Editoriali:Izolim dhe përjashtim

  • 01 March 2018 - 17:19
Editoriali:Izolim dhe përjashtim

Presidenti i Komisionit Evropian, JeanClaude Juncker, e bëri sërish të qartë se pa miratuar Demarkacionin dhe pa luftuar korrupsionin, nuk ka liberalizim vizash. Ndërsa, pikërisht në ditën kur delegacioni i nivelit të lartë të BE-së erdhi në Prishtinë, Kuvendi i Kosovës, sërish u tall me qytetarët, duke dështuar në tentativën e radhës për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje dhe ky Kuvend duhet të shpërbëhet, sepse Kosova do të shkojë prapa me këtë udhëheqje të papërgjegjshme. Çdo vendim dhe veprim që u ndërmor deri tash nga pushtetarët është në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e shoqërisë për ndryshime pozitive. Kudo ku prek politika, gjithçka kontaminohet. Nuk është e rastësishme, që si pasojë e kapjes së çdo sektori vijnë edhe ndëshkimet në rrafshin ndërkombëtar, ku mezi janë hedhur disa hapa gjatë këtyre viteve. Kështu, përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) po konsiderohet si goditje e rëndë për arsimin kosovar. Ky përjashtim ka ardhur si rrjedhojë e shkarkimit skandaloz e të paligjshëm që ia bëri Qeveria Bordit të Agjencisë, duke dërguar në krye të këtij institucioni të rëndësishëm njerëz të politizuar. Arsimi i lartë, sidomos ai privat, është një biznes i majmë në Kosovë, sepse qarkullon dhjetëra milionë euro duke trafikuar diploma, kryesisht pa vlerë në tregun e punës. Në këtë sferë, pronarët e kolegjeve kanë joshur zyrtarë nga të gjitha nivelet shtetërore, duke shkaktuar kështu një konflikt të pastër interesi. Nga ana tjetër, arsimi i lartë publik është lënë në mëshirën e fatit, i politizuar tej mase, ku nuk mbeti komandant e partiak, pa u bërë profesor! Pas përjashtimit, Agjencia e Kosovës për Akreditim më nuk shihet si kredibile nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa rrezikohet që diplomat kosovare të kontestohen. Për fat të keq, asnjë reagim nuk vjen nga Qeveria, e cila mban përgjegjësinë kryesore për këtë hap prapa të arsimit kosovar. 

(Kosova Sot)