Edi Rama, si Enver Hoxha

  • 19 January 2019 - 16:57
Edi Rama, si Enver Hoxha

Presidenti i Shqipërisë refuzoi të dekretonte një ministër të Jashtëm pa përvojë dhe me shqetësimin se ka qëndrime të rrezikshme për Kosovën, por nuk mund ta ndalte vetëzgjedhjen në këtë post të kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit përbën, në fakt, një rrezik shumë më të madh sesa Gent Cakaj, i promovuari i mercenarit dhe bashibozukut të gazetarisë Baton Haxhiut. I pyetur shpesh për qëndrimin e tij në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, lideri socialist, që udhëheq Shqipërinë në mandatin e dytë të tij, nuk ka thënë asnjëherë se është kundër ndarjes. Edhe pse është munduar të tregohet i kujdesshëm, ai ka mbrojtur gjithmonë miqtë e tij, Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun, të dy këta, pjesë të intrigës, ndoshta më të madhe që i është bërë ndonjëherë kombit tonë. Duke mos u distancuar nga këta që hapur e mbështesin dhënien e veriut Serbisë, Edi Rama nuk mund të justifikohet duke thënë se është neutral. Në fakt, burime të ndryshme të besueshme dhe medie prestigjioze kanë raportuar se në dialogun Thaçi-Vuçiq, Rama gjithnjë ka qenë aktiv, ndërsa masha e tyre mediale ka endur informacionet sa në Prishtinë, në Beograd dhe në Tiranë. Edi Rama, në një farë mënyrë, është një shëmbëlltyrë e Enver Hoxhës, diktatorit komunist që sundoi gjysmë shekulli shtetin shqiptar. Sikurse Hoxha, edhe Rama mund të rezultojë i dëmshëm për fatin e kombit. Nëse i pari nuk bëri asnjë përpjekje, por përkundrazi kontribuoi që gjysma e kombit të mbetej nën regjimin jugosllav, ky i sotmi mbështet idenë e ndarjes, një ide e lansuar nga qarqet shoviniste serbe prej vitesh. Nëse është ndryshe, atëherë kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar Edi Rama, le të dalë në një konferencë për shtyp i vetëm, ta kursejë opinionin nga akuzat e tij histerike për "kazanin" e "Kadrinjtë" dhe të deklarohet se është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës. Zor se do të ndodhë një gjë e tillë, për sa kohë miqtë më të mirë të Ramës në Kosovë janë Hashimi e Batoni…

 

(Kosova Sot)