Editoriali: Vrasje në veri

  • 17 January 2018 - 17:06
Editoriali: Vrasje në veri

Vetëm pak kohë pasi SHBA-ja paralajmëroi se në veri të Kosovës mund të ketë incidente, duke mos përjashtuar sulmet terroriste, njëri nga politikanët me ndikim të pakicës serbe është vrarë para zyrës së tij. Kjo ngjarje e rëndë ka rikthyer vëmendjen në pjesën veriore, që praktikisht nuk kontrollohet as pas 18 vjetësh prej autoriteteve shtetërore të vendit. Edhe pse ka pasur disa zhvillime pozitive sa i përket integrimit të serbëve në institucionet e ligjshme, megjithatë paligjshmëritë kanë vazhduar, duke e mbajtur këtë pjesë të Republikës në një gjendje anarkie, të përshtatshme për grupet e ndryshme kriminale. Ivanoviq ka qenë një prej kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, kur edhe ishte arrestuar i dyshuar për krime lufte. Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2017 kishte vendosur për gjykimin e tij sërish, pasi që në vitin 2016 ishte dënuar me 9 vjet burg për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000. Gjykimi i sërishëm kishte nisur më 24 mars të vitit 2017 dhe më 21 prill Ivanoviqit i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte mundësuar mbrojtja në liri. Vrasja e tij mbetet enigmatike, por efekti politik ka qenë i menjëhershëm. Në Bruksel Serbia është tërhequr nga vazhdimi i negociatave ndërmjet delegacioneve teknike, duke kërkuar edhe përfshirjen në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit. Autoritetet kosovare duhet të japin maksimumin për të hedhur dritë mbi këtë akt të rëndë, por kjo nuk do të jetë e lehtë. Në pjesën veriore ishte vrarë edhe polici Enver Zymberi, por kjo vrasje mbeti e pazbardhur. Kosova po kalon në momente të ndjeshme dhe siguria goditet nga akte të tilla, që mund të nxisin edhe dhunë mes grupeve etnike. Politikanët, sidomos ata serbë, duhet të jenë të kujdesshëm, të mos spekulojnë e të mos nxisin reagime të pamatura. Destabilizimi nuk i shërben asnjë qytetari të Republikës së Kosovës, prandaj secili që ka informacion të kontaktojë organet përkatëse, për të zbardhur krimin.

(Kosova Sot)