Buxheti i luksit pushtetor

  • 08 December 2018 - 17:03
Buxheti i luksit pushtetor

Pas dy ditëve diskutime, Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje të miratojë Projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Shumica e deputetëve vetëm kanë shpenzuar kohë kot së koti, me fjalimet e tyre të paqarta dhe të mërzitshme. Edhe pse nuk kanë munguar kritikat ndaj draftit të paraqitur nga Qeveria, ka munguar një kërkesë normale nëse ndonjë parti do të donte ta bënte dallimin. E kjo është normalizimi i pagave super të larta në institucione të ndryshme shtetërore e publike. Kuvendi vazhdon të tregohet i pafuqishëm që të vendosë një rregull në pagat e zyrtarëve të lartë, drejtuesve të ndryshëm, anëtareve të bordeve etj. Nga ana tjetër, edhe Projektligji për pagat në sektorin publik po zvarritet. Por, për fat të keq, pozitë e opozitë, kur është fjala te benefitet, janë unikë. Asnjë deputet nuk e ngre zërin që të ulen shpenzimet e panevojshme që bëhen në rrogat anormale të ligjvënësve, qeveritarëve, këshilltarëve e një armate zyrtarësh të lartë që nuk bëjnë gjë prej gjëje. Edhe buxheti 2019 sërish do të garantojë luksin e pushtetarëve të kamur në Kosovën e varfëruar. Deklaratat për rritje ekonomike dhe punësim, janë thjesht propagandë mashtruese e Qeverisë. Nuk ka një vend që krijon hendek kaq të thellë mes shoqërisë dhe pushtetit. Shumica e popullatës po jeton në mjerim dhe pa shpresë, kurse pakica në pushtet nuk ngopet së zhvaturi. Në thelb, buxheti shihet edhe nga kjo Qeveri, si burim përfitimi për oligarkët dhe klientelat e tyre. Kush nuk është pjesë e saj, duhet të shpresojë se mund të mbijetojë në forma të tjera. Kapja e shtetit është thelluar edhe më shumë nën sundimin aktual, ndërsa rrugëdalja mbetet e mjegulluar. Edhe Kuvendi është bërë pjesë e kësaj kapjeje dhe nuk po ndërmerr asgjë për ta ndryshuar këtë qasje skandaloze të Qeverisë. Buxheti i planifikuar është luks për mafio-politikanët dhe blerje e paqes për kategoritë sociale, prandaj si i tillë nuk garanton zhvillim.

 

(Kosova Sot)