ligji britanik ndalonte që kjo sasi e madhe parash të dilte nga vendi, ndaj dhe autoritetet nuk dinin si të vepronin nëse në doganë do i zbuloheshin paratë monarkut shqiptar. T’ia konfiskonin apo t’i sugjerohej që të mos i merrte të gjitha me vete?! Kjo situatë vendosi në siklet autoritetet britanike. Mosdhënia e mundësisë së tërheqjes së plotë të parave kur Mbreti Zog kishte shprehur dëshirën të vinte e të jetonte në Britani, vendosi në një dilemë britanikët. Gjithsesi, në fund, autoritetet mbyllën një sy dhe Zogu mori me vetë në Francë paratë e ruajtura në llogarinë e vetme sekrete të tij.

Ditën e fundit të qëndrimit në Angli, Mbreti Zog la hotelin dhe në hyrje priste automobilin i shoqëruar nga truprojat për t’u nisur në port, për t’iu bashkuar familjes në Francë. I qetë, i veshur shik, me shami në xhepin e majtë të xhaketës dhe një palë doreza vjeshte lëkure, xhepi i prapmë i pantallonave dukej se po shqyhej. Një gungë e madhe që mbulohej nga xhaketa e tij, aspak normale e që binte lehtësisht në sy. Një fotoreporter i panjohur shkrepi aparatin në profil për të dalluar xhepin e stërmadh.

“Gunga e Mbretit Zog”, ishin disa nga titujt e gazetave që publikuan foton, duke komentuar se “Çfarë ishte kjo gungë e madhe misterioze në xhepin e Mbretit Zog? Ishmonarku shqiptar në ekzil po lë Londrën, mesa duket i përgatitur për më të keqen që mund të vijë”. Dyshues edhe për njerëzit e tij më të afërt, Zogu kishte palosur 50 mijë sterlinat për t’i futur në xhepin e tij. Vetëm kështu ndihej i sigurt për paratë e llogarisë sekrete. Autoritetet doganore në port nuk do të guxonin të fusnin duart e të kontrollin Mbretin shqiptar. Pas një udhëtimi të qetë, Zogu iu bashkua familjes në “Chateau de la Maye” në Versajë.

Por a ka pasur llogari të tjera sekrete të Mbretit Zog? Studiuesi Jason Tomas shkruan se Mbreti Zog mbylli edhe një llogari tjetër në “Westminster Bank” me 82 408 dollar,ë por një veprim i tillë nuk përmendet në asnjë prej raporteve të Departamentit të Thesarit Britanik. Këta të fundit raportuan për llogarinë në “Lloyd’s Bank”, por asgjë për llogarinë në “Westminster Bank” çka është e dyshimtë nëse një llogari e tillë ka ekzistuar. Në asnjë rast tjetër nuk është raportuar ndonjë lëvizje e Mbretit Zog në ndonjë bankë për të tërhequr apo siguruar paratë e tij. Tepër dyshues ndaj bankave dhe sistemit financiar, Zogu nxitoi të tërheqë paratë e tij, por në asnjë rast tjetër nuk u raportua ndonjë lëvizje pranë ndonjë banke tjetër. E vetmja llogari e fshehur jashtë vendit ishin 50 mijë sterlinat të depozituara në “Lloyd’s Bank”, para pushtimin të Shqipërisë nga italianët.

7 VALIXHET E ARTA DHE MEDALJET E PANJOHURA

Mbreti Zog kishte me vete edhe një pjesë medaljesh të shumta të arta, të cilat ishin prodhuar për përvjetorë dhe ceremoni gjatë mbretërimit në Shqipëri. Kjo u bë e ditur në korrik 1940 nga ministri i Oborrit, Sotir Martini, gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme. Gjatë përgatitjeve të mundshme për të shkuar në SHBA, Martini u kërkoi autoriteteve britanike që disa pako me këto objekte të rralla e të çmuara të depozitohen në Bankën e Anglisë për efekt sigurie dhe në një moment tjetër të transportohen për në SHBA.

