“Të kthehet menjëherë në Shkodër”, urdhri i Hysni Kapos për Justina Aliajn, pas rolit në film. Çfarë shkruhej në letrën për Ramizin

  • 04 tetor 2019 - 10:40
“Të kthehet menjëherë në Shkodër”, urdhri i Hysni Kapos për Justina Aliajn, pas rolit në film. Çfarë shkruhej në letrën për Ramizin

Dashnor Kaloçi/ Memorie.al publikon dokumentet sekrete të një korespodence zyrtare të vitit 1976 në mes sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Shkodrës, Prokop Murra, me “shokët e udhëheqejes” më të lartë të PPSH-së, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska, Hekuran Isaj, etj, lidhur me artisten e famëshme Justina Aliaj, ish-pjesmarrëse e Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, e cila ishte lejuar të interpretonte në një film të Kinostudios “Shqipëria e re”…

Publikohen  dokumentet sekrete të vitit 1976 me korrespodencën e panjohur mes sekretarit të Komitetit të Partisë së Shkodrës, Prokop Murra dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, lidhur me aktoren e këngëtaren e njohur Justina Aliaj, të cilës i ishte dhënë një rol pozitiv në një prej filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Informacioni dhe justifikimi i sekretarit të parë të Shkodrës, që për aktoren e njohur shkodrane nuk kishte dhënë leje për të interpretuar atë rol pozitiv dhe shënimi i Hysni Kapos që ajo të kthehej menjëherë në Shkodër dhe ndaj atyre që kishin mashtruar Komitetin e Partisë të atij qyteti do merreshin masa të rënda.

Në një nga shkrimet e Memorie.al të botuar para pak ditësh në rubrikën historike Dossier, publikuam disa dokumente sekrete të vitit 1976, ku funksionarët më të lartë partiakë të rretheve të Korçës e Tiranës komunikonin me eprorët e tyre në Komitetin Qendror të PPSH-së, deri te Ramiz Alia, lidhur me aktorin e njohur të kinematografisë shqiptare, Bujar Lako.

E gjithë korrespodenca në mes tyre kishte ardhur pas një letër-ankese që kishte bërë një veteran nga fshati Lubonjë i Korçës, i cili i bënte me dije Komitetit të Partisë të Korçës dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, duke u kërkuar llogari se si ishte e mundur që “shokët e partisë” kishin lejuar që Bujar Lakos t’i jepej një rol pozitiv në filmin “Përballimi”, (ai i Martinit, sekretarit të partisë të Korçës), në një kohë kur babai i tij, Shëndet Lako, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kishte qenë me Ballin Kombëtar në çetën e Safet Butkës.

Pra, e gjithë ajo korrespodencë mes funksionarëve më të lartë partiakë bëhej për faktin e vetëm që aktorit të njohur i ishte dhënë një rol pozitiv në film?! Por, a ka qenë një rast i veçantë çështja “Bujar Lako”, që vuri në lëvizje funksionarët më të lartë partiakë të rretheve të Korçës e Tiranës, që pasi ngritën grupe pune për të verifikuar në vend letër-ankesën e veteranit nga fshati Lubonjë për biografinë e aktorit, më pas të komunikonin me shkresa zyrtare deri me Ramiz Alinë? Siç duket dhe nga këto dokumente që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, problemi me Bujar Lakon nuk ka qenë një rast i veçuar, por një normë apo një vijë e ndjekur me rigorozitetin më të madh nga funksionarët partiakë në periudhën e paraviteve ’90-të!?

