Editoriali: Mafia e miellit

  • 03 November 2017 - 17:06
Editoriali: Mafia e miellit

Taksa prej 40 euro për një ton miell të importuar nga Serbia, edhe pse e vonuar, është e mirëseardhur, sepse inkurajon prodhuesit vendorë, të cilët po përballen me falimentimin në tregun e çrregulluar dhe të ndikuar nga oligarkët. Njëri prej këtyre të fundit, top importues nga Serbia, ishte i vetmi që e kundërshtoi publikisht masën antidumping, të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, duke iu bashkuar kështu shtetit fqinj, që sigurisht preket nga reagimi shtetëror i Kosovës. Por, është detyra e shtetit që në radhë të parë të mbrojë sipërmarrjen vendase, prodhuesit që mezi ia dalin, në kushtet e një konkurrence të vështirësuar, aspak të ndershme dhe të monopoleve, që ende janë të fuqishme në disa sektorë. Të kujtojmë se kjo masë ndaj miellit të importuar nga Serbia erdhi pas shumë raportimeve mediatike dhe ngritjes së zërit nga bizneset e prekura, sipas të cilave mafia e miellit, që nga Rusia, në Serbi, po pushtonte tregjet në Kosovë e Shqipëri, përmes partnerëve të tyre oligarkikë, të përkrahur edhe nga qarqe të korruptuara politike, duke u fshehur nën ombrellën e CEFTA-s. Janë rreth 20 mijë fermerë që merren me prodhimin e grurit dhe sa më të mbështetur që janë ata nga shteti, aq më shumë ulet varshmëria e tregut kosovar nga mielli i importit. Plot mullinj janë mbyllur pikërisht për shkak të konkurrencës së padrejtë, që vjen nga Serbia, ku prodhuesit janë të subvencionuar dhe çmimi i tyre godet ndjeshëm bujqit kosovarë. Qeveria nuk duhet të ndalet vetëm me rastin e grurit, por të reagojë me vendosmëri, ndaj çdo rasti, ku cenohen interesat e prodhuesve kosovarë dhe ku rrezikohet shëndeti i konsumatorëve. Mos të harrojmë, skandalin e grurit të importuar nga Serbia, si produkt për kafshë, që u tregua në Kosovë si ushqim për njerëzit. Kjo është një betejë e ashpër mes oligarkëve që kontrollojnë tregun dhe prodhuesve vendorë që duan më në fund vëmendjen e shtetit. Por, pa e goditur mafinë e miellit dhe çdo mafi tjetër, ekonomia jonë nuk mund të ecë përpara.

(Kosova Sot)