“Kosovarët të vijnë si turistë dhe të bëjnë propagandë të mirë, por Sigurimi i Shtetit do ketë telashe…”/ Porosia e Enverit, pas raportit sekret të Feçor Shehut

  • G.G /
  • 29 June 2020 - 10:02
“Kosovarët të vijnë si turistë dhe të bëjnë propagandë të mirë, por Sigurimi i Shtetit do ketë telashe…”/ Porosia e Enverit, pas raportit sekret të Feçor Shehut

Dashnor Kaloçi/ Publikohet një dokument arkivor, nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme me siglën “Tepër sekret”, i cili i përket vitit 1980, ku Ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Feçor Shehu, informon sekretarin e parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxhën lidhur me shqiptarët e Kosovës dhe atyre të visve të tjera në Jugosllavi që do të vinin si turistë në Shqipëri.

Sipas raportit të Ministrit të Punëve të Brendëshme, nga 2847 shtetas të huaj të ardhur si turistë në Shqipëri në periudhën korrik-gusht të vitit 1980, 74 prej tyre dyshoheshin si agjentë të zbulimeve të huaja dhe nga ata, 46 ishin nga Jugosllavia, shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Shënimi i Enver Hoxhës mbi raportin e Sigurimit të Shtetit, ku ai sugjeron që “kosovarët do të vijnë në Shqipëri si turistë dhe të bëjnë propagandë të mirë, por kjo gjë natyrisht që do i krijojë probleme dhe telashe Sigurimit të Shtetit, se nuk ka punë pa telashe…”?!

Përpara tre katër vjetësh, në një nga pronocimet e rralla të saj në shtyp, e veja e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë, Nexhmije Hoxha, foli edhe për problemin e shumëdiskutuar në media, atë për “korigjimin e kufijeve të Kosovës”. Ndërmjet të tjera ajo vuri në dukje “dashurinë e madhe që kishte pasur Enver Hoxha për Kosovën dhe se çfarë kishte bërë ai për Kosovën dhe kosovarët….”?!

Pa dashur të komentojmë fjalët e saj, është vëndi të thuhet se; dihet botërisht fati tragjik i emigrantëve kosovarë që erdhën në Shqipëri nga viti 1949 e deri në shëmbjen e regjimit komunist, pasi që nga viti 1991 e në vazhdim, janë bërë publike me dhjetra e dhjetra dokumente arkivore apo dëshmi të ndryshme, se si një numër shumë i madh shqiptarësh të Kosovës apo nga vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, kanë vuajtur në burgjet apo kampet e internimeve të Shqipërisë komuniste.

Janë të njohura tashmë historitë e kampit të internimit në Llakatund të Vlorës, i hapur enkas që në fillimin e viteve ’50-të, për “sistemimin” e emigrantëve shqiptarë që vinin këtej kufirit nga represioni i egër serb dhe kryesisht politika rankoviçjane. Në atë kamp, por dhe të tjera kampe internimi në fushat e Myzeqesë etj., kanë kaluar disa vite një kalvar të rëndë edhe emra të njohur tashmë, si studjues, historian, shkrimtarë, artistë etj., njerëz të letrave, si: Nazmi Berisha, Esat Myftari, Gani Demiri Ratkoceri, Kapllan Resuli, Sadri Ahmeti, Namik Luci, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, Selim Kelmendi, Preloc Margilaj, Zef Gjeloshaj, etj., etj., ku shumë prej tyre vdiqën burgjeve të atij regjimi.

Por pa hyrë fare në këto histori që tashmë janë shumë të njohura, se cila ka qenë “dashuria” e Enver Hoxhës për Kosovën dhe kosovarët, veç të tjerash na e bën të ditur një dokument arkivor i vitit 1980, ku Ministri i Brëndshëm i asaj kohe, Feçor Shehu, ndërmjet të tjerash e informon Enver Hoxhën edhe mbi ata shqiptarë të Kosovës apo të viseve të tjera në Jugosllavinë e asaj kohe, që vinin si turistët në Shqipëri.

Kështu, sipas dokumentit në fjalë, vetëm për periudhën korrik-gusht 1980, nga 2847 persona të ardhur si turistë në Shqiperi, 74 prej tyre dyshoheshin si agjentë të zbulimeve të huaja, dhe nga këta, 46 ishin nga Jugosllavia. Pra jo vetëm nga sa më sipër cituam, por i gjithë brezi që e ka jetuar atë kohë e kujton fare mirë se mbas çdo kosovari, regjimi komunist shikonte një agjent të UDB-së?!

Letra e Feçor Shehut për Enver Hoxhën në vitin 1980

DISA PROBLEME ME TE HUAJT

Gjatë muajve korrik-gusht, në vëndin tonë kanë ardhur 2847 të huaj, nga të cilët 245 tregtarë, 12 specialistë,, 123 shoferë, 369 vizitorë, 1527 turistë, 104 të ftuar, 467 në grupe kulturore-sportive.

Duke ndjekur qëndrimin e sjelljen e këtyre të huajve me vigjëlencë, me takt e korrektësi për të mos shkaktuar shqetësime, organet e Sigurimit të Shtetit kanë përcaktuar në rradhët e tyre si të dyshimtë (kuadro dhe agjentë të zbulimeve të huaja) 74 persona, prej të cilëve 46 të ardhur nga Jugosllavia (7 janë marrë në përpunim).

Në kuadrin e ardhjes së të huajve përparësi i kem i dhënë ardhjes nga Kosova e vëndet e tjera shqiptare në Jugosllavi, nga këto gjatë muajve korrik-gusht kanë ardhur 545 persona, nga të cilët 205 vizitorë-turistë, 122 në grupe kulturore-sportive, 14 të ftuar dhe 16 tregtarë dhe specialist.

Për të ardhmen mendojmë të vazhdojmë kështu, duke i dhënë npërparësi ardhjes së shqiptarëve nga Kosova e viset e tjera si vizitorë dhe të mos aplikojmë ardhjen e tyre me grupe turistike, për arsye se:

Jep mundësinë jugosllavëve të shfrytëzojnë këto gruupe turistike për të future persona nga të gjitha kombësitë dhe ndërmjet tyre të kamuflojë më lehtë agjenmtë të vet, të cilët kanë lidhje familjare me persona me qëndrim të keq politik në Shqipëri.

Personat që vijnë me grupe turistike, në bazë të marrëveshjes së Turizmit me firmat e huaja, shqyrtohen e miratohen vetëm si grupe e numur, gjë që vështirëson punën e organeve të Sigurimit në marrjen e masve paraprake e në vazhdim për kontrollin dhe zbulimin e veprimtarisë armiqësore.

MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME

(FEÇOR SHEHU)

Shënimi i Enver Hoxhëm te raporti i Feçor Shehut

Për çështjen e kosovarëve, ne veçanërisht duhet të bëjmë më shumë, të vinë të shohin dhe të bëjnë propagandë të mirë. Sigurimi sigurisht që do të ketë telashe, pse pa telashe s’bëhet, por duhet peshuar, anët pozitive dhe anëet negative të turistëve kosovarë me grupe të organizuara. Ne e bëjmë këtë për të huajt, jo për shqiptarët kosovarë.  

(Kosova Sot Online)