Editoriali: Ju flet vrasësi X!

  • 13 January 2018 - 17:07
Editoriali: Ju flet vrasësi X!

Spektakle mediale me vrasës të dënuar 30 vjet burg mund të bëhen vetëm në vende me anarki ligjore dhe medie të kontrolluara, siç është Kosova. Me afrimin e veprimit të Gjykatës Speciale, performanca të tilla televizive mund të shohim sërish. Reagimet janë të llojllojshme, të pritshme dhe kryesisht ndahen në dy grupe. I pari, që vlerëson se nëse skema e vrasjeve është e tillë, siç thotë vrasësi X, atëherë Gjykata Speciale ka qenë e domosdoshme. Grupi i dytë, potencon se nëse vrasësi X paska njohuri për gati të gjitha vrasjet e pasluftës, atëherë ja ku qenka dëshmitari dhe Gjykata Speciale qenka e panevojshme. Por, pavarësisht se çfarë thonë reaguesit apo çfarë komplotojnë politikanët e frikësuar nga një përballje eventuale me drejtësinë ndërkombëtare, Gjykata Speciale tashmë është një realitet i pakthyeshëm, me të cilin do të duhet të përballemi sigurisht gjatë këtij viti. Për fat të keq, pushteti ka nisur të lëkundet përballë kësaj sfide, ndërsa ata që dje rrahën gjoks para SHBA-së dhe BE-së, se do t'i shkojnë deri në fund ballafaqimit me ligjin, sot hapur kanë dalë kundër. Disa oligarkë, që mund të jenë edhe të akuzuar potencialë në proceset gjyqë- sore të Speciales, po i përdorin të gjitha levat që i kanë në dispozicion, për të dalë të larë në këtë histori të pazbardhur ende. Në këtë mes nuk kursehen as mediet, që janë mashë e ndonjë lideri, për të vjellë sa më shumë në opinionin publik, për të nxitur tensione dhe për të njollosur njerëz. Një vrasës i dënuar me 30 vjet burg nuk jep intervistë, pa ia dhënë lejen shefat, e këta të fundit dihet se kush janë, kanë emër e mbiemër. Afera "Pronto" na ka dëshmuar, se sistemi i drejtësisë është në duart e dytre të pushtetshmëve, që kanë një rrjet të tërë bashkëpunëtorësh, të cilët u shërbejnë verbërisht. Kjo është skandaloze, por kjo drejtësi që kemi, definitivisht është një mjerim i vërtetë dhe e shpjegon më së miri se pse e kemi sot Gjykatën Speciale. 

(Kosova Sot)