Skena politike mbetet e përçarë

  • 27 dhjetor 2018 - 16:53
Skena politike mbetet e përçarë

Dështimi i seancës së djeshme të jashtëzakonshme, të ftuar nga opozita, për çështjen e dialogut, dëshmoi edhe një herë se skena politike mbetet e përçarë në fazën finale të një procesi me shumë të panjohura. Mungesa e kuorumit e ka pamundësuar debatin parlamentar, ndërsa në anën tjetër, fjalimi i presidentit është injoruar në masë të madhe nga ligjvënësit. Ndërsa, takimi i Ekipit negociator me kryeparlamentarin dhe kreun e shtetit, pa prezencën e partive kryesore të opozitës, ishte tepër i zbehtë. Këto zhvillime po rikonfirmojnë krizën politike në Kosovë dhe mungesën e theksuar të unitetit, kaq të nevojshëm aktualisht. Qeveria po përpiqet ta shtyjë dialogun përpara, por është duke harruar se presidenti i vendit ka shkuar tashmë aq larg, saqë të gjitha veprimet, si formimi i Ekipit negociator dhe hartimi i Draftligjit për dialogun, janë të pafuqishme për të zhbërë aventurën presidenciale. Seanca e djeshme mund të kishte qenë një rast i mirë për të debatuar, me shpresën se mund të arrihet një pajtim kombëtar për dialogun dhe vijat e kuqe, por qëllimisht pushteti e pamundësoi. I vetmi që mbetet hapur publikisht kundër Thaçit, në temën e shkëmbimit të territoreve, është kryeministri Haradinaj. Për karrigen e kryeministrit, ai ka treguar se është në gjendje të "sakrifikojë" shumë, prandaj nuk mund të merret seriozisht refuzimi i tij. Aq më tepër, që ka pranuar të mbështesë një ekip dialogues, që bashkëkryesohet nga një mashë e oligarkëve, siç është Shpend Ahmeti, i njohur për lidhjet e tij me Devollin dhe qeverisjen e inkriminuar në Prishtinë. Megjithatë, nuk është për t'u habitur, sepse pushtetarët, rivalë apo partnerë, në fund i bashkon interesi material, më shumë se gjithçka tjetër. Dialogun e kanë vetëm për mbulesë, sepse nën përkujdesjen e Thaçit, duket se edhe marrëveshja është e gatshme. Mjafton vetëm nënshkrimi. Një nënshkrim, që do të jetë i turpshëm, sepse pritet t'ia shkëpusë një pjesë të mirë të territorit Republikës së Kosovës.

 

(Kosova Sot)