Ndarja i vjen rrotull Kosovës

  • 30 November 2018 - 17:09
Ndarja i vjen rrotull Kosovës

Parlamenti Evropian dërgoi mesazhe të qarta, përmes dy rezolutave që u miratuan dje, njëra për Kosovën dhe tjetra për Serbinë. Duke theksuar se janë kundër shteteve etnikisht të pastra, eurodeputetët ua bënë të qartë në Beograd dhe Prishtinë mbështetësve të pazareve territoriale që janë duke u zhvilluar prej së paku dy vjetësh, në prapaskenat e dialogut, se nuk mbështeten planet për ndarjen e Kosovës. Pasojat për të dy vendet, por edhe për mbarë rajonin, mund të jenë katastrofale, nëse kufijtë lëvizin dhe tensionet shtohen. Megjithatë, ky mesazh, që erdhi nga Parlamenti Evropian, nuk e ka zmbrapsur ideatorin e "korrigjimit" e tash "demarkimit", që në fakt është ndarjapresidentin kosovar, Hashim Thaçi. Ai ndërmori një turne në SHBA, ku duket se ka gjetur mbështetjen që ai e priste, por më tepër ka marrë kritika për taksën që e ka vendosur Qeveria ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Vetë deklaratat e tij dëshmojnë se nuk ka një gatishmëri amerikane për ndarjen e Kosovës, siç e planifikojnë Thaçi me Vuçiqin. Si rrjedhojë, edhe kreu i Republikës sonë po e ndryshon terminologjinë, por kuptohet se e tëra është thjesht një mashtrim. Siç theksohet edhe në rezolutën e PE-së për Kosovën, vendi vuan ende pasojat e kapjes së institucioneve, veçmas atyre të drejtësisë. Presidenti është kapësi kryesor, që po shfrytëzon maksimalisht të gjithë mekanizmat, mjetet, njerëzit në dispozicion, servilët, mediat e blera, për ta jetësuar planin e tij mafioz. Të gjithë e kanë kuptuar se gatishmëria për ta dhënë veriun ndërlidhet me shpresat e vakëta që t'i shmanget një ballafaqimi me drejtësinë në rastet e dyshuara në Gjykatën Speciale në Hagë. Por, më shqetësues është fakti se edhe Qeveria, në një farë mënyrë, po ia përshpejton arritjen e marrëveshjes antikombëtare, duke provokuar trazira në pjesën veriore. Me gjasë mund të jetë një koordinim mes protagonistëve të pushtetit, që ta përmbyllin dialogun me Serbinë, me kompromisin e ri të dhimbshëm. Le të shpresojmë se nuk do të jetë bash kështu!

 

 

(Kosova Sot)