Muri i Berlinit/ Bashkim Zeneli: Kush ishte zyrtari i lartë gjermano-lindor, që shkaktoi dyndjet në kufi

  • 18 November 2019 - 11:09
Muri i Berlinit/ Bashkim Zeneli: Kush ishte zyrtari i lartë gjermano-lindor, që shkaktoi dyndjet në kufi

Në vijim të analizës në librin e tij “Për Gjermaninë”, diplomati i njohur, Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, sjell situatën brenda Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore, dorëheqjet masive në Byro dhe qeveri dhe debatet për ndryshimet që duhej të ndodhnin. Ai tregon dhe qëndrimin e vendeve perëndimore, si SHBA, Anglia, Franca apo dhe Italia për bashkimin e dy Gjermanive. 

Po me aq realizëm në librin e tij, ambasador Zeneli ka përcjellë dhe momentin kyç që shënoi dhe kthesën e madhe, kur anëtari i ri i Byrosë Politike, Gunther Schabowski, u tha gazetarëve, me iniciativën e tij dhe pa porosinë e partisë, se lëvizja e lirë e gjermano-lindorëve mund të niste menjëherë, deklaratë që shkaktoi dyndjet masive të gjermano-lindorëve në kufirin që i ndante nga Gjermania Perëndimore, duke çuar në rënien e Murit të Berlinit.

BASHKIM ZENELI

Egon Krenz, në verën e vitit 1989, pra vetëm pak muaj më parë, justifikoi masakrën e sheshit “Tien An Men”, në Pekin.

Në një bisedë telefonike pas zgjedhjes së tij në krye të partisë (SED), i interesuar se si e priti Moska zgjedhjen e Krenz, Gorbaçovi i përgjigjet se “Krenz nuk është njeri imi”. Populli nuk e priti aspak me besim ardhjen në krye të partisë dhe të shtetit të Egon Krenz. Demonstrimet vazhdojnë në qytetet më të mëdha. Për herë të parë, tashmë dëgjohet: “Ne nuk kemi nevojë për kufij. Muri duhet të hiqet”. Më 1 nëntor, vetëm një javë parashembjes së murit, Egon Krenz zhvillon një vizitë në Moskë. Gorbaçovi sheh qartë se udhëheqësi i ri i RDGJ nuk po kupton aspak se ç’po ndodh jo vetëm në Lindjen komuniste në përgjithësi, por as në RDGJ. Ai i thotë udhëheqësit sovjetik se “Ribashkimi gjerman nuk është aspak çështje dite. Nuk ka asnjë arsye për ribashkim, sepse të dyja shtetet gjermane u përkasin aleancave të ndryshme ushtarake dhe vetëm si të tilla i shërbejnë stabilitetit në Europë… Muri i Berlinit nuk i pengon njerëzit të lëvizin lirshëm… Shumë më tepër, ai është një mur mbrojtës midis dy sistemeve shoqërore dhe blloqeve ushtarake”. Asnjë ndryshim i udhëheqësit të ri me Honeckerin. Asnjë shpresë për ndryshim në RDGJ. Ende ûitej për murin, me një papërgjegjshmëri politike të paimagjinuar. Honeckeri, në janar, pati thënë se “muri do të qëndrojë edhe 50 dhe 100 vjet” dhe Krenz e quan të domosdoshëm murin si “mbrojtës midis dy sistemeve”. Në konferencën për shtyp, para nisjes nga Moska, Gorbaçovi nuk merr pjesë. Dhe Krenz para gazetarëve, që kuptojnë fare qartë se nuk ka pasur asnjë mirëkuptim me Gorbaçovin, përkundrazi, do të deklaronte se “një ribashkim i Gjermanisë ishte kategorikisht i pamundur, për shkak të kontradiktave të mëdha midis kapitalizmit dhe socializmit”.

Gorbaçovi e kupton fare mirë se me Krenz nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi.

