Ndarja, kushti i ri për liberalizimin e vizave

  • 03 janar 2019 - 16:55
Ndarja, kushti i ri për liberalizimin e vizave

Duke pasur në krye të shtetit politikanë të pasinqertë, të korruptuar dhe të dëmshëm për qytetarët, atyre nuk ke si t'u zësh besë. As kur flasin për gjëra tepër të thjeshta. Kështu që alternativa e vetme për të kuptuar dhe për të besuar diçka është kur flasin personalitetet e ndryshme nga Evropa, që ia duan të mirën Kosovës, më shumë se vetë liderët tanë. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, që vizitoi dje Prishtinën, solli dy mesazhe të qarta për dy tema që sigurisht edhe sivjet do ta dominojnë jetën politike, ndërsa la të kuptohej se kushte të reja mund t'i vendosen Kosovës. Duke pohuar se janë disa qeveri evropiane që nuk janë bindur ende për lëvizjen e lirë të kosovarëve, parlamentari i BE-së nuk u lëshua në supozime rreth kësaj çështjeje. Më tej, ai e bëri të qartë se ideja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, bazuar në lëvizjen e kufijve, është me rrezik. Por, presidenti Hashim Thaçi nuk pyet për rreziqe, sepse e ka marrë flamurin e ndarjes dhe do t'i shkojë deri në fund, nëse nuk ngritet populli në këmbë dhe ta ndalë këtë despot të egër. Problemi, ende i padalë në sipërfaqe, është se cili mund të jetë kushti i radhës që Kosova ta bëjë marrëveshjen e imponuar dhe planifikuar nga Thaçi-Vuçiqi, nën tutelën e Edi Ramës me ndërmjetësimin e mercenarëve mediatikë e biznesorë apo botës së mafisë. Njerëzit e kanë ende të freskët rastin me demarkacionin, kur u shfaq befas kushti për liberalizimin. Parlamenti e ratifikoi, por liberalizimi i vizave nuk ndodhi. Si një karrem i mirë, lëvizja e lirë në hapësirën Shëngen, mund të përdoret sërish dhe ka dyshime të forta se një ide e tillë nuk është e Brukselit, por ka lindur në zyrat e Prishtinës. Kuptohet lehtë se kush është ideatori…U takon qytetarëve të përcaktohen, a do të pranojnë të japin territor që të lëvizin pa viza, sepse sa për këtë lidership, përgjysmë do ta ndajnë këtë Kosovë të vogël!

 

(Kosova Sot)