Editoriali: Pazaret territoriale dhe presidenti që nuk i zihet besë - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Pazaret territoriale dhe presidenti që nuk i zihet besë

Editoriali: Pazaret territoriale dhe presidenti që nuk i zihet besë

Presidenti i vendit ka mohuar zërat se ai mund të jetë përfshirë në planet për ndarjen e Kosovës, por asgjë që ai thotë, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, e sidomos javëve të fundit, nuk është për t'i zënë besë. Nëse do të bënim një listë të deklaratave të tij të paqëndrueshme vetëm gjatë kësaj dekade të shtetësisë, do të duheshin faqe të tëra. Mjafton të marrim marrëveshjet që ka nënshkruar, me gjasë plot prej tyre edhe pa i lexuar fare, për t'u bindur se veprimet politike të këtij "lideri" në përfundim të karrierës kanë qenë vazhdimisht në kundërshtim me interesat e Republikës. Jo rastësisht, ai u ngrit kundër një marrëveshjeje ndërkombëtare që e mbështeti vetë, fillimisht për Gjykatën Speciale, duke e nxjerrë veten të zbuluar përballë opinionit publik. Kreu i shtetit ka vënë nënshkrimin e tij kudo ku ai ka llogaritur se mund të fitojë pikë për veten e tij, pavarësisht kompromiseve të dhimbshme për vendin që ka bërë ai. Duke blerë e duke shantazhuar politikanë të të gjitha partive, presidenti aktual arriti të mbijetojë deri tani, edhe pse partia e tij ka humbur terren elektoral të konsiderueshëm drejt greminës politike. Pazari për territorin mund të duket një spekulim medial, por pikërisht protagonistët e medieve të shitura e mercenare në Kosovë, që lansojnë kryesisht spekulime të tilla, janë këshilltarët kryesorë dhe ndërmjetësues të presidentit kosovar dhe jo vetëm. Ata i sheh sa në prehrin e Vuçiqit, sa në gjirin e ledhatuar të Edi Ramës. Kuvendi duhet të vendosë një standard të ri në dialogun me Serbinë, në kohën kur presidenti serb po i mëshon gjithnjë e më shumë idesë së një kompromisi përfundimtar gjithsesi për çështjen e Kosovës. Politika kosovare duhet të nxjerrë mësim nga (vetë)mashtrimet e mëhershme, për të mos lejuar që t'i lihet një personaliteti tepër të dyshimtë dhe të pabesueshëm tashmë, që të marrë vendime në emër të shtetit. Ashtu siç e katranosi me kufirin me Malin e Zi, edhe më zi do ta bënte në rastin e marrëveshjes të cilën Kosova dhe Serbia detyrohen ta nënshkruajnë vitin e ardhshëm!

(Kosova Sot)

13 orë e 24 minuta më parë
14/12/18