Sundimtarët nuk e duan bashkimin, por përfitimin

  • 29 November 2018 - 17:15
Sundimtarët nuk e duan bashkimin, por përfitimin

Para 106 vjetësh, shqiptarët e themeluan shtetin e tyre, në rrethana mbijetese, kur zhbërja e kombit ishte afër. Historia tregoi se populli ynë ishte i aftë t'i rezistonte shuarjes, luftërave, përplasjeve, shpërnguljeve, shovinizmit, masakrave dhe gjenocidit. Sakrifica të jashtëzakonshme rëndojnë mbi supet e shqiptarëve dhe ajo që gëzojmë sot është modeste në krahasim me përpjekjet titanike për liri, pavarësi dhe demokraci. Shqiptarët gjithnjë aspiruan të jenë pjesë e botës demokratike moderne, por fatkeqësisht ranë viktimë e liderëve monstruozë, që vulosën epoka të errëta në historinë tonë të përbashkët. Pasojat janë këto që i shohim sot, në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në viset e tjera, ku shqiptarët janë faktorë të rëndësishëm, si në Maqedoni, për shembull. Shpesh dëgjojmë të thuhet se kjo është periudha më e lavdishme e shqiptarëve, por realiteti është pak më ndryshe. Mundësitë vërtet nuk kanë qenë më të mira se sot, megjithatë as sundimi më i egër dhe mafioz nuk ka mundur të paramendohej. Tradhtarët e kriminelët janë bërë bashkë, oligarkët e mafiozët janë partnerë të ngushtë. Kombi, kuptohet, mbetet i ndarë, sepse sundimtarët nuk e duan bashkimin, por përfitimin. Njerëzit më të pasur sot nuk janë biznesmenët e ndershëm dhe të aftë, por politikanët e mbrapshtë, liderët e korruptuar. Qeveritarët tanë mund të rrinë ditë e natë duke bërë shqiponjën, por e vërteta është se ata janë duke na mashtruar. Ndërsa shqiptarët varfërohen gjithnjë e më shumë, oligarkët pasurohen gjithnjë e më tepër. Drejtësia është përtokë dhe mbi ligjin janë pashallarët e pushtetit. Kështu, në këto rrethana jo të favorshme na gjen edhe ky 28 Nëntor, edhe kjo festë e kombit tonë. Sidoqoftë, shpresa vdes e fundit. Populli ynë, ashtu siç ka gjetur forca t'u bëjë ballë dallgëve të historisë, do ta hedhë tutje një ditë edhe këtë furtunë oligarkësh. Gëzuar Festën!

 

(Kosova Sot)