Editoriali: Abuzimi i pandëshkuar

  • 27 October 2017 - 16:53
Editoriali: Abuzimi i pandëshkuar

Deputetët, si zakonisht, e kaluan me një votë pro raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, duke debatuar, por pa arritur ndonjë përfundim konkret apo nismë të re, që të adresohen të gjeturat dhe të ketë rezultate konkrete, bazuar në të gjeturat e auditorëve. Kjo praktikë, e cila është e lejuar me ligj në fakt, mundëson që thjesht për plot shkelje e keqpërdorime në institucionet e të gjitha niveleve mundëson që zyrtarët abuzues të shpëtojnë nga ballafaqimi me ligjin. Në raportin e paraqitur në seancën e djeshme janë gjithsej 1300 rekomandime, ndërsa krahasuar me vitin paraprak është shtuar numri i rekomandimeve për 13 për qind. Ndërkohë, vetëm 26 për qind e tyre janë zbatuar plotësisht, 38 për qind nuk janë zbatuar, ndërsa 36 për qind sosh janë zbatuar pjesërisht. Ligji i butë ia mundëson ZAPit që vetëm të bëjë rekomandime, duke e zbehur kështu fuqinë e këtij institucioni të rëndësishëm për punën që bën dhe mandatin që ka. Në pamundësi që të ndërmarrë masa të tjera, ZAP-i i ka sugjeruar Qeverisë që të kërkojë nga organizatat buxhetore të zbatojnë rekomandimet e auditorit. Ka shumë aspekte, për të cilat Kuvendi do të duhej të caktonte seanca të veçanta, që të diskutohen problemet dhe të gjenden zgjidhjet përkatëse, në mënyrë që asnjë institucion, asnjë zyrtar, të mos i bëjë bisht llogaridhënies. Për shembull, në rastet kur për shkak të zyrtarëve të paaftë ose të korruptuar shteti detyrohet të humbasë konteste gjyqësore dhe të paguajë miliona në arbitrazhe duhet të ketë masa ndëshkimore ndaj zinxhirit vendimmarrës, që shkakton dëme të tilla të pariparueshme. Një shembull tjetër, që nxirret në pah nga ZAP-i, është performanca me humbje e kompanive publike, menaxhmentet dhe bordet e së cilave kanë superpaga, ndërsa shërbimet që ofrojnë të dështuara. Nëse ZAP-i çka mund të bëjë është të konstatojë shkeljet, Kuvendi mund të kërkojë përgjegjësi, ndërsa drejtësia, po të mos ishte kështu si është, do të vihej në lëvizje, për të adresuar përgjegjësitë penale të dhjetëra zyrtarëve. Por, me këtë traditë, të gjithë do ia hedhin paq, faji do mbetet jetim, ndërsa milionat humbasin në xhepat e të inkriminuarve. 

(Kosova Sot)