Editoriali: Të uritur për pushtet dhe zhvatje

  • 06 November 2017 - 17:12
Editoriali: Të uritur për pushtet dhe zhvatje

Skena politike kosovare është degraduar tej mase, saqë më nuk duhet askush të befasohet për asnjë koalicion që ndodh apo pazar që bëhet mes politikanëve që deri dje konsideroheshin rivalë të ashpër e brenda natës shndërrohen në partnerë qeveritarë. E tërë kjo skemë mafio-politike na tregon të gjithëve se qëllimi i partive nuk është zhvillimi i vendit, as rritja e mirëqenies së qytetarëve, por përfitimi korruptiv, kriminal, mbi kurrizin e taksapaguesve. Mjafton t'ua shihni xhirollogaritë, veturat, shtëpitë, shkollat ku i çojnë fëmijët e spitalet ku marrin shërbime mjekësore, vilat ku pushojnë e shpenzimet marramendëse që bëjnë. Një pakicë njerëzish, të veshur me pushtet, që sundojnë partitë e tyre dhe tash e sundojnë edhe Kosovën, vendosin gjithmonë në favor të interesit të tyre personal, të klaneve që u shërbejnë, të familjarëve. Ajo që shohim çdo ditë e më shumë është një maskaradë politike, ku tentohet t'u hidhet hi syve të opinionit publik, ndërsa në prapaskenë Kosova po zhvatet deri në palcë. Pas çdo veprimi të pushtetit janë interesat e oligarkëve në radhë të parë. Ata e kanë privatizuar këtë vend, prandaj sot kemi më pak investitorë, më shumë biznese të falimentuara. Edhe qeveria aktuale projeksionin e vet ekonomik e ka te 4 përqindëshi, çka do të thotë se nuk do të ketë vende të reja pune, nuk do të ketë rritje të mirëqenies, por ajo që është e sigurt - politikanët do t'i dyfishojnë pasuritë e tyre, ndërsa shumica e kosovarëve do të varfërohen edhe më tutje. Pushteti planifikon t'i rrisë rrogat dhe privilegjet e veta, por jo ta liberalizojë tregun, të ndalë monopolet e kontrabandën, sepse nga këto të fundit ka përfitime të jashtëzakonshme. Politikanët tanë janë bërë turpi i kombit. Ata jetojnë në vila milionëshe, që i kanë blerë me korrupsion, ndërsa njerëzit në këtë vend nuk ngopen dot me bukë. Nëse vërtet dikush paska luftuar për këtë lloj Republike, atëherë le të dalë e të na e thotë!

(Kosova Sot)