“Ai, siç do të shprehej Gorbaçov, nuk lëviz fare nga llogorja komuniste dogmatike. Tek ai nuk kam asnjë besim. Ai më kërkoi ndihmë kur unë i ûisja për nevojën e reformave. Ai i kuptonte shumë cekët reformat. Ai i shihte thjesht si kozmetikë. Unë i thashë se në këto momente ne e shohim të pamundur ndihmën ekonomike… I fola edhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë që duhet të kishte me Kancelarin Kohl, por ai m’u përgjigj se “është RFGJ që po nxit destabilitetin në RDGJ”. Çfarë mund të bisedoja unë me të? Por unë isha vërtet i shqetësuar se çfarë mundtë ndodhte në R.D. Gjermane”. Pas kthimit nga Moska, Krenz mbledh K.Q. të partisë dhe kërkon dorëheqjen e mjaft prej anëtarëve të saj. Por ai përballet edhe me disa kritika nga anëtarë të udhëheqjes së Partisë, që nuk mund të pajtoheshin me zgjidhjet që po u jepej situatave por edhe me mungesën e reformave. Një ndër ta ishte edhe Hans Modrov, Sekretar i parë i partisë për Dresdenin. Ai “kundërshton trajtimin politik dhe njerëzor që i bëhej kësaj çështjeje dhe me kohë kishte mbështetur zgjidhjen e RFGJ për kalimin nëpër RDGJ nga Praga në Perëndim, por edhe me çdo rrugë tjetër, pa asnjë pengesë”. Hans Modrov u zgjodh ato ditë, pak para rënies së murit, Kryeministër i RDGJ. “Ai kishte qenë edhe më parë me Krenz, Schabovskin dhe Herger, kundër Honeckerit (aq sa mund të ishin kundër) dhe njerëzve të tij të afërt në udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit”.

Modrov, në detyrën e re si Kryeministër, u përshëndet menjëherë nga Kancelari Kohl, si zgjidhja më e mirë e kohës, si një alternativë më e besueshme. Ai konsiderohej figurë reformatore, por jo disident apo opozitar i mirëfilltë i regjimit, siç janë përpjekur edhe ta konsiderojnë. Ato ditë, “Hans Modrov filloi të thirrej Gorbaçovi i RDGJ. Ai ishte edhe i besuari i Gorbaçovit në 2-3 vitet e fundit, dhe zgjedhja e tij si Kryeministër i RDGJ ishte logjike, e mirëpritur si pasues i ish-Kryeministrit Vili Stoph, në procesin e ndryshimeve të RDGJ”.

Sidoqoftë, Modrov u zgjodh nga Kuvendi Popullor si Kryeministër, vetëm më 13 nëntor, pas rënies së murit….

….Kancelari Kohl shkruan në kujtimet e tij se “diskutime të shumta kishte edhe nga figura të rëndësishme të CDU, të cilët nuk e shihnin aspak mundësinë e bashkimit, në kuadër të rënies së mundshme të regjimit në RDGJ. Zotërinjtë Weizszcker, Spath dhe Geisler, në vend që të ûisnin për bashkimin, vazhdonin të ûisnin më mirë për afrimin e sistemeve”. Por, edhe nga aleatë perëndimorë, nuk kishte qartësi për dritën e tunelit që tashmë dukej qartë. Presidenti francez Miteran deklaronte se “sigurisht nuk do të bëjmë luftë kundër Gjermanisë për të shmangur ribashkimin”. Kryeministrja britanike Teçer, që ishte takuar me Gorbaçovin në Moskë më 23 shtator 1989, i thotë atij se “i shoh me shumë shqetësim zhvillimet në RDGJ” dhe se “Anglia dhe Europa perëndimore nuk kanë interes për një Gjermani të bashkuar…

Ne nuk e duam bashkimin gjerman, kjo do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve të pasluftës dhe ne nuk e duam këtë”. Teçer është edhe tepër e prerë, kur me një lloj megalomanie, edhe pas rënies së murit, do të deklaronte se “dy herë i mundëm gjermanët, tani ngrenë krye përsëri”. “Dy Gjermani, – do të shprehej Teçer, – janë më të mira se një”.

Presidenti francez Miteran, në atë kohë, para rënies së murit, kur ûitej për mundësisë e ribashkimit gjerman, e kundërshtonte atë, midis të tjerash, edhe duke iu referuar, aspak saktësisht, Gorbaçovit: “Asnjëherë Gorbaçovi nuk do të mund të pranojë një Gjermani të bashkuar në NATO, kështu që të mos shqetësohemi aspak”. Por edhe të tjerë aleatë perëndimorë ishin të të njëjtit mendim. Kryeministri italian Andreoti, gjatë vizitës që Gorbaçovi zhvillon në Romë, do të shprehej se “Bashkimi i RDGJ me RFGJ është i pamundur… Lidhur me Gjermaninë mund të themi se ka një komb, dy shtete. Dhe ky është qëndrimi ynë i prerë”.

