Dimër i 'nxehtë'

  • 10 January 2019 - 16:33
Dimër i 'nxehtë'

Veprimet e papërgjegjshme të pushtetit nxisin gjithnjë reaksione të forta shoqërore. Frustrimi ka ardhur duke u rritur, sidomos te sektori publik, që prej vendimit arrogant të Qeverisë për t'ia rritur rrogën vetes. Kryeministri, ministrat, zëvendësit e tyre, stafet përkatëse, përfituan rritje dy-tri shifrore të pagave, një luks i turpshëm në mjerimin e madh të Kosovës, ku rroga mesatare mezi i mjafton një familjeje për nevojat elementare. Shpërthimi social është i pritshëm, me këtë pushtet që mendon vetëm për xhepin e vet dhe harron interesin e qytetarëve. Grevat në shëndetësi, në miniera, paralajmërimi i grevave në arsim, janë duke e rënduar situatën jo vetëm sociale, por edhe politike. Të zënë, me "tema të mëdha" qeveritarët po i injorojnë kërkesat e sindikatave të sektorëve publikë, megjithatë presioni social mund të shtohet ditëve të ardhshme. Vendi mund të gjendet para një kolapsi të përgjithshëm, nëse nuk adresohen me seriozitet shqetësimet e punonjësve të shëndetësisë, të arsimit, të minatorëve apo të punëtorëve të tjerë që mund t'u bashkëngjiten grevistëve të deritashëm. Ka njëmijë e një arsye për të hyrë në grevë e për të protestuar kundër këtij regjimi që e ka ngulfatur Kosovën, e ka rrënuar sistemin e drejtësisë dhe e kontrollon rreptësisht dhe kriminalisht çdo zyrë shtetërore. Deri tani jo vetëm që nuk ka qeverisje të drejtë dhe transparente, por ka zhvatje të pandalshme dhe abuzime të njëpasnjëshme. Të lodhur nga ky sundim i egër i oligarkisë politike, njerëzit, pavarësisht a kanë apo jo një punë, nuk mund të durojnë më tej. Kostoja e jetesës është shtrenjtuar tej mase, ndërsa tregu i lirë thuajse nuk ekziston më. Kompanitë e afërta me pushtetin kanë monopol, ndërsa çmimet vetëm rriten. Mbijetesa, edhe për të punësuarit, është bërë e zorshme, sepse të ardhurat mbesin të njëjtat, ndërsa shpenzimet gati janë dyfishuar viteve të fundit. Nuk është e rastësishme që po dëgjojmë sërish lajme për "mbushje autobusësh" që ia mësyjnë Perëndimit. Atyre që nuk kanë nga t'ia mbajnë u mbetet të protestojnë, të tjerët e braktisin vendin!

 

(Kosova Sot)