Editoriali: Kriminelët që s'u ndëshkuan!

  • 16 January 2018 - 17:16
Editoriali: Kriminelët që s'u ndëshkuan!

Mëngjesi i 15 janarit para 19 vjetësh ishte i rëndë jo vetëm për Reçakun e Kosovën, por tronditi opinionin e gjerë ndërkombëtar. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më të forta janë kujtimet për këtë ngjarje tragjike, ku u vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo masakër ishte vendimtare për bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe, kundër regjimit gjenocidal të Milosheviqit. Në Reçak u vërtetua edhe më mirë politika serbe e terrorit sistematik, e gjenocidit shtetëror dhe krimit kundër njerëzimit, që mori përmasa të mëdha në vitet 1998 dhe 1999. Denoncimi që i bëri këtij krimi makabër ambasadori Wiliam Walker ishte një akt i jashtëzakonshëm sensibilizues për fatin e Kosovës, që përshpejtoi reagimin e fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare. Gati dy dekada më pas, ky përvjetor na rikthen vëmendjen te momentet e rënda që ka kaluar populli ynë për të realizuar idealet e kamotshme për liri e pavarësi, për shtet të së drejtës e për demokraci të konsoliduar. Serbia nuk është përgjigjur për krimet që bëri në Kosovë, ndërsa si për ironi të fatit, sot shteti ynë ballafaqohet me një Tribunal të ri, që do të gjykojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gati dy dekada nuk mjaftuan, që të ketë drejtësi për viktimat, për familjarët e tyre, sepse në Kosovë nuk u konsolidua sistemi i drejtësisë, ndërsa Serbia, me politikën e saj të mbrapshtë, arriti ta luajë rolin e viktimës, për ta drejtuar gishtin e akuzës ndaj shqiptarëve. Po ku mbetën mijëra shqiptarë të vrarë, femra të përdhunuara mizorisht, ku mbetën miliarda e miliarda euro dëme të shkaktuara ndaj qytetarëve, bizneseve, për të cilat përfaqësuesit tanë politikë nuk e hapën gojën kurrë në Bruksel?! Vendosja e drejtësisë është kushti kryesor, që duhet përmbushur nëse vendet tona do t'i kthehen normalitetit një ditë, ashtu siç shkruhet në strategjitë respektive dhe dokumentet e BE-së. Sot, duhet të jemi bashkë me familjarët e viktimave dhe të ngremë zërin më shumë, për drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve e urdhërdhënësve të masakrave.  

(Kosova Sot)