Ndërsa Presidenti Bush do të deklaronte se “një vend nuk mund të jetë i ndarë”. I përmenda këto deklarime, që në radhët më tej do t’i shtjelloj më gjerësisht, për faktin se ata gjithsesi përpunonin një opinion ndryshe për mundësinë e bashkimit të ardhshëm dhe i linin vend edhe përhapjes së spekulimeve, si ato që përmenda më sipër, të “rrugës së tretë”, apo të “afrimit” të sistemeve.

ORËT E FUNDIT TË REGJIMIT Populli në RDGJ është ngritur në këmbë. Tashmë regjimi pret rënien. Jo vetëm në Berlin, por edhe në Leipzig, Dresden, Halle, Rostok e qytete të tjera të mëdha, manifestimet janë masive. “Vetëm për 5 ditë, nga 5-9 nëntor, do të largoheshin për në Çekosllovaki 63 mijë vetë dhe deri në 10 nëntor, 81 mijë vetë”. Gjithsesi, regjimi beson se rruga e re, “rinovimi”, do të ngadalësojë rënien e tij e do të shmangë pakënaqësinë popullore.

Përfaqësuesi i lartë i RDGJ, Aleksandër Schalk Golodkowski, kërkon takim urgjent, më 6 nëntor, me Bonin. Ai do të pritet nga ministri për Çështjet Speciale, Rudolf Seiters, dhe ministri i Brendshëm, Wolfgang Schauble. Zyrtari gjermano-lindor i kërkon qeverisë gjermane një kredi prej 10-12 miliardë DM! Të dy ministrat e qeverisë Kohl shprehen të gatshëm për bashkëpunim, që “nuk duhet të kishte munguar për kaq kohë”, por i përgjigjen negativisht për kredinë e kërkuar. Edhe vetë Golodkowski e kupton fare mirë se nuk ka më hapësira për bashkëpunim e ndihma të menjëhershme, ndonëse i kishte thënë ministrave të Kohlit se “qeveria po përgatitej për çeljen e pikave të kufirit”.

Kohl mbledh menjëherë atë mbrëmje qeverinë dhe kërkon urgjentisht rritjen e ndihmave ushqimore dhe barnave për gjermano-lindorët në Poloni, Hungari e Çekosllovaki. Po atë mbrëmje, në Berlinin Lindor, Egon Krenz dhe udhëheqës të lartë të partisë marrin pjesë në pritjen që ambasada sovjetike jep me rastin e 72-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në këtë pritje, merr pjesë edhe gjeneral armate i B. Sovjetik, Boris Snetkov. Ai i jep një siguri të plotë Krenzit kur i deklaron se “grupi perëndimor i forcave të armatosura sovjetike do të plotësojë në çfarëdo kushtesh detyrat e tij internacionaliste ndaj R.D. gjermane”.

Gjenerali sovjetik nuk po shihte ose nuk donte të shihte se çfarë po ndodh në RDGJ, në Lindje, por edhe në politikën e vendit të tij nën udhëheqjen e Gorbaçovit. Është fakt se edhe në atë kohë, por edhe më tej, në B. Sovjetik kishte pasur forca konservatore, komuniste, në Parti, në Ushtri, në Shërbimin e Fshehtë, në Duma. Por çuditërisht, edhe Krenz shpreson në veprimet e mundshme të Ushtrisë sovjetike për të shpëtuar regjimin. Por të nesërmen, në 7 nëntor, do të japin dorëheqjen Byroja Politike dhe qeveria. Regjimi ka rënë!… Krenz dhe udhëheqës të tjerë nuk e qetësojnë dot popullin. Më 8 nëntor, Byroja e re Politike vendosi të lejojë ngritjen dhe njohjen e organizatave dhe shoqatave opozitare. Atë ditë, “njihen si parti politike opozitare ‘Forumi i Ri’ dhe disa të tjera”.

Në datën 9 nëntor, në orën 18:00, fillon në Qendrën e konferencave në Berlin, në Mohrenstrase, një konferencë shtypi me anëtarin e Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ të Partisë për çështjet ideologjike e të informacionit, Gunther Schabowski, i sapozgjedhur në atë detyrë, që u nda nga jeta ditët e fundit.

Si rrallë më parë, konferenca e shtypit do të transmetohet drejtpërdrejt nga radio dhe televizioni i RDGJ.

