Editoriali:Qeveri teknike dhe reforma të mëdha!

  • 20 February 2018 - 17:09
Editoriali:Qeveri teknike dhe reforma të mëdha!

Çdo ditë që kalon është humbje me Qeverinë aktuale, e cila është krejtësisht e varur nga Beogradi dhe nëntoka kriminale. Me lidership të shantazhuar, duhet ta harrojmë se Kosova mund t'u bëjë ballë sfidave që na presin, si: Gjykata Speciale, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përmbylljen e dialogut me Serbinë, krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Paralajmërimi dhe më pas shtyrja e seancës për Demarkacionin, dëshmon se koalicioni në pushtet nuk i ka numrat as pas një deklaratë tepër mashtruese që e kanë nënshkruar presidentët e Malit të Zi dhe Kosovës. Nga ana tjetër, në prag të vazhdimit të bisedave teknike në Bruksel, serbët kanë shtuar presionet për riaktualizimin e Asociacionit, që sipas Gjykatës Kushtetuese bie ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë. Gjithashtu, Lista Serbe e ka bërë sërish të qartë se kategorikisht është kundër krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Ndërkohë, në këto rrethana politike, kur jo rastësisht u hap prapë debati për ndarjen dhe pazaret territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund t'i zihet besë një njeriu si presidenti i vendit, i cili këshillohet e rrethohet nga mbështetës të dyshimtë për lidhjet dhe shërbimet e tyre ndaj Beogradit. Opozita kosovare duhet të luajë një rol, të cilin deri tash ka harruar ta bëjë, duke u ngritur mbi interesat e ngushta politike, për t'i dhënë vendit një zgjidhje dhe frymëmarrje të re. Demarkacioni duhet të ratifikohet, ndërsa Qeveria aktuale të bjerë, për t'i lënë vendin një Qeverie të re teknike. Partitë detyrimisht duhet të bien dakord për VETTING-un, dekriminalizimin, Ligjin antimafia, reformën zgjedhore dhe pasi të kryhen këto, vendi të shkojë në zgjedhje e qytetarët të vendosin se kush do t'i udhëheqë. Kjo është alternativa dalëse nga kriza, prandaj sa më parë pushtetarët heqin dorë nga interesat personale, aq më shpejt do të përshpejtohet edhe ecja e Kosovës në rrugën evropiane. 

(Kosova Sot)