Editoriali: Ndotja që vret

  • 31 January 2018 - 17:03
Editoriali: Ndotja që vret

Pacientët kanë vërshuar QKUK-në si pasojë e sëmundjeve që shkaktohen përmes rrugëve respiratore, për shkak të rritjes alarmante të ndotjes së ajrit në Prishtinë. Ky dimër po kalon në rrethana emergjente të ndotjes, ndërsa vetëm këto ditë institucionet duket se e kanë marrë vesh se kjo ndotje është vdekjeprurëse. Por, për fat të keq, shteti, agjencitë përkatëse, dikasteret qeveritare, kompanitë publike, ndotësit e mëdhenj, inspektoratet, nuk janë duke e kryer punën e tyre ashtu si duhet. Ambienti është thjesht një fjalë anonime për të gjitha qeveritë në Republikën e Kosovës. Kuvendi ka thirrur një seancë të posaçme për të diskutuar në lidhje me ndotjen e ambientit dhe kjo është një shenjë e mirë se mund të bëhet diçka, por deputetët duhet të jenë të përgatitur që të dinë se çka do të kërkojnë gjatë diskutimeve të tyre. Nëse ligjvënësit kosovarë do të udhëhiqen, siç bëjnë rëndom, nga interesat e lobeve biznesore, nëntokës kriminale dhe mafio-politikës, atëherë pak shpresa ka që një seancë e tillë të sjellë ndonjë rezultat konkret. Parlamenti, si organi më i lartë ligjvënës dhe mbikëqyrës i të gjitha agjencive publike, duhet të kërkojë llogari në mënyrë të rregullt për çështjet ambientaliste dhe të kërkojë marrjen e masave për të gjithë ata zyrtarë që bëhen pengesë dhe nuk e përfillin zbatimin e ligjeve dhe rregullave përkatëse. Puna e parë që duhet të bëjnë autoritetet është të kërkojnë nga KEK-u respektimin e standardeve mjedisore, që shkelen rregullisht nga blloqet e stërvjetruara. Dikujt i konvenon kjo situatë e rëndë, prandaj edhe e lejojnë vazhdimin e kësaj ndotjeje. Nga ana tjetër, në Kosovë është dyfishuar përdorimi i thëngjillit, sidomos si lëndë djegëse për ngrohje, dhe kjo është skandaloze. Shteti duhet të nxisë dhe të krijojë mundësi për të përdorur masa të tjera alternative për ngrohje. Kuvendi, gjithashtu, duhet të thërrasë në raportim ekspertët shëndetë- sorë, që ta tregojnë të vërtetën e pasojave në shëndetin e njerëzve, si pasojë e ndotjes së shtuar. Masat nuk duhet të improvizohen, por të hartohet një plan konkret për zvogëlimin e ndotjes, që të ruajmë shëndetin e qytetarëve tanë. 

(Kosova Sot)