Përgjumja shqetësuese e opozitës kosovare

  • 16 November 2018 - 17:10
Përgjumja shqetësuese e opozitës kosovare

Të gjithë pajtohen se situata kurrë nuk ka qenë më e rëndë, në të gjitha aspektet. Politika është më e mbrapshtë se asnjëherë më parë, ekonomia, pavarësisht shifrave mashtruese të Qeverisë, është nën sundimin e oligarkëve që kontrollojnë monopolet dhe pushtetin, gjendja sociale është alarmante në arsim, në shëndetësi etj. Varfëria ka pllakosur popullatën dhe thuajse është në zhdukje shtresa e mesme. Tashmë ka një pakicë që sundojnë dhe i kanë paluar miliardat, e një shumicë që vuan pasojat e një regjimi të egër antidemokratik dhe antiligjor. Vetë këta që janë në pushtet, eksponentë të njohur të partive të tyre, e pohojnë këtë situatë të vështirë, në të cilën e kanë sjellë vendin qeverisjet e dështuara dhe të korruptuara, por pushtetarët kuptohet se nuk mërziten, pasi synimin kryesor e kanë të shtojnë pasuritë e paligjshme, të zhvatin sa të munden. Ku është opozita në këtë moment kaq të keq për Republikën? Nëse opozitarizmi nënkupton disa refrene 'Facebook'-u, ndonjë komunikatë për media apo disa paraqitje televizive, atëherë është tërësisht i pasinqertë dhe i destinuar për të mos pasur sukses. A kërkoni ju opozitarë zgjedhje të reja? A kërkoni ju rrëzimin e Qeverisë së inkriminuar dhe shkarkimin e presidentit që po e ndan Kosovën? Nëse e keni seriozisht, ndërmerrni një aksion të besueshëm politik. Çka nënkupton kjo? Është fare e thjeshtë. Lëvizni nga karriget ku keni lëshuar rrënjë dhe dilni në terren, takohuni me njerëzit e lodhur nga sundimi i despotit dhe klikës së tij kriminale, motivojeni popullin për ndryshime dhe paraqiteni alternativën dalëse. E keqja nuk ndalet me konferenca të mërzitshme shtypi dhe retorikë boshe, por me protesta popullore, së cilave duhet t'u prijë opozita. Fatkeqësisht, partitë opozitare nuk janë aspak të vendosura për ta rrëzuar qeverinë hajdute dhe presidentin e kapur nga Rusia dhe Serbia. Të fotografohesh me armikun numër një të pavarësisë dhe të mos pasojë qoftë edhe një protestë e vetme nga opozita, kjo ndodh vetëm në Kosovë. Flini, flini!

 

(Kosova Sot)