Kosova në kolaps

  • 17 January 2019 - 16:53
Kosova në kolaps

E tëra Kosova është në kolaps pas grevës në të gjitha nivelet e arsimit dhe gjithashtu në shëndetësi, por kjo situatë emergjente, as që po i bën përshtypje Qeverisë "Haradinaj". I zënë me hallin e vet, se a do të mbesë në pozitën e kryeministrit apo do ta shkarkojë PDK-ja, siç bëri me Isa Mustafën, lideri i AAK-së nuk po sheh më asgjë tjetër përreth. Me gjasë, nuk i bie ndërmend as për rrogën gati më të lartën në rajon, që ia bëri vetes dhe qeveritarëve të tjerë, sapo mori pushtetin. Por, pikërisht vendimet e pamenduara po nxisin një kaos të vërtetë në Kosovë. Përgjegjësia bie pikësëpari mbi ekzekutivin, sepse janë pikërisht kjo armatë ministrash, zëvendësministrash, këshilltarësh, që mburren përditë në medie, se janë duke bërë një punë titanike për rritjen e mirëqenies së kosovarëve. E cili është rezultati? Dëshpërues. Shumica e qytetarëve janë të gatshëm ta braktisin Kosovën, për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit, padrejtësive në secilën sferë të jetës. Tashmë, edhe më optimisti dje, sot është bindur se me këtë lidership nuk mund të ketë prosperitet dhe zhvillim për vendin tonë. Për fat të keq, edhe opozita duket si e humbur dhe ka rënë në grackën e pushtetit. Dialogu me Serbinë është imponuar jo si nevojë nacionale emergjente, por në të vërtetë si alibi e presidentit për t'i shpëtuar një përballjeje eventuale me Gjykatën Speciale. Për sa kohë kemi pasur Qeveri të korruptuar, edhe dialogu me Serbinë ka sjellë rezultate në dëm të Kosovës dhe këtë e pranojnë tash të gjitha partitë. Pa pasur një ekzekutiv funksional, institucione të konsoliduara, edhe negociatat me palën serbe nuk pritet të sjellin dobi. Me Hashim Thaçin e Shpend Ahmetin, mos të shpresojë kush se do të dalim nga ky qorrsokak. Fatkeqësisht, edhe Haradinaj, pasi e hëngri karremin e PDK-së, nuk ka rrugëdalje. Kur e nis vallen, duhet ta hedhësh deri në fund.

 

(Kosova Sot)