Editoriali: Sa zhgënjyes ky përvjetor!

  • 17 February 2018 - 17:30
Editoriali: Sa zhgënjyes ky përvjetor!

Kjo e shtunë është ditë feste, por le të mos e gënjejmë veten më: Pavarësia na dha një shans të jashtëzakonshëm, të cilin politika jonë e mbrapshtë e shqelmoi me sa fuqi kishte! Që nga dita e parë, ai 17 shkurt 2008, kur një milion euro u bënë rrush e kumbulla nga sundimtarët gjoja në emër të festës e deri sot, miliarda euro janë shpërdoruar, kanë përfunduar në xhepat e oligarkëve, familjarëve dhe shërbëtorëve të tyre partiakë, klanorë,medialë, biznesorë, banditë. Që nga shpallja e pavarë- sisë së Republikës së Kosovës, të paktën mbi dyqind mijë kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Këto janë shifrat zyrtare, pa llogaritur sa mijëra që nuk janë lajmëruar. I madh e i vogël përpiqet se si të ikë nga ky vend i pashpresë, i sunduar, i zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion të jashtëzakonshëm. Në këtë përvjetor të dhjetë, edhe më optimisti i dikurshëm është me shpatulla për muri. Njerëzit e Kosovës së pavarur janë të gatshëm të braktisin gjithçka për të shpëtuar nga diskriminimi, padrejtësitë, abuzimet, nënshtrimi, pasiguria, mjerimi social, papunësia rekord dhe varfëria ekstreme. Ekonomia është në duart e pushtetarëve që janë bërë miliarderë dhe po transferojnë paratë e zhvatura në parajsat fiskale bashkë me bizneset kriminale. Një grup i vogël kontrollon çdo gjë në këtë shtet. Kosova është bërë El Dorado e krimit, me informalitet mbi 40 për qind, kontrabandë dhe krim ekonomik, monopole që janë në duart e oligarkëve të lidhur me pushtetin, të cilit ia mbushin rregullisht gushën. Deficiti tregtar po i afrohet 3- miliardëshit në vit, ndërsa sipërmarrja private është në grahmat e fundit. Të gjesh në punë duhet t'i shërbesh një partie apo të japësh mitë, sepse profesionalizmi nuk kryen punë. Lidershipi aktual ia rrënoi shpresën qytetarit kosovar. Sa më shumë përvjetorë që do të presim me një udhëheqje të tillë, aq më e zbrazur do të jetë Kosova dhe një ditë, sundimtarët do të festojnë vetëm me shpurën e tyre. Sa zhgënjyes ky përvjetor!

(Kosova Sot)