Të tallesh me një popull të izoluar

  • 05 December 2018 - 17:01
Të tallesh me një popull të izoluar

22 deputetë të Parlamentit Evropianë e kanë ngritur zërin për padrejtësinë që po i bëhet Kosovës, duke mos ia hequr regjimin e vizave shëngen, ndërsa 120 deputetë të Parlamentit tonë talleshin dje, gjithë ditën, me organizimin e një seance të jashtëzakonshme, duke përmendur edhe falsifikime nënshkrimesh të deputetëve. Kjo e tregon seriozitetin e kësaj legjislature dhe këtij pushteti, që e ka harruar tërësisht interesin publik dhe mendon thjesht vetëm për klanet, grupet e interesit, xhepin e tyre, familjarët, rrjetin kriminal, oligarkët. Fatkeqësisht nuk kemi as opozitë dhe kjo po shihet me "aderimin" në PAN të matrapazit që udhëheq Prishtinën, si një kryetar i trafikuar. Bashkëngjitja e Shpend Ahmetit në dialogun me Serbinë, ose thënë më qartë në aventurën presidenciale të ndarjes së Kosovës, nuk është aspak befasuese, ashtu siç nuk na befason asgjë në politikën e kalbur të partive kosovare. Me gjasë, të gjithë politikanët e shantazhuar, përfshirë edhe kryetarin e PSD-së, i njohur si Shpend Jahti, kanë marrë mision ta ndajnë Kosovën si shpërblim për të mos u ndjekur nga drejtësia për aferat e tyre kriminale. Asnjëri nuk është i pastër dhe shumë skandale rëndojnë mbi krerët e institucioneve kosovare. BE-ja e di fare mirë këtë, prandaj edhe vizat nuk liberalizohen, sepse ky lidership duhet mbajtur peng. Por, përse duhet të mbahet peng një popull i tërë? Shikojeni se çfarë ndodhi në Francë. Pushteti e tërhoqi taksën disa centë më shumë për naftën, sepse populli mbushi rrugët dhe sheshet. Po nuk dolën edhe qytetarët tanë, për të kërkuar liri, demokraci dhe barazi, nuk ka asgjë prej kësaj qeverie. Edhe taksa 100 për qind ndaj Serbisë mund të ketë ndezur ndjenjat patriotike, por mos të harrojmë se brenda pak ditësh janë "ndezur" edhe çmimet në tregun kosovar. Qeveria po e mbulon dështimin e saj me zhvillimin ekonomik, social, me vendime populiste, duke i treguar "muskujt" Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, por dihet se kjo është një betejë e humbur. Si gjithnjë, janë qytetarët e vuajtur ata që e pësojnë, sepse edhe në këtë anarki politike pushteti veç e shton luksin dhe populli sodit sundimin e egër. 

 

(Kosova Sot)