Editoriali: Një ndëshkim qesharak

  • 19 October 2017 - 17:07
Editoriali: Një ndëshkim qesharak

Rasti i Enver Hasanit, që dje mori një epilog të pritshëm në Gjykatë, është ilustrim i degradimit të sistemit tonë të drejtësisë. Në vendin tonë të sunduar, të pafajshmit mbahen në paraburgim edhe më shumë se një vit, ndërsa një zyrtar me peshë shpëton paq, edhe pse mund të ketë bërë keqpërdorime të rënda në pozitën që e ka pasur. Mënyra se si shqiptohen verdiktet e gjyqësisë kosovare, është dëshpëruese në njërën anë për shoqërinë tonë, ndërsa inkurajuese në anën tjetër për të gjithë ata që ambicien kryesore e kanë pasurimin përmes paligjshmërive të ndryshme, si në rastin e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës. Me logjikën e këtyre dënimeve qesharake ndaj figurave të njohura publike, që në momente të caktuara u kanë shërbyer konjukturave në pushtet, me vendimet e nxjerra (rastet e Gjykatës Kushtetuese) përcillet mesazhi më i keq i mundshëm. Keqbërësit që janë me mijëra në secilin nivel të pushtetit dhe kur shohin se si amnistohen shkelësit flagrantë të ligjit, motivohen të mos ndalen në veprimtarinë e tyre inkriminuese. Pra, kur një zyrtar ka abuzuar me fonde dhjetëra- mijëra euro, e në fund i shpëton burgut, shokët e tij në institucione publike, në kompani e në borde, në agjenci e në ministri, në ambasada e në konsullata, në universitete e në spitale, në polici, në prokurori e në gjykata, angazhohen që të vjedhin sa më tepër që munden. Ndëshkueshmëria e tillë, që në fakt është amnisti e krimit, u shkon për shtat të korruptuarve dhe nuk është e rastësishme. Me një drejtësi të kapur nga mafio-politika dhe mafio-oligarkët, që është në shërbim të korporatokracisë dhe nëntokës, nuk mund të presim shtet të së drejtës asnjëherë. Gjyqtarët dhe prokurorët tanë shohin gjithnjë nëse mund të gjejnë ndonjë viktimë, qytetar të pambrojtur, për ta kryqëzuar për pesë euro, por kursehen maksimalisht, kur është fjala për të dhënë dënimin e merituar, si në rastin e ishkryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është, thjesht, dëshpëruese dhe skandaloze. Reforma duhet ndërmarrë urgjentisht, për ta këndellur këtë sistem të kalbur tashmë!

(Kosova Sot)