Shteti vazhdon të jetë i kapur

  • 26 November 2018 - 17:16
Shteti vazhdon të jetë i kapur

 Pushteti gjithnjë arrin ta zhvendosë përkohësisht vëmendjen nga hallet kryesore të qytetarëve tanë, duke shfrytëzuar një arsenal mediatik që e ka nën kontroll. Sidoqoftë, të vërtetën e njohur për kapjen e shtetit nuk mundet assesi ta errësojë asnjëherë. Mes këtyre që na qeverisin ka një pakt për të ndarë gjithçka, pra me një fjalë për të zhvatur secili në hisen e vet. Në këtë eufori të ditëve të fundit, qeveritarët tentojnë të mburren me vendosmërinë për të aplikuar masa reciprociteti ndaj një shteti kundërshtar të pavarësisë siç është Serbia. Po, ku ishin këta gjatë tërë këtyre viteve, ku miliarda e miliarda përfunduan në xhepat e mafio-oligarkëve? Një pjesë e këtyre miliardave shkuan për të financuar politikanët e korruptuar, që vazhdojnë të jenë mbi ligjin dhe të sfidojnë demokracinë tonë të brishtë. Kapësit e shtetit janë të njëjtët, pavarësisht pozicionit politik në pozitë ose në opozitë. Mes tyre ka një marrëveshje të heshtur për të mbajtur sferat e kontrollit. Dikush kontrollon drejtësinë, tjetri doganat, njëri ATK-në, të tjerët monopolet. Janë të bashkuar rreth zhbërjes së themeleve të shtetësisë, sepse u intereson vetëm përfitimi material, duke nisur nga i pari i shtetit e te zyrtari më i parëndësishëm. Instalimi i këtij mentaliteti zhvatës të gjithçkaje publike dhe rrënues të çdo ndërmarrjeje private që nuk e kontrollon oligarkia, po lë pasoja të rënda në të tashmen dhe të ardhmen e Republikës. Mjafton të hidhni një sy në ndërmarrjet publike që punojnë me humbje, janë të mbushura me militantë, kushërinj të pushtetarëve, hajna ordinerë. Jemi në buzë të kolapsit, edhe pse Qeveria përpiqet të thotë të kundërtën. Me këtë ritëm të zhvatjes, brenda pak vjetësh, falimentimi do të jetë tema e ditës. Atëherë mund të jetë vonë. Ndërkohë, një grusht politikanësh autoritarë që ashtu siç sundojnë partitë e tyre, ngjashëm bëjnë kërdinë edhe në institucione, do të jenë shndërruar në miliarderë, nëse veç nuk janë bërë tashmë. Një drejtësi e fortë do të na duhet, për t'i dërguar aty ku e meritojnë, që të përgjigjen para drejtësisë për vjedhjen e madhe që po ia bëjnë këtij populli të varfër. 

(Kosova Sot)