Editoriali: Kush e solli Gjykatën Speciale?

  • 09 January 2018 - 17:08
Editoriali: Kush e solli Gjykatën Speciale?

Kur e kuptuan se vetë mund të ishin në mesin e të akuzuarve, krerët e vendit u aktivizuan menjëherë, që të tregonin muskujt. Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nëse vetëm pak do të kishte pasur një qëllim të drejtë përtej interesit të ngushtë të ndonjë pushtetari të rrezikuar, do të kishte kuptim. Por, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Faji për krijimin e Speciales nuk ka pse të kërkohet as te Dik Marti, as te Serbia, as te Rusia, as te BE-ja dhe as te SHBA-ja. Përgjegjësia kryesore bie mbi njerëzit që po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën që prej vitit 1999. Pak ka rëndësi nëse ishin në opozitë dikur, apo kur erdhën në pushtet. Është garnitura e njëjtë që udhëheq herë nga nëntoka, e herë në ekzekutiv. Për të zhvatur me lehtësi çdo gjë publike dhe për të rrënuar sipërmarrjen private, që duhej detyrimisht të vihej nën urdhrat e oligarkëve, këta të fundit futën nën kontroll të gjithë mekanizmat e drejtësisë, polici, hetuesi, prokurori, gjykata, shërbim informativ. Edhe kur niste ndonjë proces gjyqësor, zakonisht drejtohej kundër rivalëve politikë që shantazhoheshin pa fund. Drejtësia prej vitesh e humbi kuptimin dhe Kosova, në vend që të bëhej shteti i së drejtës, u shndërrua në një xhungël ligjore, ku të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin të paprekshëm. Disa komandantëve lavdia e luftës u shërbeu për turpin e paqes. Në rrethanat e tilla nuk pati as përpjekjen më të vogël, që të krijohej mekanizmi i veçantë në Kosovë, që do të trajtonte edhe dyshime të hedhura në raportin e Dik Martit. Si rrjedhojë, politikanët kosovarë u detyruan ta votonin vetë një të tillë, por që për shkak të sigurisë, vendndodhjen do ta kishte diku tjetër. Specialja është edhe një sfidë e fortë për Kosovën, por vendi duhet të tregojë se ka forca se nuk i shmanget detyrimeve ndërkombëtare. Kryeministri aktual, kur dha dorëheqje pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës, e dha një shembull të mirë. Tash, mund ta japë dikush tjetër, me pozitë gjithashtu të lartë. Le të mos e sakrifikojmë shtetin për interesat e ndonjë lideri, cilido qoftë ai!

(Kosova Sot)