Hajnat tallen në 'Facebook'!

  • 05 January 2019 - 17:23
Hajnat tallen në 'Facebook'!

Sikur të mos mjaftonin aktet kriminale të vjedhjes në banka, markete, shtëpi private, grabitësit po shfaqen aq të qetë, saqë tallen në rrjetet sociale me organet policore. Kjo është dëshmia më e mirë se sa poshtë ka rënë rendi dhe ligji në vendin tonë. Në pikë të ditës vidhen bizneset dhe shteti sodit, thuajse nuk është duke ndodhur asgjë. Sa më tepër që shtohet hajnia, aq më e paskrupullt bëhet Qeveria. Me një Ministri të Brendshme, ku ministrat ndërrohen, siç e ndërron repertorin në dasma deputeti i Pacollit, që e emëroi ministrin aktual, nuk pritet kurrfarë reagimi serioz. Policia kosovare është e aftë kryesisht të dalë e të fshihet pas ndonjë kodre apo ferre, për të kapur në flagrancë…veturat që ecin mbi shpejtësinë e lejuar. Sa i përket krimit të organizuar, uniformat blu lënë shumë për të dëshiruar. Kosova është vend i vogël dhe të gjithë e njohin njëritjetrin. Banorët, në secilën lagje, qytet, fshat, rrethinë, e dinë fare mirë kush vjedh. Por, ka një problem këtu. Vetë eksponentë të policisë mund të jenë të lidhur me hajdutët dhe pastaj i ndajnë fitimet bashkë. Radhët e policisë janë të mbushura me persona të padenjë, të pashkolluar, me të kaluar kriminale. Nga ana tjetër, kësaj Qeveria, që na zhvat çdo ditë, nuk i bën përshtypje vjedhja e pasurisë private, sepse vetë është e përkushtuar në vjedhjen e pasurisë publike. Prandaj, hajnat tallen në "Facebook", pasi në këtë derexhe është katandisur Republika. Por, kush e solli Kosovën në këtë ditë kritike, kur ke frikë të dalësh në rrugë, ta lësh shtëpinë vetëm?! Është përgjegjësi e krerëve aktualë të shtetit, të cilët në kushte normale është dashur të ballafaqohen me drejtësinë, për anarkinë që e ka pushtuar vendin. Qytetarët duhet ta kuptojnë se sa më gjatë rrinë në pushtet këta politikanë hajdutë, aq më i lartë do të jetë edhe numri i grabitjeve.

 

(Kosova Sot)