Martini nuk ka dhënë më shumë detaje mbi përmbajtjen apo vlerën e tyre, por kishte nënvizuar se bëhet fjalë për disa kuti me objekte të çmuara për t’u depozituar. Diçka më shumë për këto valixhe u zbulua dy muaj më pas. Lufta kishte mbërritur në oborrin e Hotelit Ritz dhe një bombë e aviacionit gjerman shpërtheu fare pranë hotelit, duke e tronditur nga themelet e duke hapur një krater të madh në rrugë. Zogu ishte tronditur nga skena dhe krahas vendimit për t’u larguar shpejt nga qendra e Londrës, filloi të shqetësohej edhe për thesarin e tij të fshehur në hotel.

Në mesin e shtatorit, Sotir Martini vizitoi zyrtarin britanik Dixon në Ministri dhe kërkoi ndihmën e autoriteteve britanike për të siguruar thesarin e monarkut shqiptar. Martini i tregoi zyrtarit të lartë se Mbreti shqiptar kërkon të transportojë 7 valixhe me paratë e tij për t’i dërguar në Kanada, nisur nga frika e shtimit të bombardimeve. Nga paniku, Mbreti i kishte hequr nga bodrumi i hotelit dhe kishte futur ato në suitën e tij në Ritz. Kurioz për shumën e këtij thesari, që Dixon nuk e mësoi dot nga Martini, ai nisi menjëherë kontaktet me Zyrën e Thesarin dhe ranë dakord për një transportim përmes Bankës së Anglisë.

Zyrtarët e Thesarit i shpjeguan Dixon-it se valixhet me siguri përmbajnë metale të çmuara dhe që përfaqësuesit e Mbretit Zog duhet të paraqiten pranë Bankës së Anglisë në mënyrë që ata të bëjnë transportin tyre. Por zyrtarët britanikë mësuan se Mbreti Zog kishte tentuar që këtë çështje ta zgjidhte në mënyrë private. Mbretëresha Geraldinë ishte njohur në Ritz me bashkëshorten e drejtorit të Bankës së Indokinës dhe i kishte kërkuar mundësinë e sigurimit të thesarit dhe për ta larguar atë drejt Kanadasë.

Nën ndërmjetësimin e tij, një bankë tjetër, “Midland Bank”, kishte rënë dakord për të bërë transferimin e tyre në Kanada, por me kushtin që të sigurohej që ky thesar të mos kishte asnjë mundësi për t’u përballur me pasoja ligjore. Zyrtarët e bankës i kishin shprehur frikën monarkut shqiptar se shteti italian mund t’i padiste për të kërkuar thesarin, por ai i kishte bindur se bëhej fjalë për pronë tërësisht personale, për të cilën italianët nuk kishin asnjë dijeni për përmbajtjen e saj. Por nisur nga rreziqe të mundshme gjatë transportimit të tyre, Mbreti Zog nuk i lëvizi valixhet e thesarit nga Ritz. Gjenco Naçi kujton se valixhet e famshme lëviznin gjithnjë me Mbretin Zog dhe njëra prej tyre qëndronte afër syve të tij, (me siguri valixhja e bizhuterive), si më e vlefshmja prej tyre.

Naçi i pa për herë të parë nga udhëtimi në Stamboll i Mbretit dhe “lëviznin vetëm prej oficerëve dhe asnjëherë ndonjë hamall nuk u lejua që t’i prekte me dorë. Bashkë me to shkonte gjithnjë një nga nipërit e Mbretit, Hyseni ose Tati. Në trena dhe në hotele gjendeshin gjithnjë në dhomat e princeshave. Njerëzit i shikonin me kureshtje dhe disa me armiqësi. Ishin të rënda dhe vetëm oficerët dinin diçka rreth peshës së tyre. Me duket se ishin 11 dhe njëra prej tyre duhet të kishte shumë rëndësi sepse kishte një trajtim të veçantë dhe udhëtonte gjithnjë nën sytë e vetë Mbretit”.

