Editoriali: Parada

  • 11 October 2017 - 17:18
Editoriali: Parada

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute (NDI) "Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor", Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon. Por, pas mbajtjes në Prishtinë, për herë të parë të "Paradës së Krenarisë", e cila, sipas organizatorëve, kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për largimin e paragjykimeve ndaj komunitetit LGBTI, me siguri ky perceptim duhet të jetë pak më i zbutur. Niveli i pjesëmarrjes në këtë ngjarje dhe mbarëvajtja e saj janë dëshmi se shoqëria jonë nuk është homofobe, por e emancipuar. Natyrisht, si në çdo mjedis tjetër, edhe në vendin tonë, nuk mungojnë zërat dashakeqë, urrejtjenxitës, por të cilët nuk përfaqësojnë mentalitetin e përgjithshëm që u shfaq edhe dje me rastin e organizimit të paradës. Kosova është një demokraci e re, duke nxjerrë mësime gjatë ecjes sfiduese në procesin integrues, ku tema që më herët kanë qenë tabu, tashmë janë hapur për opinionin, mediet dhe institucionet. Është shumë me rëndësi, që edhe të drejtat e këtij komuniteti të trajtohen me kujdesin maksimal ligjor, shtetëror dhe human, por nga ana tjetër, nuk duhet që të injorohet asnjëherë toleranca dhe mirësjellja që tregojnë qytetarët tanë, pavarësisht rrethanave jo gjithnjë dashamirëse për secilën kategori shoqërore. Ka gjithnjë një debat të pandalshëm, që jo rrallë eskalon në qarqe dhe nivele të ndryshme, në studio televizive, në rrjete sociale, për pjesëtarët e këtij komuniteti, prandaj trajtimi i kësaj tematike kërkon vazhdimisht ndjeshmëri të posaçme. Mos të harrojmë se edhe në vendet e përparuara ka probleme të theksuara në këtë aspekt. Sidoqoftë, është me rëndësi që para ligjit të gjithë të trajtohen të barabartë, sepse problem i vërtetë i Kosovës është pikërisht ky, diskriminimi jo thjesht mbi bazën e orientimit seksual, por sepse qytetarët e thjeshtë janë të sunduar nga një oligarki që edhe shfaqjen e saj në parada, si e djeshmja, e bën, me siguri, sa për sy e faqe.

(Kosova Sot)