Si u rihap tema e Pavarësisë?

  • 09 January 2019 - 16:51
Si u rihap tema e Pavarësisë?

Ka një pyetje pa përgjigje edhe pas takimit të djeshëm në Bruksel, me ekipin burrëror të Kosovës, që bën sikur e ka marrë stafetën e procesit. Çka do të japë tash Kosova? Kjo është çështja. Të tjerat janë thjesht pallavra të njohura nga Shpend Ahmeti e të tjerët. Kush do t'u besojë këtyre anëtarëve të delegacionit shtetëror se janë kaq të aftë e të vendosur, sa do ta vënë Serbinë me shpatulla për muri dhe do të pranojë pa kushte ta njohë pavarësinë e vendit tonë. Djalli fshihet në detaje, por në rastin e Kosovës ai u shfaq sërish dje nga majat e Brezovicës, duke e përshëndetur ekipin negociator. Si është e mundur që askush nga bota akademike, shoqëria civile, ekspertët, opozita për më keq, nuk reagon thuajse fare?! Sikur ka një pakt të heshtur, që të kalohet edhe kjo sfidë, pa zhurmë, pa rezistencë, duke harruar pasojat e jashtëzakonshme për breza e breza të tërë. Kosova e shpalli pavarësinë dhe mbi 100 shtete na njohën në këta kufij që i kemi. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka mbështetur ligjshmërinë dhe legjitimitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. A nuk ishte Pakoja e Ahtisarit kompromisi vërtet i dhimbshëm, që e shndërronte pakicën serbe, me pesë për qind, në faktor vendimmarrës, kushtetues dhe politik? Çfarë duhet të japë më tepër Kosova?! Hashim Thaçi e ka të qartë, por përse nuk po flasin këta anëtarët e delegacionit shtetëror, përse nuk tregojnë se cili është çmimi që duhet paguar në negociatat e radhës. Është e pafalshme rihapja e statusit të Republikës, pas gjithë atyre sfidave dhe fitoreve diplomatike për Kosovën, siç ishte rasti në GJND. Nëse dikush mendon se marrëveshja finale me Serbinë do të vijë pa kosto, natyrisht që e ka gabim. Përbërja e ekipit negociator garanton se aventura presidenciale gati sa nuk është kryer dhe mbetet vetëm nënshkrimi përfundimtar! 

 

(Kosova Sot)