Parlamenti dhe Qeveria, kukullat e Presidentit sundimtar

  • 14 November 2018 - 16:58
Parlamenti dhe Qeveria, kukullat e Presidentit sundimtar

Edhe pse retorika e tyre nganjëherë të krijon përshtypjen se kryeministri dhe kryeparlamentari nuk ia bëjnë "rrafsh" kreut të shtetit, kur ky i fundit flet për territoret dhe nuk heziton ta shtyjë përpara planin për ndarjen e Kosovës, e vërteta duket të jetë krejtësisht ndryshe. Me gjasë, sa herë që flasin dhe bëjnë se gjoja e kundërshtojnë presidentin, i pari i Qeverisë dhe i Kuvendit, paraprakisht mund të jenë marrë vesh me të. Kjo mënyrë komunikimi me opinionin publik e mban gjallë gjithmonë njëfarë shprese se dikush do ta ndalë aventurën presidenciale, dikush do ta shpëtojë veriun nga aneksimi prej Serbisë. Por, frika për realizimin e planit monstruoz, që tkurr territorin e Republikës sonë, është më e madhe se kurrë, sidomos pas fotografisë së Thaçit me Putinin. Rusia dihet se mbështet çfarëdo marrëveshjeje, e cila i shkon për shtati Serbisë, e kësaj të fundit është e qartë se çka i konvenon në bisedimet me Kosovën. Këtë fakt të rëndësishëm bëhet sikur e injoron presidenti ynë, sepse atij nuk i interesojnë pasojat, por vetëm rezultati. Qëllimi i tij është i njohur për mbarë popullin-t'i japë diçka Serbisë, në këmbim të njohjes! Terreni politik është krejtësisht në dorën e presidentit. Ai e kontrollon Qeverinë dhe e shantazhon atë, e dirigjon Kuvendin dhe e manipulon sa herë që i intereson ta bëjë një gjë të tillë. Për sa kohë kemi një Kuvend e një Qeveri kukull, rezultati është lehtësisht i parashikueshëm. Asnjë marrëveshje sado e dëmshme nuk mund të ndalet, sepse nuk ka kush ta ndalë. Politikanët kosovarë shumica janë të inkriminuar,të shitur, të shantazhuar, pa integritet dhe kurajë për të vepruar. Kjo klasë politike kurrë nuk ka qenë më e manipulueshme se tash, prandaj edhe rreziku i ndarjes së Kosovës është shumë shqetësues. Vetëm qytetarët mund ta ndalin këtë projekt djallëzor, nëse zgjohen nga gjumi sa nuk është bërë vonë. 

 

(Kosova Sot)