A ngopeni ndonjëherë?!

  • 26 dhjetor 2018 - 16:27
A ngopeni ndonjëherë?!

Festat fetare janë gjithnjë një momentum reflektimi, solidariteti, paqeje dhe dashurie, mirësie dhe harmonie. Në Kosovën tonë të rënduar nga një regjim gati despotik për mënyrën se si vepron, kurrë më tepër nuk ka pasur nevojë për mesazhe të forta kundër babëzisë që ka kapluar një pjesë të vogël të shoqërisë. Ndërsa shumica po zhyten në varfëri, një grusht oligarkësh dhe shpurat e tyre, kanë uzurpuar çdo të mirë të këtij vendi. Në këtë Krishtlindje, porosia që përcolli Papa Françesku gjatë një shërbese në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në meshën tradicionale, është shumë domethënëse. Udhëheqësi i botës së krishterë ka kërkuar nga të pasurit të bëjnë një jetë më të thjeshtë, më pak materialiste, si dhe dënoi ndarjen e thellë midis të varfërve dhe të pasurve. Papa, 82- vjeçar, tha se lindja e Jezusit në varfëri duhet të bëjë që të gjithë të reflektojnë mbi kuptimin e jetës. Ai tha se lindja e Krishtit vuri në pah një mënyrë të re të të jetuarit "jo duke ngrënë e duke grumbulluar, por duke dhënë dhe duke ndarë me të tjerët". Këto fjalë, mund të mos u bëjnë përshtypje pushtetarëve kosovarë, por, në fakt, i shigjetojnë pikërisht sojin e tyre. Sundimtarët e Kosovës i janë vërsulur buxhetit të taksapaguesve kosovarë dhe pasurive publike e private, për t'i bërë ato rrush e kumbulla. Kurrë shteti ynë nuk ka pasur Qeveri më të uritur për para e pushtet, për luks e privilegje. Hendeku mes të pasurve që po bëhen super të kamur dhe të varfërve që po bëhen edhe më të mjerë, sa vjen e bëhet më i thellë. Krerët e regjimit aktual nuk kanë të ngopur. Ata, edhe pse nuk ua dinë fundin milionave që i kanë paluar në mënyrë korruptive, vazhdojnë të zhvatin. Pjesa dërrmuese e të rinjve kosovarë duan të largohen nga Kosova, sepse nuk ka perspektivë. Instalimi i oligarkisë politike dhe biznesore ua ka dërrmuar shpresat shumicës së kosovarëve. As Qeveria "Haradinaj" nuk po mund ta ngjallë shpresën, prandaj sa më parë që ikën, aq më mirë për të shpresuar në një qeverisje të mirë. 

 

(Kosova Sot)