Oligarkët përfitojnë edhe nga taksa

  • 22 November 2018 - 16:52
Oligarkët përfitojnë edhe nga taksa

Vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, menjëherë pas dështimit të Kosovës për t'u anëtarësuar në Interpol, është një vendim i drejtë, por sa do të zgjasë dhe sa është analizuar, mbetet të shihet. Ajo që është e qartë për opinionin publik, vendimi rrodhi si hakmarrje politike ndaj fushatës së egër lobuese të Serbisë kundër vendit tonë dhe si rrjedhojë, e zhvendos vëmendjen nga një dështim diplomatik i Qeverisë kosovare. Ashtu siç edhe pritej, reagimet e para janë në favor të Qeverisë, me përjashtim të deklaratave nga Beogradi dhe Brukseli, që kërkuan shfuqizimin e taksës. Pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë. Përse e mori këtë vendim një Qeveri e kritikuar si zhvatëse e buxhetit dhe e dobët, sidomos në aspektin ekonomik? Kosova sot bën tregti me gjithë botën, ndërsa vëllimi tregtar kryesisht dominohet nga partneritetet me shtete që nuk na njohin, si: Serbia, Kina, Brazili etj. Vetëm 10 për qind kur u rrit taksa ndaj Serbisë e Bosnjës, importet u përgjysmuan, prandaj mund ta parashikojmë me lehtësi se sa shumë do të bjerë tregtia me Serbinë, nëse taksa 100 për qind mbetet në fuqi. Në këtë mënyrë, Kosova do t'i tregojë fqinjit problematik se nuk mund të na luftojë dhe të na sabotojë pafundësisht, pa pasur pasoja. Megjithatë, është e sigurt, se edhe në këtë vendim, oligarkët në pushtet kanë menduar se si të përfitojnë. Ata e dinë shumë mirë se çka importohet nga Serbia dhe në çfarë vlere qindra milionëshe brenda vitit. Secili produkt është i zëvendësueshëm kudo në botë. Në oborrin qeveritar qarkullojnë emra tregtarësh, biznesmenësh të dyshimtë për mënyrën se si e kanë rritur biznesin e tyre. Me siguri i kanë marrë masat për të mbuluar nevojat e tregut, që deri sot përmbushej nga Serbia, por nesër duhet të ketë burime të tjera importi. Sidoqoftë, kjo mbetet të zbardhet në javët e ardhshme, nëse kjo Qeveri do të jetë e aftë të mbijetojë duke tensionuar marrëdhëniet edhe me BE-në, ndërsa në anën tjetër presidenti i vetmuar flirton me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës.

 

(Kosova Sot)