Një muaj më pas, autoriteteve britanike u ra dorë një letër nga ish-diplomati shqiptar Çatin Saraçi që i dërgonte Faik Konicës në SHBA. Saraçi, dikur një ish besnik i Zogut, akuzonte hapur atë dhe madje kërkonte prej tij një sasi parash që ai pretendonte se ishte borxh i njohur nga monarku shqiptar. Në letrën e tij për Konicën, Saraçi shkruante se Zogu ka me vete një pasuri prej 4 milionë paundësh, por pa dhënë detaje se si ai e llogariste këtë shumë kolosale. Zyrtarët britanikë e cilësuan këtë informacion të pabesueshëm dhe veçse një “thashethem pa interes”.

KOMPENSIMI I MAJMË I VALIXHEVE TË HUMBURA

Paniku i pushtimit të Francës përfshiu familjen mbretërore shqiptare, e cila mori vendimin për t’u larguar drejt Britanisë së Madhe. Një shqetësim ishte transportimi i valixheve të shumta të pjesëtarëve të familjes që tejkalonin numrin 200. Në qershor 1940 u vendos që me vete të merren vetëm valixhet e arta dhe veshjet më të domosdoshme, ndërsa të tjerat të transportohen në një vend të sigurt. Disa kamionë me 139 valixhe dhe 7 makina, bashkë me “Mercedes”-in e dhuruar nga Hitleri për dasmë, u nisën për në Spanjë nën shoqërimin e një prej besnikëve të Mbretit, mikut të tij Xhaladin Nushi.

Mes vështirësive të shumta, Nushi i kaloi ato në Spanjë. Regjimi miqësor me nazistët solli frikën e konfiskimit të tyre, ndaj Nushi i nisi ato në adresë të konsullatës britanike të San Sebastianit në Spanjë. Çështja e këtyre bagazheve u kthye në një problem diplomatik për shkak se britanikët nuk kërkonin të merrnin përsipër transportin e tyre, ndaj i sugjeruan Zogut që të pajtonte një kompani udhëtimesh detare. Ata siguruan Zogun se konsulli i tyre do të tregohej bashkëpunues, nëse një kompani private do të angazhohej dhe Zogu pranoi.

Valixhet u nisën nga Spanja për në Portugali në pritje të një kohe më të mirë udhëtimi e më pas u nisën me një anije tregtare drejt portit të Liverpulit pas një pagese prej 540 paundësh për kompaninë, e cila mbulonte edhe sigurimin e tyre. Por ato nuk arritën kurrë në destinacion, edhe pse u prit plot 1 vit të niseshin. Porti i Liverpulit u bombardua nga forcat ajrore gjermane, duke shkatërruar hangarët ku ruheshin objektet dhe pasuria e familjes mbretërore shqiptare. U dogjën të gjitha, me përjashtim të “Mercedes”-it të dhuruar nga Hitleri, që mesa dukej ishte ndarë nga disa makina të tjera për t’u ruajtur më mirë në brendësi të portit. Humbja e gjithë kësaj pasurie trishtoi së tepërmi Zogun dhe familjarët e tij, pasi në to kishin sende personale që kishin marrë me vete që nga largimi nga Shqipëria. Familja mbretërore i priti për pothuaj një vit valixhet dhe gjatë kësaj kohë ishin munduar të mos shpenzonin në tesha.

