Editoriali: Republika e të papunëve

  • 20 December 2017 - 17:05
Editoriali: Republika e të papunëve

Agjencia e Statistikave të Kosovës raportoi se papunësia në vend është rritur krahasuar me vitin e kaluar. Kur kjo e dhënë vjen nga një institucion shtetëror, ku zakonisht statistikat përdoren për të justifikuar deri diku paaftësinë qeveritare, kuptohet se realiteti mund të jetë edhe më kritik në këtë aspekt. Gjatë këtij viti nuk kemi parë asnjë investim serioz, por vetëm gara të njëpasnjëshme elektorale, luftë të ashpër për pushtet dhe formimin e një qeverie megalomane, që do t'ia kishte zili edhe Kina. Rritja e papunësisë është tregues i qartë i një qeverisjeje të dobët, që nuk do të arrijë me këtë trend të ringjallë shpresën ekonomike dhe të shtyjë përpara ambiciet për zhvillim. Pushteti aktual, punësimin e sheh përmes emërimit të një armate të tërë zv.ministrash e këshilltarësh, shpikjen e pozitave publike të panevojshme dhe kontratave mbi vepër për qindra militantë partiakë. Papunësia mbetet problemi kryesor, ndërsa edhe më shqetësuese është përqindja e të rinjve që janë të papunë. Sipas raporteve më të reja, mbi 60 për qind e të rinjve kosovarë nuk kanë një punë. Kosova sot është në një gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike. Gati një e katërta e buxhetit, rreth 400 milionë euro, dedikohen për skemat sociale. Mijëra familje jetojnë në asistencë, ndërsa duhet të mbijetojnë me një euro në ditë. Sfidë tjetër është fuqia punëtore e pakualifikuar. Edhe pse çdo vit, mijëra vetë i shtohen tregut të punës të diplomuar, shumë prej tyre nuk janë të aftë për të gjetur një punë. Detyra e Qeverisë është pikërisht hartimi dhe zbatimi i politikave të drejta arsimore dhe ekonomike, por e tëra kjo do të jetë e kotë, nëse nuk garantohet tregu i lirë dhe konkurrenca e ndershme. Një Qeveri, që mbështet monopolet dhe oligarkët, nuk mund të sjellë asnjë të mirë për ushtrinë e të papunëve, që e izoluar siç është nuk ka nga t'ia mbajë derisa të liberalizohen vizat!

(Kosova Sot)