Schabovski informoi për mbledhjen e Byrosë Politike dhe për vendimin e saj për të kaluar sa më shpejt në Kuvend “një projektligj që do të rregullojë lëvizjen e lirë të qytetarëve jashtë vendit e që do t’i bëjë të mundur çdo qytetari të RDGJ të kalojë kufirin në çdo pikë të kalimit kufitar”.

Gazetarët po bëheshin gati të ngriheshin, kur në orën 18:53, që ka mbetur e cituar si orë historike, një gazetar italian merr mikrofonin dhe i drejtohet Schabovskit: “Unë quhem Riccardo Ehrmann dhe përfaqësoj agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”. “Zoti Schabovski, ju folët për gabime të bëra. A nuk besoni që ishte një gabim i madh që këtë projektligj për lëvizjen e lirë e bëni me kaq vonesë?”

I lodhur, i përhumbur, si i përgjumur, me fjalë të përçarta, Schabovski përgjigjet: “Prandaj ne vendosëm sot të përcaktojmë rregulla që i bëjnë të mundur çdo qytetari të RDGJ të lëvizë lirshëm”.

Dhe gazetari italian e pyet përsëri: “Dhe kur do të hyjnë në fuqi këto rregulla?” Dhe Schabovski jep përgjigjen emblematike: “Tani, menjëherë!”

Është interesante të shënoj se për këtë deklaratë, më vonë, në kujtimet e tij, Schabovski do të shkruajë: “Unë lexova atë që më ishte shkruar nga qeveria si variant, por ai ende nuk kishte marrë formën e një vendimi të vlefshëm. Dhe unë e thashë atë: menjëherë… i paautorizuar. Bëra mirë!” I pari që foli në atë orë të vonë të 9 nëntorit, ishte legjendari Willy Brand: “Tani kemi një marrëdhënie të re midis dy shteteve gjermane. Tani do të rritet së bashku, ajo që na përket së bashku”. Kjo deklaratë e ish-Kancelarit Brand vazhdon edhe sot të konsiderohet më e spikatura. Në orën 19:04, pra 11 minuta pas kësaj deklarate të Schabovskit, Agjencia Zyrtare e Lajmeve e transmeton atë në mbarë botën. Ky ishte edhe fundi i murit, apo më saktë, fillimi i fundit të murit. Vetëm pak ditë më parë, as nuk bëhej falë në Lindje për këtë. Ishin ditët kur sundonte edhe anarkia, edhe kaosi, edhe presioni, edhe mashtrimet, edhe demagogjia, edhe “ndryshimet” kozmetike në Berlinin Lindor, por edhe në të gjithë RDGJ. E gjithë bota transmeton vetëm entuziazmin e orëve të mbrëmjes në Berlin, tashmë në të dyja anët. Ushtarët hapin kufirin pa pasur ndonjë urdhër, tamam në orën 22:30. Një natë e një gëzim i paparë. Tani muri ishte vetëm simbol i ndarjes mizore, kriminale të Berlinit, të Gjermanisë, të Europës.

LIRIA KISHTE TROKITUR FUQISHËM NË LINDJE 

Populli i kryeqytetit ishte edhe në gëzim, edhe në një hutim të madh. Akoma berlino-lindorët dyshonin se a duhej marrë seriozisht deklarata e Schabovskit. Oficerët e kufirit dhe ushtarët ende nuk kishin marrë asnjë urdhër për hapjen e kufirit. Gjithsesi, në Berlin njerëzit, me kalimin e orëve, nuk donin të dinin më. Vetëm në kufirin tokësor prej 1400 km, kishte ende ngurrime, në mjaft zona. Në një album për murin të Kai Dieckman, një ndër gazetarët dhe publicistët më të njohur gjermanë, për të cilin kam folur më sipër, kam parë një foto që ûet më shumë se çdo gjë për atë hutim të orëve të para, për atë mpirje të ushtarëve të kufirit. Pranë një trari, në një nga pikat e kalimit në Berlin, një qytetar gjermano-perëndimor i zgjat dorën me një fytyrë gjithë gëzim të papërmbajtur 2 studentëve të shkollës së Policisë, Toralf Jeschorek dhe Torsten Lenz-Fromrich. Ata kanë mbledhur duart pas shpine dhe nuk reagojnë. “Kjo ditë – thotë Fromrich, – na ndryshoi tërësisht jetën tonë”.

Dora zgjatej nga perëndimi. Një tra i kishte ndarë gjermanët për disa dekada dhe ata ende nuk donin të besonin se erdhi ora e lirisë.