Ato mbanin sende personale me vlerë për Zogun dhe familjarët e tij të krijuara në vite e të transportuara me mundime. Mbretëresha Geraldinë kujton se ajo kishte në to rrobat e firmës “Maggy Rouf” dhe 6 pallto me gëzof që i kishte blerë gjatë kohës që qëndrimit në Shqipëri. Gjithashtu princeshat deklaronin pallto e fustane me vlerë. Por transportimi i valixheve ishte siguruar dhe falë një vendimi të qeverisë britanike për kompensim dëmesh nga lufta, Departamenti i Sigurimeve vendosi të dëmshpërblejë familjen mbretërore me 51 500 paundë. Vlerësimi përcaktoi se 10 mijë paund ishin për Mbretin Zog, 6126 paund për secilën nga tre princeshat, 3 478 paund për princeshë Nafije Kosova dhe një shumë më e vogël për pjesëtarët e tjerë të familjes dhe oborrtarët e Zogut.

Nëse konvertohet sot kjo shumë, atëherë vlera e këtij kompensimi është 226 483 paundësh. Ky përfitim është pothuaj i barabartë me thesarin e shtetit, që u mor në 7 prill 1939. Por Zogu pretendoi më shumë mbi vlerën e valixheve të humbura. Ai pajtoi një kompani, e cila kërkoi një pretendim tjetër edhe për 47 930 paundë britanikë, konkretisht për valixhet e Mbretëreshës Geraldinë me 29 330 paund, për princin Leka 14. 000 paund dhe për disa objekte të tjera personale të nënës së Zogut që ishin marrë me vete nga familja, në vlerën 4 600 paund.

Pretendimi i familjes mbretërore shqiptare ishte se këto valixhe humbën në Francë nga pushtimi gjerman dhe ata besonin se ishin shkatërruar në Portin e Liverpulit. Por vonesa në aplikim dhe pamundësia për të verifikuar këtë pretendim, bëri që të mos përfitohej shuma e dytë prej 47 930 paundësh britanikë në vitin 1948. Gjithsesi, shuma e përfituar prej 51 500 paundësh ishte bujare nga autoritetet britanike, nisur edhe nga një vendim i mëhershëm që vlerat e kompensimit për sende të shkatërruara nga lufta të mos dëmshpërbleheshin më tepër se 10 000 paundë.

“Mercedes”-i i dhuruar nga Hitleri ishte i vetmi objekt që mbijetoi nga gjithë pasuria personale që ishte marrë me vete nga familja mbretërore, aq sa gjyshja e Geraldinës e shihte atë si një ogur të keq. Nuk ishte e lehtë të udhëtoje në mes të luftës në rrugët e Londrës me një makinë krenare gjermane dhe konsumues i madh benzine që në Anglinë e luftës jepej vetëm me tollon. Geraldina dhe gjyshja e saj e shitën pa e njoftuar Zogun.

Dikush u ofroi një çek për “Mercedes”-in, por doli që ai ishte i rremë dhe Policia e gjeti në garazhin e një skocezi që e kishte blerë për 800 paundë. Zogu u detyrua t’ia japë këto para në dorë pronarit të ri dhe risolli me triumf në garazhin e shtëpisë Parmoor, “Mercedes”- in e tij. Pak kohë më pas, duke respektuar dëshirën e Geraldinës, ai e fali “Mercedes”-in te Kryqi i Kuq. Makina ndodhet sot në një koleksion privat dhe vlerësohet me një vlerë të konsiderueshme, e denjë për koleksionistë makinash të rralla.

HETIMI I CIA-S MBI PASURINË E ZOGUT

Çështja se sa flori kishte të kursyer Mbreti Zog, të cilin e mori me vete, mbeti gjithnjë një spekulim. Në shtator 1949, Mbreti Zog ishte zhvendosur me familjen në Egjipt, CIA u bë kurioze për të mësuar më shumë rreth aseteve dhe pasurisë së tij. Agjencia e Inteligjencës Amerikane mori një informacion nga një avokat amerikan, që ishte pajtuar nga Zogu për t’u kujdesur për interesat e tij. Juristi informoi se në deri në mesin e vitit 1949, Zogu kishte të depozituara 108 mijë dollarë në “National City Bank” në New York, kishte investuar 5 mijë dollarë në një kompani investimesh, kishte një shtëpi në Aleksandri, bizhuteri të kurorës mbretërore në vlerë 100 mijë dollarë amerikanë dhe një sasi prej 450 mijë dollarësh në ar.