Kjo duket qartë, pasi e njëjta gjë është përsëritur edhe me aktoren e këngëtaren e njohur shkodrane, Justina Aliaj, po në vitin 1976, kur si për koincidencë fatale, edhe asaj ashtu si Bujar Lakos, i është besuar roli i një sekretareje partie në një prej filmave që sapo kishte përfunduar së xhiruari Kinostudio “Shqipëria e Re”. (Bëhet fjalë për filmin “Thirrja”). Dhe pas kësaj, dikush ishte ankuar në Komitetin e Partisë së Shkodrës dhe njëkohësisht në Komitetin Qendror të PPSH-së, gjë e cila kishte sjellë që këto organe drejtuese partiake të nisnin një varg shkresash zyrtare ndërmjet tyre për të gjetur fajtorët që kishin lejuar aktoren Justina Aliaj të interpretonte në atë film dhe aq më keq një rol pozitiv? Kjo gjë, pasi Justina Aliaj ishte një nga këngëtaret e Festivalit të 11-të të Kengës në Radio-Televizion, që u godit nga udhëheqja e lartë e PPSH-së në Plenumin e IV-të, së bashku me Bujar Kapexhiun, Edi dhe Mihallaq Luarasin, Françesk Radin dhe Sherif Merdanin. Pra, këta ishin shpallur si “Delja e Zezë” e atij festivali dhe siç dukej, ky përcaktim nuk do t’u hiqej kollaj deri në rënien e atij regjimi.

Por, ndryshe nga çështja “Bujar Lako” që u mbyll nga Ramiz Alia pa një ndëshkim shumë serioz për aktorin, kësaj radhe aktorja e këngëtarja e njohur, Justina Aliaj nuk do të shpëtonte lehtë. Aktores së talentuar Justina Aliaj, jo vetëm që iu hoq roli te filmi “Thirrja” dhe ju dha një aktoreje tjetër, por më pas ajo do të përfundonte si punëtore e thjeshtë në një ndërmarrje të Tiranës. Nuk dihet se për çfarë arsyesh problemi i Justina Aliajt nuk i është dërguar vetëm Ramiz Alisë që mbulonte Artin e Kulturën në Komitetin Qendror, por ai u ka shkuar edhe Hysni Kapos, Haki Toskës dhe Hekuran Isait, (tre sekretarët e tjerë të K.Q. të PPSH-së), prej të cilëve, Hysni Kapo mbulonte organet e diktaturës së proletariatit, siç quheshin në atë kohë Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes, Sigurimi i Shtetit, prokuroria, hetuesia dhe gjykatat. Dhe për të zgjidhur çështjen “Justina Aliaj” është ngarkuar Çajup Rusmali, funksionar i Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili mbulonte artin dhe kulturën. Po për më shumë rreth kësaj na njohin dokumentat arkivore me siglën “Tepër sekret” që po i publikojmë të plota në këtë shkrim.

INFORMACIONI I PROKOP MURRES PER RAMIZ ALINE

Ashtu siç bëmë me dije edhe pak më lartë në këtë shkrim, ankesa për aktoren dhe këngëtaren e njohur shkodrane Justina Aliaj është bërë në adresë të Komitetit të Partisë së Shkodrës dhe në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, tek dy udhëheqësit më të lartë pas Enver Hoxhës. Kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet arkivore që po botojmë më poshtë, pasi sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Shkodrës, Prokop Murra, i dërgon një informacion Ramiz Alisë, i cili ka të bëjë me problemet në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, por që vendin kryesor në atë letër e zë çështja “Justina Aliaj”. Në atë informacion Prokop Murra shkruan:

Jam informuar se shokët e Kinostudios kanë ngritur në Komitetin Qendror te shoku Çajup, se për aktivitetin e aktores së teatrit tonë, Justina Aliaj, në rolin e sekretares së partisë në një film të xhiruar kohët e fundit, kanë marrë mendimin tim.

E quaj të arsyeshme t’ju vë në dijeni se një mendim i tillë nuk është dhënë nga ana ime, sepse edhe nuk jam pyetur dhe nga sa di, këtë nuk e kanë bërë as shokë të tjerë të Komitetit të Partisë.

Për sa e njohim praktikën e punës së Kinostudios në rrethe, ajo shpesh ka aktivizuar aktorë amatorë pa marrë mendimin e organizatës bazë të rrethit, bile në ndonjë rast njerëz me përbërje jo të mirë, duke krijuar dhe shqetësim, gjë për të cilën kohët e fundit kemi informuar Komitetin Qendror me shkresën tonë Nr. 2237, datë 16.12.1976.