Në librin e Dieckmann, më ka bërë përshtypje edhe një ngjarje e atyre orëve të para të mbrëmjes së 9 nëntorit. Herbert Jager, nënkoloneli STAS-it, tregon: “25 vjet me radhë kam shërbyer në pikën e kalimit pranë Bosebrucke (Ura e Keqe), midis pjesës së qytetit të Berlinit në Prenzlanerberg (Berlini Lindor) dhe Wedding të Berlinit Perëndimor…

Dëgjova deklaratën e Schabovskit kur po haja darkë në kantinën e pikës kufitare në Bolholmerstrase. Tani, menjëherë! Kjo nuk është e mundur.

Lashë darkën dhe takova dy vartës të mi. Ata nuk kishin mësuar ende gjë.

Pas një gjysmë ore, erdhën rreth 200 vetë për të kaluar në Perëndim. Ata mbështeteshin te deklarata e Schabovskit. Në atë moment, në një makinë policie erdhi një kolonel. Ai u drejtohet qytetarëve: është e pamundur t’ju lëmë të kaloni kufirin… Reagimi i qytetarëve ishte i madh. Ndërkohë, kishin ardhur edhe rreth 200 të tjerë. U formua një radhë e gjatë me njerëz dhe me makina. Më pas na erdhi një urdhër për një “zgjidhje ventil”. Kjo do të thoshte që të lejoheshin të kalonin njerëzit në perëndim, por të mos lejoheshin të ktheheshin përsëri mbrapsht. Pra, thjesht të shfrynte situata. Kush kishte marrë në pasaportë një vulë daljeje, çregjistrohej: ky ishte urdhri! Mijëra vetë tashmë, pa u menduar më gjatë, po drejtoheshin për në Schlaugbaum. Nuk përmbaheshin… Dhashë urdhër: hapini portat, lërini të kalojnë e lërini të kthehen kur të duan mbrapsht. E mora këtë vendim duke hequr çdo lloj kontrolli edhe për daljen në perëndim, edhe për kthimin në lindje. Pastaj informova eprorët për urdhrin që kisha dhënë”.

Qindra gjermanë mbanin në duar altoparlantë dhe u bënin thirrje kufitarëve të hapnin kufirin, në të gjithë vijën e tij në Berlin, të largoheshin nga kullat e vrojtimit dhe të bashkoheshin me popullin. Policia ishte e hutuar, ndërsa ushtarët e kufirit duket se nuk prisnin urdhra… Dhe vetëm në orën 23:00, ky “urdhër” mbërriti: kufiri ishte i hapur! Berlini ishte i tëri jashtë atë natë. Njerëzit ishin të papërmbajtur. Për herë të parë pas 5 dekadash, Porta e famshme e Brandenburgut, dëshmitare e qindra historive, u bë e kalueshme, pa letra, pa dokumente, pa leje kalimi… e po kështu edhe pika e rëndësishme e kalimit në Kurfürstendamm.

Udhëheqësi komunist, Egon Krenz, pasi informohet për situatën, u jep urdhër forcave të Policisë dhe Kufirit që “të mos pengojnë njeri që të largohet, sepse hapja e murit, nuk mund të pengohej më”. Ka dokumentarë shumë interesantë për këto momente historike. Dolën për në perëndim mijëra e mijëra vetë, por hynë për në lindje edhe nga Berlini Lindor. Në pamjet e filmuara, apo qoftë edhe nga fotot e panumërta, të albumeve të panumërta, duket një rregull i jashtëzakonshëm. Vetë njerëzit e kishin marrë në dorë situatën. Tani kalojnë kufirin dhe makinat e para lindore “Trabant” dhe “Wattburg”, në fakt shumë të dashura për gjermano-lindorët.

Kjo ishte dita që do të hapte shpresa të mëdha, që do të bashkonte në radhë të parë njerëzit e ndarë, Berlinin e ndarë, Gjermaninë e ndarë, Europën e ndarë. I ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik në R.D. Gjermane, Igor F.Maximytschew, në kujtimet e tij për 9 nëntorin do të shkruajë: “Ndërsa Günter Schabovski dha atë përgjigje, “tani, menjëherë!” si i përgjumur, nuk e dinte, nuk e kishte aspak të qartë që vetëm me këto 2 fjalë që tha, vendosi gurin themeltar të rënies së Republikës Demokratike Gjermane”.

(Kosova Sot Online)