Editoriali: Pushteti është më helmues se ajri!

  • 30 January 2018 - 17:15
Editoriali: Pushteti është më helmues se ajri!

Rritja alarmante e shkallës së ndotjes së ajrit në Prishtinë ka vënë në lëvizje struktura e pushtetit lokal dhe atij qendror, të cilat kanë paralajmëruar në mënyrë të paqartë disa masa konkrete, njëra prej të cilave është edhe ndalimi i hyrjes në Prishtinë të mijëra veturave. Ndërkohë, Kuvendi ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar në lidhje me situatën tashmë kritike, nëse kemi parasysh edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, që të mos hapen dritaret dhe të vendosen maskat! Institucionet duhet të jenë transparente në shpjegimet e tyre për ndotësit që e kanë sjellë kryeqytetin dhe Kosovën në këtë gjendje të rrezikshme. Së pari, kur flitet për veturat, duhet të bëhet e qartë se vetëm vitin e kaluar dhjetëra mijëra vetura të vjetra mbushën vendin tonë, duke shtuar kështu potencialin ndotës. Edhe pse formalisht, kur zhdoganohet një veturë, duhet të plotësohet standardi mjedisor i djegies së karburantit sipas parametrave të BE-së, një gjë e tillë nuk përfillet kurrë. Nga ana tjetër, kur automjetet kalojnë kontrollin teknik, kjo bëhet sa për sy e faqe, ndërsa lejohet që në trafik të dalin vetura që kalojnë shumëfish kufizimet e lejuara të ndotjes së ajrit. Nga ana tjetër, shteti sikur po mundohet ta anashkalojë faktin se blloqet e KEK-ut janë ndotësit më të mëdhenj, sidomos blloku B, që lejohet kundërligjshëm të punojë pa filtra! Urgjentisht, duhet të përfillet ligji dhe rregullat për mjedisin, që të ndalet një ndotje e tillë. Shkaktar tjetër i ndotjes është edhe ngrohja përmes thëngjillit, që vështirë se mund të kontrollohet nga inspektorët e Komunës apo të Qeverisë. Në të gjitha këto raste, për shkak të interesave biznesore, pushtetarët qëllimisht nuk e kanë vënë ujin në zjarr, që të ndërmarrin diçka. Ndërkohë, nga plot shembuj shihet se njerëzit po e pësojnë gjithnjë e më shumë nga sëmundjet respiratore, kancerogjene etj., që ndërlidhen me ajrin e ndotur që depërton në mushkëritë tona. Organet përkatëse duhet të tregojnë se sa është rritur numri i vdekjeve nga këto lloj sëmundjesh, ndërsa shoqëria duhet të reagojë fuqishëm, sepse nëse ia lëmë këtij pushteti të bëjë diçka, do të na kontaminojnë edhe brenda shtëpive tona!

(Kosova Sot)