Edi…kur s'ke ç'i bën gomarit, i bie samarit

  • 27 November 2018 - 16:57
Edi…kur s'ke ç'i bën gomarit, i bie samarit

Kryeministri i Shqipërisë e la në hije mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë, me fyerjen që na e bëri në mesin tonë. Edhe pse Edi Rama është i njohur për banalitetet që lëshon gjithandej, kësaj radhe fjalët e tij të rënda kishin megjithatë një peshë të veçantë. Me gjuhën vulgare dhe nënçmuese ndaj një populli të tërë, lideri socialist, sikur deshi të na thoshte se qëndron fuqishëm prapa presidentit të Kosovës në marrëzinë territoriale të këtij të fundit. E, duke qenë kështu, bindja e Ramës se tradhtari nuk është kurrsesi Hashim Thaçi, është e shpjegueshme, por natyrisht, aspak e besueshme. Një lider shqiptar, që miqtë më të afërt nga Kosova i ka bashkëpunëtorët e Serbisë, nuk arrin asnjëherë të fitojë besimin e njerëzve të vendit tonë. Si një oligark tashmë i regjur i pushtetit, i lidhur me oligarkët e biznesit, në partneritet me homologët e tij kosovarë, Edi Rama mund të shtrijë ndikimin e tij aty ku i intereson, te leku! Prandaj, mbështetja e tij e parezervë për presidentin tonë, që e shkel Kushtetutën hapur, është solidaritet me krimin dhe tradhtinë. Cenimi i territorit është tradhti kombëtare, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Por, nuk mund të presim ndonjë Ramë patriot as në këtë rast. Para se të ndërtohej Rruga e Kombit, ai bënte thirrje kundër realizimit të këtij projekti me rëndësi strategjike. Kur u bë dhe erdhi në pushtet, nuk mund ta çndërtonte, prandaj e vuri një gjobë për të gjithë shqiptarët, me fondet e të cilëve edhe ishte ndërtuar. Po të vareshin kufijtë nga kryeministri aktual i Shqipërisë, kushedi si do të rrudhej Kosova. Shqiponja që e bëri ai dhe të tjerët në mbledhje e djeshme të qeverive, nuk është simbol i krenarisë kombëtare, por gjest mashtrimi. Sa e sa marrëveshje e memorandume i kanë bërë deri tani, Tirana e Prishtina, por në praktikë has vetëm pengesa. Tradhtarë janë politikanët mashtrues, si Thaçi e Rama, që na premtuan mrekulli e na dhuruan ligësi e prapësi të pafund, andej e këndej kufirit. Kritikët e tyre janë shpresa për ndryshim!

 

(Kosova Sot)