Shoku Ramiz

Në mbledhjen e fundit që organizuat me sekretarët e propagandës, me të drejtë na keni kritikuar që nuk informuar Komitetin Qendror lidhur me kundërshtimin që patëm me ekipin e Ministrisë së Arsim-Kulturës për disa probleme të ngritura nga ana e tyre për sektorin e kulturës si dhe për ndonjë person në përbërje të ekipit.

Siç mund të jeni në dijeni, Ministria e Arsim-Kulturës dërgoi në rrethin tonë në muajin shkurt një ekip për të parë punën në fushën e arsimit, kulturës dhe fizkulturës. Në përfundim të punës, ekipi bëri një takim me shokët e Komitetit të Partisë e Komitetit Ekzekutiv dhe shkëmbyem disa mendime rreth punës dhe konkluzioneve që kishin arritur. Në këtë takim nga ana e shokëve të rrethit është ngritur si shqetësim i organizatës së partisë së Teatrit “Migjeni”, përse në ndonjë mbledhje të kolegjiumit të ministrisë dhe në teatër, nga grupi i punës që përbëhej nga Miho Gjini dhe Naum Prifti, është ngritur problemi se në Teatrin tonë ka shfaqje të “etnografizmit” dhe “konservatorizmit”, duke shpjeguar se me të tilla gjëra e ka luftuar Teatrin e Shkodrës, armiku i popullit, Fadil Paçrami. Shoku Fejzi Koçi dhe Afka Gambeta kanë shpjeguar se këto gjëra nuk janë as në shfaqje dhe as tendencë, por si një orientim që teatri duhet ta ketë në punën e tij.

Mbas disa ditësh, ekipi erdhi në Shkodër për të dhënë konkluzionet dhe vuri në dijeni shokët e mi për materialet një ditë përpara se të zhvillohej mbledhja. Në material ishin shtruar disa probleme ndryshe sa ishin dhënë më parë, qoftë edhe në konkluzionet e pjesshme në institucionet kryesore që kontrolluan, pra në material-shfaqjet e “etnografizmit” dhe “konservatorizmit” për dramat “Nora” dhe “Shpartallimi”, tani ishin vënë si tendencë e punës së teatrit tonë.

Shokët tanë mbasi u njohën me këtë material, megjithëse shumë vonë, kërkuan edhe njëherë takim më shokun Fejzi Koçin dhe Afka Gambeta, për të sqaruar përse me fjalë thuhet ndryshe, dhe tani në material është shkruar ndryshe. Në këtë takim shokët e ministrisë mbronin mendimin e shkruar në material, por pa argumentim.

Duke pasur këto fërkime, shokët na informuan dhe të nesërmen para se të fillonte mbledhja për të dhënë konkluzionet, unë u takova me shokun Thoma Deliana ku ishin dhe shokë të tjerë të ministrisë dhe të rrethit dhe i ngrita këto probleme:

Së pari, duke i shprehur kënaqësinë që ministria gjeti mundësi me na ndihmuar me një ekip, i bëra vërejtje për metodën e punës. Nuk e quajta të drejtë që Komiteti i Partisë nuk u vu në dijeni me kohë, në mënyrë që bashkë me shokët e ekipit të futeshin dhe shokë të rrethit për të mësuar. Një punë e tillë duhesh bërë edhe me Komitetin Ekzekutiv, bile atij i duhesh dhënë materiali përpara se të shkohej në mbledhjen e zgjeruar, me qëllim që jo vetëm për t’u përgatitur, por edhe të shikohej mundësia për të sheshuar ndonjë gjë. Gjithashtu, i thashë se edhe baza në konkluzionet e pjesshme që kanë dhënë, e ka kritikuar metodën e punës së ekipit për kulturën, pasi është shmangur në shumë raste takimi me masën, duke njoftuar takime vetëm me drejtuesit e institucioneve. Kështu është vepruar me Teatrin “Migjeni”, ku s’është bërë asnjë takim me kolektivin, në kooperativën bujqësore të Bajzës, për të cilën nxorën konkluzione të gabuara në Shtëpinë e Pionierit etj.

