Editoriali: Pashallarët e Kosovës - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Pashallarët e Kosovës

Editoriali: Pashallarët e Kosovës

Kuvendi debatoi dje në lidhje me vendimin skandaloz të Qeverisë, që ia dyfishoi vetes pagat, por më pas u detyrua ta pezullojë atë pas ndërhyrjes së Agjencisë Antikorrupsion dhe dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Opozita e shfrytëzoi rastin për të sulmuar kryeministrin, por nëse opozitarët do të ishin në vendin e tij, njësoj do të vepronin. Ky Kuvend, flet sa për sy e faqe, sa për t'i hedhur hi syve të opinionit të gjerë publik, sepse kur është fjala te rrogat, privilegjet, mëditjet, bonuset, nafta për vetura zyrtare dhe automjetet luksoze, mbushjet telefonike dhe telefonat me çmimin më të lartë në treg,drekat e darkat me pije super të shtrenjta, të gjithë janë bashkë. Paraja dhe interesat e ngushta, korruptive, klanore,partiake, kriminale, i bashkojnë gjithnjë të gjithë deputetët dhe partitë e tyre. Ata nuk janë të gatshëm që së pari t'ia nisin nga vetja e tyre, për të reduktuar fondet e pamerituara dhe abuzive që marrin. Rroga e një deputeti nuk ka pse të jetë pesëfish më e madhe se një rrogë mesatare. Eventualisht mund të jetë dy herë më e lartë, por jo më shumë. Nga ana tjetër, deputetët, shumica, kanë punë dhe biznese, por përveç rrogës së majme, paguhen ekstra për çdo seancë, çdo mbledhje komisioni. Ky është një shpërdorim i jashtëzakonshëm i pushtetit në këtë vend të varfër. Një këshilltar i kryeparlamentarit merr rrogë mujore, aq sa merr një familje në gjendje të rënde sociale për dy vjet! Ka anomali të mëdha në sektorin e pagave dhe ky Kuvend, që ka kompetencë dhe fuqi ligjore, të vërë rregull kurrë nuk e ka bërë një nivelim të denjë. Arsyeja është e thjeshtë. Njerëzit që udhëheqin kompanitë publike, bordet, agjencitë e pavarura, janë të afërm, militantë partiakë, të lidhur në zinxhirin e trashë klientelist me deputetët dhe këta të fundit nuk ua prishin rehatinë atyre. Pushteti në Kosovë përfaqëson pashallarët e demokracisë, që, falë popullit të urtë dhe të durueshëm, po vazhdojnë të na sundojnë!

(Kosova Sot)

20 orë e 21 minuta më parë
13/12/18