Qeveri skandaloze, Kuvend joserioz

  • 17 November 2018 - 17:16
Qeveri skandaloze, Kuvend joserioz

Sa më shumë bëhet skandaloze Qeveria, aq më joserioz bëhet edhe Kuvendi. Dështimi i radhës i një seance të thirrur për diplomacinë kosovare, është edhe një ilustrim i degradimit të legjislativit kosovar. Nganjëherë të krijohet përshtypja se nuk ka kurrfarë komunikimi mes përfaqësuesve të institucioneve shtetërore. Kuvendi thërret seancë, ministri i Jashtëm mungon, kryeministri nuk është e kështu, pa prezencën e zyrtarëve kryesorë dështon edhe debati parlamentar. Në rastin e diplomacisë, kjo nuk është e rastësishme, por e qëllimshme, sepse drejtuesit e MPJ-së dhe kryeministri nuk kanë kurajë të ballafaqohen me deputetët. Është fare e thjeshtë të kuptohet arsyeja. Kurrë më keq nuk ka qenë imazhi i Kosovës në botë. Kurrë më dobët nuk ka qenë përfaqësimi diplomatik i shtetit tonë. Kurrë më degraduese nuk ka qenë performanca e ministrit të Jashtëm. Që nga koha e zgjedhjes së kësaj Qeverie, jo vetëm që nuk ka njohje të reja, por disa shtete e kanë tërhequr aktin e njohjes. Nga ana tjetër, hapja e temës së territorit nga presidenti Thaçi në dialogun me Vuçiqin i ka bërë skeptike shumë vende të tjera e si rrjedhojë, nuk ka pse të befasohemi nëse do të dëgjojmë për tërheqje të tjera të njohjes së pavarësisë. Tërë atë arritje historike të Kosovës deri në konfirmimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ky pushtet po e zhvlerëson brenda pak muajsh, duke na kthyer disa vjet prapa. Debati parlamentar do të ishte një evidencim i rëndësishëm i skandaleve diplomatike, gafave të vazhdueshme, sharlatanizmit të MPJ-së dhe kreut të saj në veçanti. Por, Qeveria i shmanget ballafaqimit me të vërtetën, sepse e di që duhet ta pranojë të vërtetën për dështimet e shumta. Kush e përfaqëson sot Kosovën në botë?! Sa e sa militantë partiakë, familjarë të politikanëve, persona të inkriminuar kanë gjetur strehë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës…Ata, pra, janë imazhi i shtetit tonë dhe merret me mend se çfarë fotografie ka Republika në sytë e botës.

 

 

(Kosova Sot)