Me Rosa nuk luftohet korrupsioni

  • 11 December 2018 - 16:44
Me Rosa nuk luftohet korrupsioni

Fonde të konsiderueshme jepen për shoqërinë civile në emër të luftës kundër korrupsionit, por efekti i tyre është më pak sesa modest. Sigurisht deri tash janë miliona që kanë shkuar në xhirollogaritë e OJQ-ve, që kryesisht janë përdorur për fushata vetëdijësimi, tryeza pa fund, konferenca, seminare, etj. Sivjet, në kuadër të aktiviteteve për çrrënjosjen e korrupsionit, shoqëria civile u tregua më kreative, duke prezantuar një rosë të madhe, si simbol i trashjes së kësaj të keqeje që po e mban peng zhvillimin në Kosovë. Por, një gjë duhet ta dinë edhe OJQ-të, edhe vendimmarrësit që tubohen në ngjarjet e organizuara me rastin e Javës apo Muajit antikorrupsion-me Rosa nuk luftohen të korruptuarit! Këtë dukuri negative, që po e rrezikon seriozisht ekzistencën e shtetit, e sfidon vetëm zbatimi pa kompromis i ligjit. Nuk është se kemi kornizë të dobët ligjore, por autoritetet e thirrura për zbatimin e saj nuk e respektojnë dhe e shkelin sa herë u konvenon. Nga ana tjetër, drejtësia e politizuar dhe e shantazhuar është pengesë e fortë në sundimin e ligjit. Të gjitha rastet ku mund të jenë të përfshirë emra të zyrtarëve të lartë, zakonisht përfundojnë me lirimin e këtyre të fundit, edhe pse provat janë të forta dhe mjaftojnë për t'i dërguar prapa grilave. Mungesa e vullnetit politik për t'i luftuar të korruptuarit, që janë të shumtë në të gjitha nivelet e pushtetit, përbën një sfidë tjetër të patejkaluar ende. Një Qeveri që mban në radhët e saj ministra të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është dëshmia më ilustruese për politikën e mbrapshtë që e drejton Republikën. Të korruptuarit janë të preferuarit e liderëve, sepse duke i shantazhuar ata, oligarkët arrijnë të vendosin si të duan për tenderët e majmë, për fondet qindra milionëshe. Me këtë garniturë politike, edhe një milion rosa le t'i nxjerrim në shesh, nuk ka gjë prej gjëje. Pa i nxjerrë dy milionë njerëz në rrugë kundër korrupsionit, nuk do ta kemi seriozisht asnjëherë këtë luftë deri tash të humbur! 

 

(Kosova Sot)