Në informacionin e detajuar për CIA-n, juristi amerikan i Zogut pretendonte se monarku shqiptar kishte nxjerrë nga Shqipëria rreth 3 milionë dollarë në ar, të cilat ishin harxhuar shpejt për mbajtjen e oborrit dhe mbështetjen e kauzës së tij, duke i mbetur më pak se një e gjashta e tyre. Përveç pjesës së parë të aseteve të Zogut të raportuar me saktësi, juristi nuk jepte shpjegim se nga e kishte informacionin që Zogu kishte marrë 3 milionë dollarë në ar kur u largua nga Shqipëria.

Shuma prej 3 milionë dollarësh në flori dukej e ekzagjeruar, nisur nga fakti se një sasi e tillë do ishte pothuaj e pamundur të transportohej me vete, ashtu siç bëri Zogu gjatë gjithë kohës me valixhet e famshme. Gjithsesi, juristi informonte se tregtia në Egjipt ku Zogu ishte përfshirë, përmes ndihmës së Mbretit egjiptian Faruk, kishte sjellë përfitime. Shifrat e pasurisë së Zogut të siguruar nga CIA përmes të besuarit të Zogut nuk tregojnë ndryshim thelbësor me shifrat e njohura gjatë Luftës.

Gjatë periudhës së Luftës, duket që Zogu u mbështet në dy burime kryesore. Kursimet që kishte krijuar gjatë pushtetit në Shqipëri dhe llogaria sekrete prej 50 mijë sterlinash në “Lloyd’s Bank”. Thesari i Shtetit i marrë pas largimit nga Shqipëria përfundoi shpejt dhe atij i duhej të mbështetej në pasurinë vetjake. Pjesa tjetër e pasurisë së tij në ar apo bizhuteri nuk u prek asnjëherë gjatë luftës. 50 mijë sterlinat që u tërhoqën kesh nga Zogu në shtator 1939 nga “Lloyd’s Bank” rezultuan të mjaftueshme për të përballuar jetesën gjatë Luftës e mëse 30 vetëve që e rrethonin.

Në tërësi, pasuria e Mbretit Zog ishte shumë më e vogël se sa u spekulua dhe e panevojshme për nevojat e një qeverie në mërgim që mund të shërbente për të mbajtur gjallë çështjen shqiptare. Spekulimet për pasurinë dhe jetën luksoze gjithnjë e shqetësuan Zogun. Në disa raste ai pranoi të flasë për disa gazeta për jetën e tij, duke hedhur poshtë zërat për pasuri marramendëse apo për jetë të paqenë, në kushtet e një lufte dhe mungesash të shumta. Në numrin e datës 17 mars 1942, ai do të citohej nga gazeta “Nottingham Evening Post” për jetën private dhe financat.

“Do doja të isha aq i pasur sa disa kritikë kanë dashur të besojmë. Kam një jetë tepër të zakonshme me familjen time dhe një staf të vogël. Banojmë në një shtëpi me qira. Këtu s’ka vend për luks apo pasuri të madhe”, tha Zogu. Më tej, editorët shtonin se ai dhe qeveria e tij arritën të marrin 30 mijë sterlina nga Shqipëria por kjo shumë, siç nënvizonin redaktorët, ishte shpenzuar me kohë. Kjo ishte hera e parë që shtypi citonte Mbretin Zog për sasinë e parave që ai kishte marrë me vete nga Thesari i Shtetit Shqiptar, e cila përputhet me afërsi me dokumentet. Një vit më pas ai foli edhe për gazetën e mirënjohur britanike “Times”, duke pranuar se shuma e thesarit ishte 36 mijë sterlina, duke argumentuar se fundja “më mirë që i mora me vete se sa t’i kisha lejuar që të përfundonin në dorën e Musolinit”.

(Kosova Sot Online)