Editoriali: VV-ja, (a) do të vetëpastrohet nga korrupsioni dhe krimi!

  • 22 January 2018 - 17:15
Editoriali: VV-ja, (a) do të vetëpastrohet nga korrupsioni dhe krimi!

Për shumëkënd, në mungesë të informatave të vërteta, vjet Lëvizja 'Vetëvendosje' u pa gabimisht si një alternativë dalëse nga kriza. Sidomos pas koalicioneve PAN dhe LAA, ku ishin grupuar subjektet e konsumuara e të inkriminuara në pushtet. Por, nuk vonoi shumë dhe shpërtheu edhe publikisht kjo tullumbace e inkriminuar politike. Gjithfarë rrymash, individësh dhe klanesh mafioze kishin depërtuar në radhët e këtij subjekti, që falë vendosmërisë së Albin Kurtit ishte shndërruar në simbol të rezistencës kundër regjimit. Por, përplasja e fortë kishte nisur brenda saj mes grupeve që përfaqë- sonin qëllime të ndryshme qysh në nëntor 2016. Në njërën anë ishin mbështetësit e Kurtit, ndërsa në anën tjetër Shpend Ahmeti me shokët e tij të inkriminuar në krim, tanimë të dorëhequr. Të parët, ende shpresojnë se partia është një organizatë, ku sakrifica për shtet kinse është parësore dhe anëtarët duhet të bëjnë gjithçka për idealet e shenjta kombëtare e shtetërore. Të dytët janë me këmbë në tokë dhe lajtmotiv e kanë përfitimin e miliona eurove përmes korrupsionit e krimit të organizuar! Nën udhëheqjen e Albin Kurtit, që hapur u kërkon të gjithë atyre të cilët angazhohen në 'Vetëvendosje' mundësisht të jenë më pak të pasur sesa kur ishin jashtë saj. Me një fjalë, VVja dhe pushteti që mund të administrojë nuk duhet të kapitalizohen në të mirë të veprimtarëve, aktivistëve, por vetëm në të mirë të shoqërisë e qytetarëve. Asnjë parti në Kosovë nuk e lejon as të përmendet një frazë e tillë. Të gjitha partitë te ne, si pronë private e liderëve të tyre, janë shndërruar në korporata të dyshimta kriminale dhe pushtetin e shohin vetëm si mundësi për pasurim, përmes zhvatjes e korrupsionit, abuzimit e shpërdorimit të së mirës publike. Lëvizja 'Vetëvendosje' ka qenë këmbëngulëse dhe për shumë vjet ka mashtruar e gënjyer qytetarët në disa tema dhe rritja e saj më së paku u ka konvenuar oligarkëve aktualë të Kosovës. Largimi i disa emrave të njohur, që kanë pushtet, nuk është i rastësishëm, por i porositur nga qarqet që i frikësohen forcimit të një partie, e cila nuk do të mund të vepronte e pastër. Zgjedhjet e brendshme pa garë të vërtetë, me dy e më shumë kandidatë, e zbehin frymën demokratike të VV-së, por nga ana tjetër janë mundësi e mirë që të nxjerrin mësim nga gabimet e mashtrimet, dhe të dekriminalizojnë radhët, për të mos ua goditur shpresën mijëra votuesve që besuan në mungesë të informatave të vërteta nga brenda VV-së, se me Kurtin në krye kinse mund të vijë ndryshimi i madh. 

(Kosova Sot)