Kush është inxhinieri nga Peja që u arrestua për atentat ndaj Enver Hoxhës

  • 17 dhjetor 2019 - 13:06
Kush është inxhinieri nga Peja që u arrestua për atentat ndaj Enver Hoxhës

Kjo është historia e panjohur të Namik Lucit, inxhinjerit me origjinë nga Peja i cili i detyruar nga shtypja e represioni i regjimit titist në Kosovë, në vitin 1961, ndërpreu studimet universitare për Kimi Industriale në Tuzlla të Bosnjës, dhe kthehet në vendlindjen e tij, Pejë, për t’u arratisur më pas drejt shtetit amë, Shqipërisë. Diplomimi në universitetin e Tiranës dhe karriera e shkëlqyer si inxhinier kimist në të gjitha veprat e pesëvjeçarëve dhe më pas në Uzinën e Superfosfatit të Laçit ku ai dhe u arrestua në vitin 1984 dhe u dënua 18 vite burg politik, duke u akuzuar se së bashku me disa bashkëpatriotë të tij me origjinë nga Kosova, do t’i bënin atentat Enver Hoxhës gjatë vizitës së tij në Krujë për inagurimin e Muzeut të Skënderbeut.

Ngjarjet e pranverës së vitit 1981 kur rinia studentore, inteligjencia dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën në protesta, revolta dhe demonstrata masive kundër dhunës e shtypjes së egër që po ushtronte regjimi titist i Beogradit ndaj tyre, patën një jehonë të madhe në mbarë opinionin botëror, si dhe në kancelaritë e Perëndimit, të cilat jo vetëm që ngritën zërin në mbrojtje të asaj popullsie martire, por e detyruan Beogradin zyrtar që të tërhiqte nga Kosova makinerinë e saj të luftës, që ishte angazhuar atje me gjithë arsenalin e saj.

Por, ndërsa ndaj popullsisë së pambrojtur kosovare, u rreshtua pothuaj e gjithë diplomacia ndërkombëtare, shteti amë, Shqipëria komuniste e asaj kohe, paradoksalisht, nuk bëri atë që duhej, kishte mundësi dhe i takonte të bënte. Edhe pse regjimi komunist i Tiranës, në dukje, u ngrit në mbrojtje të së drejtave të popullsisë kosovare, Enver Hoxha dhe rrethi i tij i ngushtë i udhëhqjes komuniste të asaj kohe, në parim ishin kundër statusit të republikës që kërkonte Kosova. Kjo, për faktin se ata kishin frikë dhe i druheshin formimit të një shteti tjetër shqiptar në Ballkan, pasi duke fituar Kosova statusin e Republikës, imazhi dhe benefitet e Shqipërisë do të binin ndjeshëm, pasi Perëndimi dhe gjithë shtetet e tjera të zhvilluara do të kthenin sytë nga Kosova.

Dhe kështu, izolimi ku e kishin futur ata Shqipërinë, do shtohej edhe me tepër. Nisur nga kjo, pikërisht pak muaj pas demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, regjimi komunist i Tiranës, nisi një fushatë të shfrenuar arrestimesh, burgosjesh dhe internimesh, të “emigrantëve” kosovarë (siç i cilësonte ai regjim kosovarët e ardhur në Shqipëri), me qëllim që të ulte në sytë e shqiptarëve, imazhin e kosovarëve, duke i etiketuar ata si spiunë të UDB-së, agjentë të Perëndimit, e gjithfarë shpifjesh të tjera.

Në kuadrin e kësaj fushate e cila u shtri në të gjitha ato qytete ku kishte “emigrantë” kosovarë, në vitin 1984, u arrestua edhe inxhinieri teknolog i talentuar i industrisë kimike në Shqipëri, Naik Luci. Bashkë me Namikun (i cili prej vitesh punonte dhe banonte familjarisht në qytetin e Laçit), në qelitë e ftohta të Sigurimit përfunduan edhe: Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, etj., ndaj të cilëve Sigurimi i Shtetit kishte montuar një nga akuzat më absurde dhe më të tmërshme: “Atentat ndaj udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe të Popullit”.

Sipas hetuesit te Degës së Punëve të Brendëshme të Krujës, Nexhat Selimi, i cili ishte dhe ideatori dhe formuluesi i akt-akuzës ndaj atij “grupi tepër të rrezikshëm armiqësor”, “grupi i kosovarëve”, do kryente atentatin në Muzeun e Krujës, ku udheheqësi kryesor (Enver Hoxha) do të shkonte për të bërë inagurimin e tij. Dhe si përfundim, “grupi armiqësor” i kosovarëve, fillimisht u dënuan me vdekje, dhe më pas “me zemërgjerësinë” e Partisë, dënimet e tyre zbritën: nga 25 vjet për “krerët e grupit” deri në 18 vjet, për Namik Lucin. Të gjitha këto ngjarje janë hedhur në një libër nga shokët dhe miqtë e afërt të Namik Lucit, i cili është përgatitur nga bashkëshortja e tij, Leno Luci, dhe Esat Myftari, (një nga shokët dhe njerzit më të afërt të Namikut që nga bankat e shkollës fillore të Pejës), ku më së shumti flitet për inxhinierin e famshëm teknolog të industrisë kimike, i cili u nda nga jeta më 7 mars të vitit 1998, atë ditë që në të gjithë Shqipërinë u zhvilluan tubime paqësore në mbështetje të Kosovës.

(Kosova Sot Online)