Histori pak e njohur: Si i shpëtoi Shqipëria çifutët nga nazistët

  • 28 January 2020 - 15:56
Histori pak e njohur: Si i shpëtoi Shqipëria çifutët nga nazistët

Në disa vende evropiane, makina vrasëse naziste kishte shpërthyer, por pak vende dukeshin më të dalluara dhe më të ndritshme për çifutët se Shqipëria.

Përmes shqiptarëve të rëndomtë, të cilët i dërgonin çifutët nga një vend i fshehtë në tjetrin për t’iu shmangur kapjes nga nazistët, Shqipëria i mbrojti të gjithë 200 çifutët autoktonë dhe 400 refugjatët çifutë nga Gjermania dhe Austria. Ky vend gjithashtu ofroi ndihmë për largimin e qindra çifutëve të tjerë nga tokat ballkanase të pushtuara nga nazistët.

“Shqipëria ishte njëra ndër vendet e pakta evropiane që kishte më shumë çifutë në fund të luftës, sesa në fillim të saj”, tha Michael Berenbaum, ish-drejtor i projektit të Muzeut Përkujtimor të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.

Historia e plotë e këtij shpëtimi doli në pah vetëm në fillimin e viteve të nëntëdhjeta, pas rënies së pushtetit jashtëzakonisht të errët dhe shtypës komunist dhe u konfirmua nga Yad Vashem, institut kërkimor për Holokaustin, në vitin 2007. Ky rrëfim u ritregua përsëri në dhjetor të vitit 2013 në Muzeun e Trashëgimisë Çifute në Nju Jork, ku folën pasardhësit e shpëtimtarëve shqiptarë dhe të shpëtuarve çifutë.

Shqipëria ka arsye praktike për ta bërë të njohur këtë histori. Ky vend po e kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por gjasat për t’u pranuar po i zvogëlohen nga korrupsioni i rrënjosur. Në kohën kur Shqipëria ka premtuar ta pastrojë qeverinë, tregimi për shpëtimin e çifutëve jo vetëm që e vë në pah zemërgjerësinë shqiptare, por edhe dëshmon se shqiptarët i mbajnë premtimet e tyre.

Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, thotë se rrëfimi për shpëtimin e çifutëve dëshmon se ndonëse vendi ishte i mbyllur në njërën prej regjimeve më të rrepta komuniste, populli i këtij shteti është fisnik dhe i aftë të ofrojë përkrahje me guxim si të gjithë të tjerët në Evropë.

Në një pjesë të madhe të Evropës, e ashtuquajtura Zgjidhje Përfundimtare ishte mjaft efektive: U vranë 90 për qind e 3.3 milionë çifutëve të Polonisë, 88 për qind e 240 mijë çifutëve të Gjermanisë dhe 77 për qind e 70 mijë çifutëve të Greqisë. Shifra të frikshme të ngjashme kishte edhe në vendet e tjera.

Ekspertët e kësaj periudhe thonë se shembulli i veçantë i Shqipërisë i ka rrënjët te besa, e cila i obligon shqiptarët të ofrojnë strehim dhe rrugëtim të sigurt për të gjithë njerëzit që kërkojnë mbrojtje, veçanërisht nëse është dhënë premtimi për një gjë të tillë. Dështimi për ta mbajtur këtë premtim, sipas kësaj tradite, sjell humbje të nderit.

“Në besë përfshihet mbrojtja e pakompromis e mysafirit, edhe atëherë kur duhet të sakrifikohet jeta”, kishte shkruar Shirley Cloyes DioGuardi, organizatore e tubimit në Nju Jork, burri i së cilës, Joseph H. DioGuardi, e kishte vizituar Shqipërinë në pjesën e parë të viteve të nëntëdhjeta dhe kishte ofruar ndihmë për zbulimin e hollësive të shpëtimit të çifutëve, shkruan “New York Times”.

DioGuardi thotë se një shpjegim tjetër për këtë vepër të shqiptarëve është se në Shqipëri, vend katolik deri në pushtimin osman dhe konvertimin në Islam në fillim të shekullit të XV-të, përkatësia etnike ka qenë gjithmonë para fesë dhe besimi është më pak se i zellshëm. “Ne e dinim se armiqtë tanë dëshironin ta përdornin religjionin për të na përçarë dhe për të na pushtuar, por ne e dinim se e kemi gjakun e njëjtë”, tha Akim Aliçkaj, një shqiptar etnik i rritur në Kosovë, pronar i një agjencie të udhëtimeve në Nju Jork, babai i të cilit kishte dhënë ndihmë për t’i shpëtuar çifutët. “Feja ndryshon, por kombi dhe gjaku nuk mund të ndryshojnë”, shtoi ai.

Kur nazistët hynë në Shqipëri në shtator të vitit 1943, duke e marrë kontrollin nga fashistët italianë, të cilët ishin më pak të ashpër, dy banorë çifutë të Vlorës – Rafael Jakoel dhe vëllai i tij – u takuan aty me kryetarin e qytetit. Sipas mbesës së Jakoel-it, Felicita, ai u kishte thënë: “Përderisa jeni këtu, nuk keni pse të brengoseni, por gjermanët janë gjermanë, prandaj është më mirë të shkoni në kryeqytet.”

Rafael Jakoel dhe vëllai i tij shkuan në Tiranë për t’u takuar me ministrin e brendshëm të asaj kohe, Xhafer Devën, i cili shërbente në atë që dukej të ishte qeveri fashiste që bashkëpunonte me nazistët. Ky ministër madje ua kishte treguar listën me çifutët që po kërkohen nga gjermanët. Sidoqoftë, besa kishte ndikim aq të fuqishëm, saqë ai nuk e kishte dorëzuar listën, thotë Jakoel.

Ministri u kishte thënë: “Për aq kohë sa ne jemi këtu, ju nuk keni arsye për t’u brengosur, por nëse neve na ndodh diçka, ju duhet të kujdeseni për veten.”

(Kosova Sot Online)