Së dyti, unë ju ngrita çështjen se si Sekretar i parë, unë për herë të parë po dëgjoj pas Plenumit të 4-të të Komitetit Qendror, shqetësimin e Ministrisë për Teatrin “Migjeni”. Për këtë kërkova ballafaqim dhe analizë të veçantë, pasi këto gjëra nuk mund të kaloheshin kaq lehtë. Në konkluzionet që dhanë në mbledhje, këto gjëra që kishim kundërshtim, u hoqën.

Së treti, si në takimin, ashtu edhe në mbledhje kur foli shoku Thoma, jam detyruar që t’i ndërhyj kur theksin e vinte te konservatorizmi, duke i thënë se Plenumi i IV-të i Komitetit Qendror na ka kritikuar shumë për liberalizmin.
Për problemet e mësipërme që kemi kundërshtuar ne dhe nuk na i kanë argumentuar, u kemi kërkuar ballafaqim të veçantë. Ju me të drejtë na keni tërhequr vëmendjen, pasi duhet t’ju sinjalizonim.
Për Komitetin e Partisë të Rrethit

Sekretari i Parë
Prokop Murra

URDHRI I PRERE I HYSNI KAPOS, PAS INFORMACIONIT NGA SHKODRA

Informacioni i bërë nga Prokop Murra, pasi ka mbërritur në Komitetin Qendror të PPSH-së, në adresë të Ramiz Alisë, Hysni Kapos, Haki Toskës dhe Hekuran Isait, është “marrë në dorë” nga Hysni Kapo, i cili ka ngarkuar Çajup Rusmalin ta ndjekë atë çështje. Kjo gjë shihet qartë dhe nga letra e tij ku thuhet:

Çajupit

Jam i mendimit të merren masa ndaj atyre që jo vetëm e kanë marrë Justina Aliajn pa marrë pëlqimin e K.P. së rrethit, por edhe që mashtruan me K. e P. Këta njerëz duan të rehabilitojnë elementë të ligj, që armiqtë Todi Lubonja e Fadil Paçrami i ngritën në qiell me Festivalin e XI-të.

Jam i mendimit që Justina Aliaj të kthehet menjëherë në Shkodër.
Njerëzit që përdoren në filma dhe televizion duhet të shihen në radhë të parë nga ana politike dhe patjetër edhe nga aftësitë artistike. Për këta duhet të merret pëlqimi i Partisë në rrethe.

Hysni Kapo

 PAS LETRES SE HYSNI KAPOS, MASAT NDAJ KINOSTUDIOS

Pas letrës së Hysni Kapos me porositë e tij se si duhet të zgjidhej çështja “Justina Aliaj”, aparati i K.Q të PPSH-së është vënë në lëvizje duke komunikuar me shkresa zyrtare me Kryeministrinë, Ministrinë e Arsimit e Kulturës, sektorin e shtypit në Komitetin Qendror, Kinostudion, Radio-Televizionin etj., të cilat zhvilluan mbledhjet e organizatave bazë të Partisë për zgjidhjen e atij problemi. Kjo gjë duket edhe nga letra e më poshtme ku thuhet:

Lidhur me vërejtjet që beri shoku Hysni, u vu në dijeni Ministria e Arsim-Kulturës, aparati i Kryeministrisë dhe sektori i shtypit në Komitetin Qendror që të ketë parasysh televizionin. U bë mbledhja e organizatës bazë të Partisë, e cila vuri përpara përgjegjësisë drejtorin dhe regjisorin e filmit për aktivizimin e Justina Aliajt. Gjithashtu, u vu përpara përgjegjësisë drejtoria e Kinostudios, për një vëmendje më të madhe lidhur me aktivizimin e aktorëve në filma. Shokët e Kinostudios këmbëngulën që kanë marrë mendimin e K.P. të Shkodrës (Zina Franja dhe Adem Tahirit, për aktivizimin në filma të Justina Aliajt).
11. VI. 1976

(Kosova Sot Online)